E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Jam socialist i ’91, s’kam qenë asnjë ditë në PD si Rama”

• Kreu i LSI-së, Ilir Meta, tha dje se ka qenë dhe mbetet një socialist. Sipas tij, sistemi zgjedhor me të cilin PS-ja kërkon të hyjë në zgjedhje do të dëmtojë të majtën.“Unë jam socialist i vitit 1991, kam shkuar tek PS-ja në një kohë kur nuk shkonte njeri, pasi të cilësonin si kriminel. Nuk kam qenë me zotin Gjinushi kur ai u bë deputet i Berishës në Peqin, për ato arsyet e veta dhe nuk e kam paragjykuar për këtë, është një deklarim shumë banal, nuk është Gjinushi që tregon se jam majtas apo djathtas. Unë kam pas një bindje që në ‘91 dhe hyja në PS kur nuk hynte njeri aty. Nuk kam qenë as me zotin Rama, kur krijonte ato partitë e veta të djathta me zotin Ngjela, edhe për këtë nuk e paragjykoj. Dhe kjo është një mendësi e vjetër që ata të përcaktojnë nëse je i majtë apo i djathtë”, tha Meta. Këtë deklaratë Meta e bëri gjatë emisionit “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu në Tv Klan. Meta i ka bërë apel Edi Ramës të heqë censurën e tij nën ndikimin e detyrës së kryetarit të Bashkisë së Tiranës ndaj disa mediave, të cilat nuk transmetojnë asnjë aktivitet të LSI-së. “Kryetari i Bashkisë së Tiranës të heqë censurën ndaj LSI-së nga disa media. Kjo censurë vjen vetëm se ai është kryetar i bashkisë dhe jo si kryetar i partisë”, tha Meta.Duke folur për lëvizjet e fundit të disa socialistëve drejt LSI-së, Meta tha se ata janë ndjerë të papërfaqësuar tek ajo parti dhe janë të mirëpritur te forca politike që ai drejton. “Nëse këta socialistë janë të përjashtuar dhe nuk janë të përfaqësuar, ata erdhën në LSI, sepse janë socialistë, kjo për faktin se në zgjedhje ata do të ishin të paangazhuar. Nuk mund të përdoren epitetet “ndroqar”, pasi ata erdhën me dëshirën e vet. Ilir Meta s’ka çfarë u ofron atyre në opozitë. Unë nuk kam ndonjë shqetësim nëse anëtarë të LSI-së që nuk përfaqësohen si duhet në partinë tonë shkojnë në PS, mua nuk do më vinte keq, do më vinte keq nëse do shkonin me Berishën. Ky proces do vazhdojë”, u shpreh kreu i LSI-së. Ndarja nga PSDuke analizuar shkaqet që kanë çuar në shkëputjen e LSI-së nga koalicioni i majtë me PS-në, Meta paraqiti një kopje të marrëveshjes së firmosur në maj 2006 mes të gjitha partive opozitare. Në atë marrëveshje, Meta lexoi disa nga pikat e saj, ku një prej tyre ishte dhe realizimi i reformës zgjedhore me konsensusin e të gjitha partive opozitare. “Ne në zyrën e zotit Rama kemi vendosur për proporcionalin dhe kemi rënë dakord për këtë sistem. Sot na del zoti Rama dhe lidershipi i saj me tjetër qëndrim kundër partive të tjera. PS dhe zoti Rama nuk ka respektuar marrëveshjen e pesë partive opozitare për reformën zgjedhore, nuk është realizuar bashkërendimi i partive për çështje të rëndësishme, ashtu siç shkruhet në këtë marrëveshje. Pas zgjedhjeve të 18 shkurtit, zoti Rama mendoi se gjithçka kishte përfunduar, por ende nuk ishin bërë konstituimet e qarqeve. Ne vazhdimisht kemi kërkuar mbledhjen e tryezës dhe ajo është refuzuar”, tha Meta. Kreu i LSI-së e ka cilësuar çështjen e reformës zgjedhore si më seriozen. Duke iu përgjigjur akuzave të PS-së, sipas të cilave shkëputja e LSI-së u bë për shkak të postit të kryeministrit, Meta u shpreh se ajo është një akuzë bajate. “Për fat të keq, ne shohim se krerët e këtyre dy forcave politike janë të vendosur për të bërë marrëzinë e radhës, që do të thotë për t’u imponuar shqiptarëve një kod zgjedhor që do të cenojë standardet e zgjedhjeve. Aq më keq që duan ta bëjnë këtë duke e shpallur se gjoja po realizohet në emër të ftesës për t’ua anëtarësuar në NATO”, u shpreh Meta. Sipas Metës, politikë e re nuk mund të quhet bllokimi i Komisionit të posaçëm të Reformës Zgjedhore dhe as mungesa e transparencës për të realizuar një reformë transparente zgjedhore. Kreu i LSI-së tha dje para analistëve se partia që ai drejton është e para që ka paraqitur propozimet e saj për reformën zgjedhore, në një kohë që Berisha përsëriste kërkesën që opozita të paraqesë propozimet për reformën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›