E Shtunë, 31 Tetor 2026

Takimi i aleatëve Rama dhe Ngjela debatojnë për datën e protestave

Autori i Lajmit: Suela TopiAleatët e kërkojnë kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama mos pranojë zvarritjen e negociatave në të kundërt ata duhet tu rikthehen protestave. Rama pas takimit me kryeministrin Sali Berisha në tryezën e thirrur nga Presidenti, Bamir Topi ka informuar aleatët e tij për zhvillimet e saj. Në takimin e zhvilluar paraditen e djeshme mësohet se aleatët kanë mbështetur qëndrimin e kryesocialistit të shprehur në tryezën e Topit për hapjen e kutive të votimit por nuk kanë qenë aq të kënaqur për zvarritjen e negociatave. Më radikali në qëndrime duket se ka qenë kreu i Partisë Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela i cili ka kërkuar që në takimin e djeshëm të caktohej dhe data e protestave në rast se dështonin negociatat. Por kryesocialisti nuk e ka pranuar këtë gjë duke deklaruar se fillimisht duhet të prisnin zhvillimet e negociatave me mazhorancën. Pas tryezës, Ngjela ka konfirmuar këtë diskutim ndërkohë që Paskal Milo ka pohuar se tashmë gjithçka mbetet në dorë të Presidentit, Bamir Topi. Kreu i G99, Erjon Veliaj nga ana tjetër ka pohuar se nuk duhet të zvarriten negociatat dhe për pasojë dhe kriza politike.
Diskutimet në tryezë
“Unë nuk ndava mendim të njëjtë me Ramën për caktimin e një date për nisjen e protestave të opozitës, pasi Rama kërkoi që tryeza e opozitës të mblidhet përsëri në një kohë tjetër nëse negociatat me mazhorancën iniciuar nga Presidenti nuk do të kenë rezultat”, - tha Ngjela pas informimit nga kryesocialisti lidhur me bisedën e tij me Berishën në tryezën e iniciuar nga Presidenti Topi. Megjithatë Ngjela e konsideroi tryezën e organizuar nga Kreu i Shtetit si një progres, ndërsa ka deklaruar se mbështet qëndrimin e Ramës në të. Ngjela theksoi se takimet nuk kanë pse të vazhdojnë në nivel ekspertësh siç kërkoi Berisha, por theksuan se tryeza e ardhshme të jetë në nivel kryetarësh, si ajo e së shtunës shtruar nga Topi. “Nuk ka bisedime në nivel ekspertësh pasi palët janë takuar në tryezë, tryeza është mes dy kryetarësh dhe nuk ka pse të takohen në nivel ekspertësh. Të dy do bisedojnë për çështjen e krizës, çështje që ose do të zgjidhet me tryezë ose populli do të drejtën kushtetuese dhe do zgjedhë. Theksojmë se jemi për transparencë përfundimtare dhe të thellë të zgjedhjeve të 28 qershorit”, - tha ai. I drejtpërdrejtë në qëndrim ka qenë Paskal Milo, kreu i Partia Demokracia Sociale. “Nuk ka bisedë të drejtpërdrejt ditët e ardhshme midis dy liderëve. Por tashmë ‘topi’ është në zyrën e Topit. Unë gjej rastin ti bëj thirrje Presidentit të respektojë të drejtën kushtetuese për hapjen e kutive. Kjo nuk do të jetë një favor që dikush mund ta interpretojë se presidenti po i bën opozitës”,- tha Paskal Milo. Ai shprehu bindjen se “Presidenti i Republikës do të jetë në lartësinë e detyrës që i takon dhe të respektojë opozitën dhe të drejtën e saj kushtetuese. Presidenti do të jetë garant për tu mbledhur në tryezë tjetër dhe me verdiktin e tij do të respektojë të drejtën e opozitës dhe mbi të gjitha të ardhmen e Shqipërisë në BE”. Edhe kryetari i G99, Erjon Veliaj theksoi se “tani i takon Presidentit të vendosë. Sot Presidenti ka barrën më të madhe të vendosë drejtësi”. Sa i përket tryezës së të shtunës Veliaj vuri në dukej se tryeza ishte në kohën e duhur dhe produktive deri diku. “Ishte koha që ti thoshin në sy Berishës që jo vetëm është burrë i pabesë, por edhe i padrejtë se shkeli ligjin”, - tha ai. Ndërkohë sipas kreut te PDK-së, Nard Ndoka opozita nuk ka një listë kërkesash, por kërkon transparencën e zgjedhjeve. “Kjo është e drejtë e çdo qytetari për ta pasur një gjë të tillë. U ra dakord që të ketë një datë për protestat në një kohë sa më të shpejtë”, - theksoi Ndoka.

Ky lajm është publikuar: 15/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›