Llogaritë e shoqërive tregtare, Financat prezantojnë projektligjin për kontrollin
Ervin Koçi
Llogaritë e shoqërive tregtare, si dhe ushtrimi i profesionit të ekspertit kontabël, tani do të kontrollohen nëpërmjet një ligji të ri që ekspertët e Ministrisë së Financave e kanë hartuar apostafat. Draftin e projektligjit "Për auditimin ligjor, organizimin profesional të ekspertit kontabël dhe të kontabilistit të miratuar" e ka prezantuar dje ministri i Financave, Rivan Bode, gjatë një takimi me ekspertë të ekonomisë. I pranishëm gjatë prezantimit të këtij projektligji ishte edhe ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli. Sipas ministrit Bode, hartimi i këtij projektligji bëhet në vazhdim të reformave institucionale që po ndjek qeveria në kuadrin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, me qëllim standardizimin e auditit ligjor të llogarive të shoqërive tregtare, por edhe mbi mbikëqyrjen publike të profesioneve të audituesve dhe kontabilistëve. "Këto profesione bëhen akoma më imediate si për kushtet aktuale të ekonomisë botërore, ashtu edhe për shkak të një boshllëku ligjor në të cilin gjendemi pas miratimit të ligjit të ri ‘Për shoqëritë tregtare’”, - u shpreh kreu i Financave publike.
Projektligji
Për hartimin e këtij projektligji janë marrë parasysh rekomandimet dhe standardet e BE-së, si dhe përvoja e deritanishme e organizimit të profesioneve të ekspertëve kontabël e kontabilistëve të miratuar. "Hartimi korrekt dhe publikimi i pasqyrave financiare të kompanive është në radhë të parë në interes të vetë drejtuesve e pronarëve të tyre për marrjen e vendimeve të drejta për zhvillimin e kompanisë për mënyrën e investimit të burimeve, për politikat kredimarrëse si dhe orientimet në treg", - nënvizoi Bode. Pasqyrat financiare transparente e të standardizuara janë të domosdoshme edhe për interesa të tjera publike, si për mbrojtjen e kreditorëve, për uljen e informalitetit në ekonomi, për shmangien e evazionit fiskal ashtu edhe për krijimin e kushteve për një konkurrencë të ndershme. Ndërsa për ministrin e Ekonomisë, Genc Ruli, forcimi i mbikëqyrjes publike si në fazën e përgatitjes e certifikimit të ekspertëve kontabël e të kontabilistëve të miratuar, ashtu edhe gjatë ushtrimit të profesionit, përbën edhe aspektin kryesor të projektligjit. "Për këtë qëllim është parashikuar një mbikëqyrje e rreptë për sigurinë e cilësinë e auditimeve si nga Bordi i Mbikëqyrjes, ashtu edhe nga vetë organizata profesionale, me qëllim shmangien e auditimeve formale", - theksoi Ruli.
Kriza financiare
Në prezantimin e projektligjit, ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, tha duke iu referuar krizës globale ekonomike se arsyeja se pse kjo krizë nuk u paralajmërua është sepse sinjalet e transaksioneve në tregje nuk funksionuan. "Kjo krizë është ndier në kompanitë më të mëdha të botës, të cilat kishin vulat dhe certifikimin e kompanive më të mëdha të auditimit, por fakti se sinjalet e transaksioneve të tregjeve nuk funksionuan, bënë që kriza të ishte edhe më e madhe", - tha ministri Ruli. Sipas tij: "Fakti që ne jemi një ekonomi e vogël dhe jo shumë e hapur ka bërë që kjo krizë të mos ketë fenomene të tilla". Duke e cilësuar projektligjin si një "hap cilësor", ministri Ruli tha: "Ky ligj ka për qëllim përmirësimin dhe forcimin e mbikëqyrjes publike të profesionit të ekspertit kontabël të autorizuar si dhe rregullimin e profesionit të kontabilistit të miratuar. Ai parashikon dispozitat që rregullojnë auditimin ligjor të pasqyrave financiare vjetore individuale dhe të konsoliduara, organizimin e profesionit të ekspertit kontabël, të shoqërive të auditimit, si dhe profesionin e kontabilistit të miratuar si dhe rregullimin e organizatave profesionale në fushën e kontabilitetit".
10 Dhjetor 2008