Këputja e arave, ilaçi bimor që pengon dhe ndalon hemorragjinë
Të gjitha efektet e saj kuruese dhe dozat e përdorimit. Bima përdoret për mjekimin e sëmundjeve të hundës, veshit, fytit, mushkërive dhe për mjekimin e gjakut në urinë
Këputja e arave është një bimë mjaft e përhapur në vendin tonë, e cila ka gjetur një përdorim të gjerë në mjekësinë popullore. Kjo bimë është e pasur me vitaminë C dhe me shumë minerale të tjera. Në disa vende si në Japoni, Rusi etj., kërcejtë fertilë të bimës (të padegëzuar) përdoren për ushqim si perime. Që nga kohët më të hershme kërcejtë sterilë të kësaj bime përdoreshin në mjekësi kundër shumë sëmundjeve. Këputja e arave i takon familjes primitive të bimëve (Equisetaceae), të cilat para mëse një milion viteve e kanë mbuluar Tokën. Ekzistojnë shumë lloje të Equisetum-it, por Equisetum arvense është më e përhapura.
Në gjuhën shqipe, sipas librit “Fjalorthi etnobotanik i shqipes”, të autorit Shefki Sejdiu, kjo bimë njihet edhe me këto emra: bar’i idht, barimagari, barkali, bishtmini, piskatore, hormoç, gdhë i egër, cpirrak, thekç, grrëth, kandër, bargjan, hjekës, hjekës arash, nieskë, këputje, bishtkali, kripë, krips, kripth, kripëz, vgje, vgjedhë, çibuk, krizëm, bar i ashpër, bar sermajë, bar paresh etj. Kërcelli i kësaj bime është i drejtë, me gjethe të shumta e të holla, të vendosura rreth boshtit të kërcellit. Për këtë dhe quhet barkali, sepse ngjason me bishtin e kalit.
Bima
Këputja e arave është një bimë shumëvjeçare dhe ka rizomën, i cili depërton thellë në tokë. Bima ka dy lloje të kërcellit: atë sterile dhe atë fertile. Kërcelli fertil lajmërohet në pranverë para atij steril dhe është i padegëzuar, i gjatë rreth 10-30 cm dhe në të ka spore. Pas shpërndarjes së sporeve, bima fertile (e plleshme) thahet dhe paraqitet bima e rrjepur sterile, që ka degëza. Kjo bimë rritet prej 50-60 cm. Këputja e arave mund të haset në vende të braktisura, kryesisht me lagështi, pastaj pranë hekurudhave, lumenjve, nëpër livadhe, e ndonjëherë edhe nëpër pyje e vende kodrinore. Kjo bimë është e përhapur në tërë Europën, në Azi dhe Amerikë Veriore. Trungjet sterile të këputjes së arave mblidhen që nga mesi deri në fund të stinës së verës dhe përdoren për mjekime fitoterapeutike. Nëpër barnatore kjo bimë gjendet në shitje me emrin Equiseti herba.
Përbërja
Këputja e arave në vete përmban sasi të konsiderueshme të siliciumit, i cili ndodhet në formë të kristaleve në bimën e terur dhe atë në sasi deri në 10 për qind. Përveç kësaj, në bima përmban edhe saponinë, flavoide, alkaloide, materie të idhëta, sterole, kalium, kalcium, natrium, sulfur, taninë, pektin, karotinoide. Ajo gjithashtu është e pasur edhe me vitaminën C dhe me shumë minerale të tjera. Falë përmbajtjes së saj të pasur me lëndë ushqyese ajo rekomandohet për trajtimin e disa sëmundjeve.
Veprimi
Këputja e arave në organizëm vepron si hemostatik (ndalon rrjedhjen e gjakut), si adstringent (mjet me veprim rrudhës), si diuretik (shkakton urinimin e shpeshtë dhe ndihmon në punën e veshkave dhe rrugëve urinare), si depurgativ, si bar pulmonal, si anti-inflamator etj.
Përdorimi
Antihemorragjike
Efekti primar dhe i rëndësishëm i kësaj bime është antihemorragjik (pengon dhe ndalon gjakderdhjen), duke ndikuar si lokalisht, ashtu edhe sistematikisht. Klinikisht është vërtetuar se marrja e lëngut të kësaj bime nxit koagulimin (mpiksjen) e gjakut, prandaj përdorimi lokal dhe i jashtëm i bimës së imtësuar, është edhe zëvendësim i suksesshëm për aplikimin e injeksioneve lokale në këto raste për qëllim të pengimit të gjakderdhjes. Këputja e arave kryesisht aplikohet te plagët e hapura, të cilat vështirë shërohen. Përdorimin e suksesshëm të kësaj bime në trajtimin e gjakut dhe të urinës më së miri e tregon prania e acidit të strallit.
Sëmundjet
Bima në fjalë kryesisht përdoret për mjekimin e sëmundjeve të hundës, veshit, fytit, mushkërive, për mjekimin e gjakut në urinë, gjakderdhjeve ekscesive nga mitra (uterusi), të dismenoresë (menstruacioneve me dhembje) etj. Është interesante se këtë bimë kinezët e përdorin kundër dizenterisë. Për shkak të sinergjisë së principeve të saj aktive, kjo bimë me sukses përdoret edhe te sëmundjet e traktit urogjenital, te cistitisi, prostatitisi, uretritisi, enurezioni, inkantinenca urinare, hipertrofia e prostatës. Në këto raste të përmendura tregon efekte të mrekullueshme. Ndërsa aktiviteti i këputjes së arave në sistemin urogjenital rrumbullakësohet me veprimin diuretik të saj, i cili ndikon edhe në thyerjen e gurit urinar.
