E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Janë prodhuar 150 mijë pasaporta biometrike"

Zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, theksoi se vendi ynë do të kërkojë që të përfshihet në grupin e shteteve që do të përfitojnë nga liberalizimi i vizave. Vendimi i palës shqiptare është marrë pas përfundimit të mbledhjes së ministrave të Brendshëm të Europës Juglindore, ku Shqipëria ka marrë edhe detyrat e radhës, që do ta ndihmojnë atë të shkojë drejt rrugës së liberalizimit final të vizave. "Deri në fund të gushtit kanë aplikuar për pasaporta biometrike mbi 170 mijë shtetas, ku mbi 150 mijë prej të cilëve janë prodhuar. Kjo na lejoi të kërkonim që Shqipëria, pavarësisht mbledhjes së Komisionit Europian të qershorit, pse jo të trajtohet në bllok dhe të ketë një zgjidhje të përbashkët për gjithë rajonin", u shpreh Poni. Ai vuri në dukje edhe mbështetjen dhe suportin që në konferencë ministri Maroni dha për Shqipërinë dhe për vlerësimet maksimale për ecurinë e deritanishme për procesin, si dhe interesin e veçantë të Italisë që Shqipëria ta përfitojë këtë së bashku me shtetet e tjera. Zv/ministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, sqaroi se janë shpërndarë deri më sot 150 mijë pasaporta biometrike. Deri në fund të muajit gusht, zyrat e aplikimit të pasaportave kanë shpërndarë një numër të lartë dokumentesh, për shkak se ato kanë qenë të hapura me orare të tejzgjatura. Vetëm në muajin gusht, sipas përllogaritjeve, mësohet të jenë shpërndarë rreth 100 mijë pasaporta biometrike. Poni theksoi se deri në fund të gushtit aplikuan për pasaportë biometrike 170 mijë shtetas, ndërsa 150 mijë prej tyre u pajisën me dokumentin më të sigurt. Takimi i ministrave të Brendshëm të vendeve të rajonit, me një rezolutë pranoi edhe Kosovën në takimet vjetore që zhvillohen. Procesi i liberalizimit të vizave për vendet e Ballkanit mund të jetë një pikë kthese për të luftuar emigracionin e paligjshëm dhe Italia është e gatshme të bëjë pjesën e saj. Kështu u shpreh një ditë më parë ministri italian i Punëve të Brendshme, Roberto Maroni, në Brdo të Sllovenisë. "Liberalizimi është një proces që filloi gjashtë vjet më parë. Tani për tani, Maqedonia është në gjendje të mirë, Mali i Zi dhe Serbia gjithashtu, por Shqipëria dhe Bosnja kanë ende shumë hapa për të bërë", tha Maroni. Ministri italian njoftoi se Italia është në dispozicion për të monitoruar Shqipërinë në mënyrë që tashmë, nga janari i vitit 2010, të mund të përshtatet me rregullat që kërkohen për liberalizimin e vizave. Në vlerësimin e Maronit, liberalizimi i regjimit të vizave mund të ketë ndikim në luftën ndaj emigracionit të paligjshëm, çka përkthehet në më shumë siguri dhe përshtatje me standardet e vendeve europiane.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›