Qeveria do hedhë në treg bono thesari 10-vjeçare
• Brenda këtij viti Qeveria do të shesë bono thesari 10-vjeçare. Lajmin e ka bërë të ditur zëvendësministri i Financave Sherefedin Shehu.Fabiola Çela “Ne po parashikojmë që bonot 7-vjeçare t’i zëvendësojmë me 10-vjeçare. Synimi ynë është që shitja të kryhet në monedhën vendase, por gjithsesi mund ta shesim edhe në euro”, ka thënë ai. Sipas Shehut shuma e këtij borxhi mund të arrijë nga 5 deri në 10 miliardë lekë pasi emetimet afatgjata do të jenë në shuma të mëdha. “Ne do fillojmë t’i rrallojmë ankandet e bonove të thesarit sepse do të rrisim shumat për çdo emetim”, theksoi zëvendësministri i Financave.AnkandetBanka e Shqipërisë dhe Ministria e Financave në bashkëpunim me kompaninë “Reuters”, kanë prezantuar dje projektin e lëvizjes së informacionit që lidhet me zhvillimin e ankandeve të tregut primar për shitjen e letrave me vlerë të qeverisë. Realizimi i këtij projekti minimizon kohën që nga momenti i paraqitjes së kërkesave të bankave për pjesëmarrje në ankand, deri në njoftimin e rezultateve të tij, lojtarëve të tregut. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani ka prezantuar dje të gjitha fazat në të cilat kalon procesi i zhvillimit të ankandit. Faza e parë ka të bëjë me marrjen e kërkesave nga bankat në rrugë elektronike. Kjo formë e lëvizjes së informacionit mënjanon regjistrimin manual të kërkesave, shkurton kohën për regjistrimin e tyre, rrit sigurinë dhe saktësinë e regjistrimeve, duke siguruar në fund të këtij procesi zvogëlimin e rrezikut operacional si dhe kohën e nevojshme për përpunimin e këtij informacioni. Gjatë fazës së dytë Ministria e Financave, pas përpunimit paraprak të informacionit të dërguar nga pjesëmarrësit në tregun primar, ka mundësi që ta sigurojë këtë informacion gjithashtu, në formë elektronike. Ndërsa në fazën e tretë Ministria e Financave, pas marrjes së vendimit prej saj, ka gjithashtu mundësi që ta transmetojë këtë vendim po në formë elektronike, duke kontribuar më tej në zvogëlimin e kohës për informimin e tregut lidhur me rezultatin e ankandit. “I gjithë ky proces i përshkruar në tre fazat e mësipërme në kushtet aktuale kërkonte rreth 5-6 orë, ndërsa me zbatimin e këtij projekti synohet që kjo kohë të shkurtohet deri në 1 orë”, tha Fullani. Në fazën e fundit Banka e Shqipërisë, nëpërmjet REUTERS e shpërndan këtë rezultat në bankat e nivelit të dytë, që janë për momentin bërësit kryesorë të këtij tregu.Bono thesari 7-vjeçarePër herë të parë në dhjetor të vitit të kaluar qeveria shqiptare ka arritur t’i shesë institucioneve financiare ndërkombëtare një obligacion shtatëvjeçar të nominuar në lekë. Një ndër blerësit më të mëdhenj të këtij borxhi ishte “Deutsche Bank”. “Kjo nënkupton se borxhi publik i emetuar në lekë tashmë është i tregtueshëm në tregjet ndërkombëtare” ka thënë kreu i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani. Në deklaratën e tij ai ka theksuar se kjo konfidencë duhet rritur më tej në 2008, 2009 dhe në vazhdim.