E Diel, 1 Nëntor 2026

Letra për minat me sahat i shkoi ministrit Nishani

Letra anonime për dy mina me sahat në Gërdec ka shkuar në adresën e ministrit Bujar Nishani, që me datë 25 mars të vitit 2008. Në letër janë deklaruar edhe dy emra personash të dyshuar, por asnjëherë nuk është vërtetuar nëse këto informacione ishin të vërteta. Sipas informacioneve nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, një letër anonime ka shkuar në adresën e ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani, i cili menjëherë ka njoftuar kreun e policisë, Ahmet Prençi. Ky i fundit ka marrë letrën dhe grupi hetimor ka përpiluar një informacion duke e dërguar në prokurori. Burimet policore tregojnë se në letër citohet se mëngjesin e datës 15.03.2008, në fabrikën e Gërdecit, në mesin e predhave janë vendosur dy mina me sahat. "Personat që kanë dijeni për minat e tragjedisë janë shtetasit E. K. dhe A. K., përkatësisht vëllai dhe djali i shtetasit N. K....", thuhet në letrën anonime, ku përmenden emrat e plotë të tre personave. Më tej, citohet se; "....Pasi vunë minat, E. K. ka marrë rrugën drejt Elbasanit, ndërsa A. K. drejt Shkodrës...". Veç këtyre pjesëve, në letër përmenden edhe detaje të tjera hetimore. Policia, menjëherë përgatiti një shkresë dhe e dërgoi në prokurori. Pikërisht me shkresën me numër protokolli 2244, datë 25 mars 2008, policia kërkon në prokurori se megjithëse informacioni është anonim dhe i pakonfirmuar, të verifikohen numrat e telefonave dhe materialet e këtyre dy shtetasve për datat 14 dhe 15 mars 2008, si dhe zonat, ku ata kanë folur e me cilët numra kanë komunikuar. "Duke ju falënderuar për bashkëpunimin, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Kryekomisar Ahmet Prençi", deklarohet në fund të shkresës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›