PS: Pazari dhe koalicioni Berisha-Meta ishte i paracaktuar
Partia Socialiste insistoi dje në faktin se koalicioni Berisha-Meta ishte i paracaktuar, pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve. Selia rozë reagoi pas deklaratave të Kryeministrit Berisha dy ditë më parë, i cili u shpreh se kryetari i kësaj partie, Edi Rama, i kërkoi që të krijonin një qeveri ku të lirohej jashtë saj Lëvizja Socialiste për Integrim. Një deklaratë kjo për të cilën dy liderët kanë replikuar në distancë edhe më parë. Përmes deputetes së sapozgjedhur, Olta Xhaçka, PS thekoi se koalicioni që krijoi ishte i paracaktuar, në një marrëveshje që ishte bërë para zgjedhjes mes Ilir Metës dhe Sali Berishës. "Kryeministri i Gërdecit nuk pushoi së i gënjyeri dje shqiptarët, duke arritur të thotë se ka pasur ofertë nga Edi Rama për të bërë një qeveri pa Ilir Metën, por sot të gjithë shqiptarët e kanë kuptuar se pazari i tij me Ilir Metën për mashtrimin e një pjese të popullit opozitar është bërë përpara 28 qershorit", tha deputetja Xhaçka. Sipas opozitarëve, Sali Berisha e uli në prehër Ilir Metën në këmbim të mashtrimit publik që LSI-ja u bëri 83 mijë shqiptarëve, po nuk mund ta ulë dot kurrë në gjunjë Partinë Socialiste dhe nuk mund ta mbajë dot kurrsesi në këmbë qeverinë e dytë të Gërdecit, duke mbajtur në errësirë të vërtetën e kutive të krimit elektoral të 28 qershorit. PS përforcoi qëndrimin e saj për plotësimin e kushteve, në mënyrë që të rikthehet në Parlament. Sipas kësaj partie, indiferenca karshi këtyre kërkesave nuk e shpëton dot qeverinë nga përgjegjësia që ajo ka për zgjedhjet. "Sali Berisha duhet të kuptojë se as gënjeshtrat e njëpasnjëshme dhe as indiferenca teatrale ndaj kërkesave të opozitës për hapjen e kutive të 28 qershorit nuk e shpëtojnë dot atë dhe qeverinë e dytë të Gërdecit nga përballja me të vërtetën që fshihet në ato kuti të marra peng në shkelje të ligjit e të së drejtës sonë të pamohueshme", vijoi Xhaçka. Ajo sqaroi se të gjithë shqiptarët e kanë kuptuar se pas krimit shtetëror të Gërdecit nuk qëndron thjesht Fatmir Mediu, po vetë Sali Berisha, i cili kërkon ta kthejë Shqipërinë në një feud ku zgjedhjet grabiten, ku populli gënjehet e mashtrohet përditë dhe ku qeveris një oborr feudal të korruptuarish, të pandehurish e të kërkuarish nga populli për mashtrim publik. "Hapja e kutive është sot një e drejtë e pamohueshme e çdo pale, jo vetëm në botën demokratike, por dhe në Afganistanin e largët, prandaj Sali Berisha duhet të reflektojë përpara se të jetë vonë", theksoi Xhaçka. Dy ditë më parë, PS shprehu rezerva të mëdha në lidhje me krijimin e qeverisë Berisha. Deputeti socialist, Ditmir Bushati, u shpreh se kjo është qeveria e punëve të këqija, ndërsa në qeveri janë dy ministra të kërkuar nga drejtësia. "Sali Berisha pagëzoi qeverinë e vazhdimësisë së punëve të këqija, që strehon dy të kërkuar nga drejtësia dhe tre të kërkuar nga populli opozitar", tha Bushati.