James Blunt publikoi një film dokumentar për Kosovën

Përjetimet e tij gjatë luftës në Kosovë, si dhe në vizitën që i bëri më vonë pasi fitoi famë si këngëtar, James Blunt i ka shndërruar në një film dokumentar, i publikuar këto ditë në Youtube. Aty James përshkruan përjetimet e tij, shfaq xhirime të pa emetuara më parë dhe vizitën që ka bërë në zonat ku ka qëndruar gjatë kohës së luftës si ushtar i forcave britanike në kuadër të KFOR-it. Dokumentari i realizuar nga Atlantic Records është një lobim i mirë për Kosovën pasi përshkruhen momentet që prej krimeve të Serbisë, momentin e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, thjeshtësinë me të cilën shfaqet këngëtari i njohur, James Blunt. Në çdo takim nëpër fshatrat kosovare, këngëtari prezantohet si James e as kosovarët nuk e njohin. Pastaj përshkruan koncertin e tij para ushtarëve të KFOR-it, përderisa në dokumentarin katër pjesësh ai tërë kohën është i shoqëruar me një muzikë tradicionale kosovare, transmeton Indeksonline. Në një moment, në rrugët e Prishtinës, James u shpjegon shoqëruesve të tyre për flamurin kuq e zi, dhe thotë se është i shqiptarëve të Kosovës.