Anti-inflamatore
Këputja e arave është edhe agjent i rëndësishëm anti-inflamator. Ajo rrit sasinë e leukociteve, të cilat kanë për detyrë t’i largojnë nga organizmi qelizat e vdekura, bakteret dhe lëndët e tjera të padobishme, duke penguar në këtë mënyrë burimin e kallove dhe çrregullimeve të tjera. Acidi i strallit nga kjo bimë është i njohur për atë se e përforcon dhe e shëron indin e mushkërive. Për këtë arsye qysh edhe në kohët e hershme njerëzit e kanë përdorur këputjen e arave edhe kundër TBC-së (tuberkulozit).
Pastruese
Këputja e arave (Equisetum arvense) është edhe depurativ i mirë dhe shpesh përdoret kundër sëmundjeve lëkurore dhe atyre reumatike. Nga organizmi ky bar me sukses i largon ca helme dhe materie të quajtura metale të rënda. Nëse bimën e përdorim gojarisht, duke e kapërdirë me ujë, po ashtu edhe kur përdoret lokalisht, tregohet si hemostatik i mrekullueshëm. Me rëndësi është të përmendet se substancat që kjo bimë i përmban nuk janë të tipit vazokonstriktor (nuk i ngushtojnë enët e gjakut), e me këtë nënkuptohet se nuk ndikon në shtypjen e gjakut. Po ashtu me sukses bima përdoret edhe te rastet e edemave hormonale dhe metabolike, te bronkiti dhe sëmundjet e mushkërive.
Kërcejtë
Bima përbëhet nga pjesa mbitokësore e kërcellit shterp (të verës), e tharë, e këputjes ose e bishtkalit ose e hjeksës, e cila është një bimë shumëvjeçare sporofite e lartë, e zakonshme tek ne në vende me lagështi dhe hije, moçale etj. Këputja nxjerr dy lloje kërcejsh, por në mjekësi përdoren vetëm kërcejtë shterpë (të verës), të cilët janë hollakë, të fortë dhe të thatë. Bima e këputjes (rreth 7 për qind) përmban kryesisht acid silicik, saponine, ekuizetoninë, acide organike, glukozide flavonike etj. Ajo ka veti të rrisë sekretimin e tharë në 60°C menjëherë pas mbledhjes së urinës, të ngordhë mikroorganizma që shkaktojnë sëmundje dhe plagë. Bima ndihmon formimin e leukociteve dhe si pasojë nxit proceset natyrore të shërimit të sëmundjeve ngjitëse. Këputja mund të përdoret në sëmundjet e veshkave dhe të fshikëzës së urinës, në disa sëmundje të zemrës që lidhen me mbajtjen e ujit në organizëm. Mjekësia popullore e këshillon bimën edhe në rastet e cirrozës hepatike. Këputja mund të përdoret në formë banjash dhe kompresash për shërimin e plagëve, për gargarë në pezmatimet e bajameve dhe për shpëlarjen e gojës në rastet e mahisjes së saj. 4 lugë kafeje me bimë të copëtuar hidhen në një enë ku shtohen dy tasa çaji me ujë; zihet 15 minuta; lëngu lihet të ftohet, kullohet dhe ëmbëlsohet sipas dëshirës. Kjo sasi e çajit pihet gjatë ditës.
Dozimi dhe përdorimi
Merren 1-4 (një deri katër) gramë bimë e tharë, përgatitet si dekokt dhe pihet tri herë në ditë. (Dekoktet janë ekstrakte ujore të bimëve për përdorim të brendshëm, që përgatiten duke e zbutur drogën bimore në ujë të ftohtë dhe pastaj së bashku zihen rreth 30 minuta, kullohen dhe ftohen). Me sukses përdoret edhe tinktura e këputjes së arave, duke marrë tri herë në ditë nga 20-30 (njëzet- tridhjetë) pika. Po ashtu mund të përdoret edhe në këtë mënyrë: Merret një lugë kafeje bimë e tharë dhe e imtësuar, tretet në pak ujë dhe pihet para buke tri herë në ditë.
Kujdes
Gjatë përdorimit të kësaj bime nuk duhet të tejkalohet doza terapeutike, pasi nëse teprohet doza e përcaktuar, mund të shfaqen helmimet me këtë bimë. Simptomat e helmimit me këtë bimë, të cilat paraqiten disa orë pas marrjes së drogës bimore në organizëm, janë: rritja e të rrahurave të pulsit, frymëmarrja e vështirësuar, diarreja, barkçitjet etj.
Përgatiti: JONIDA TASHI
Të rejat nga shkenca/ Zemra e vdekur rreh përsëri
Tashmë evolucioni në shkencë po i shtyn njerëzit të shpresojnë se fundi i jetës do të jetë shumë i largët, me gjithë shpikjet dhe eksperimentet e çuditshme që po kthejnë në jetë edhe organet më delikate, shpesh shkak për vdekjen e njeriut. Shkencëtarët amerikanë kanë arritur të kthejnë në funksion një zemër të vdekur, në kushte laboratorike. Stafi i shkencëtarëve nga Qendra për Riparime Kardiovaskulare në Universitetin e Minesotës e shikojnë si mjaft premtues këtë eksperiment pasi kjo mund të çojë në krijimin e organeve për transplantim te njerëzit. Në studimin botuar në revistën “Nature Medicine”, shkencëtarët kanë deklaruar se i kanë hequr qelizat nga zemra e minjve të vdekur, por e kanë lënë të paprekur strukturën themelore të zemrës. Kjo strukturë pastaj është injektuar me qelizat nga zemra e minjve të sapolindur dhe është lënë të rritet. Përfundimisht zemrat filluan të rrahin përsëri.
10 Mars 2008