Pesë poliklinika në rikonstruksion
• Nisin punimet për rikonstruksionin e Poliklinikës Qendrore dhe Poliklinikës nr.3 në Tiranë.Ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka dhe ambasadori italian në Shqipëri, Saba d’Elia, inauguruan dje fillimin e punimeve në këto poliklinika. Rehabilitimi i plotë i këtyre strukturave financohet përmes një kredie ndihme me vlerë 780 mijë euro nga Cooperacione Italiano i Ministrisë italiane të Punëve të Jashtme, në favor të Ministrisë tonë të Shëndetësisë. “Kjo iniciativë që kontribuon në forcimin e efeciencës dhe funksionalitetit të strukturave shëndetësore, vlen edhe për tre poliklinika në Korçë, Gjirokastër dhe Peshkopi, rikonstruksioni i të cilave do të kushtojë 5 milionë euro”, tha ministri Ndoka. Sipas tij, përmirësimi i vazhdueshëm i cilësisë së shërbimeve shëndetësore në përgjithësi dhe në veçanti ai i specializuar, përbën sfidën me të cilën përballet sistemi ynë shëndetësor. Me anë të rikonstruksionit të qendrave kryesore shëndetësore, do të ndërhyhet me punime për rehabilitimin fizik dhe impiante, me synim përfitimin kështu të ambienteve funksionale higjenikisht të përshtatshme në përputhje me normat e sigurisë për pacientët dhe punonjësit. Nga ana tjetër, sipas Ndokës, dikasteri që ai drejton do të vijojë të mbështesë reformat në kujdesin shëndetësor parësor. “Kjo mbështetje do të konsistojë në perfeksionimin e menaxhimit, informatizimin, futjen e konceptit të kostos për çdo shërbim, për të sjellë një rritje të kontrollit dhe cilësisë së shërbimeve si dhe zgjerimit të gamës së ndërhyrjeve që akoma nuk realizohen në poliklinikat e specialiteteve”, tha ministri.