“Janë siguruar financimet për Boshtin e Jugut, gati nisja e punimeve”

“Shqipëria po Ndryshon”, Berisha në Berat/Kryeministri inauguron fillimin e punimeve për rrjetin e ujësjellësit Kuçovë – Berat. Investimi furnizon me ujë pa ndërprerje mbi 120 mijë banorë
Në vijim të turit “Shqipëria po Ndryshon” Kryeministri i vendit Sali Berisha ka inauguruar dje në Berat fillimin e punimeve për rrjetin e ujësjellësit Berat-Kuçovë.
I shoqëruar nga Ministrat Genc Pollo dhe Sokol Olldashi shefi i qeverisë preu shiritin e fillimit të punimeve për ujësjellësin e qytetit të Kuçovës cili që do të mundësojë furnizimin me ujë të pijshëm për 120 mijë banorët e qytetit.
Investimi prej 4.6 milion euro nga Banka Gjermane KfW do të mundësojë shtrirjen e rrjetit prej 12.5 km nga Berati drejt Kuçovës.
Kryeministri Berisha u shpreh para qytetarëve se ky është një investim i rëndësishëm i qeverisë gjermane që do të bëjë të mundur furnizimin pa ndërprerje me ujë të pijshëm të mbi 120 mijë banorëve.
“Jam sot me ju për të ndarë gëzimin e fillimit të punimeve të projektit më jetik për qytetarët e Kuçovës. Investimi i bankës gjermane KfW, qeverisë Gjermane, taksa paguesve gjermanë dhe qeverisë shqiptare do të mundësojë lidhjen e ujësjellësit të Beratit me Kuçovës, do të furnizojë me ujë të pijshëm të një cilësie të lartë banorët e Beratit. Unë dua të falënderoj qeverinë gjermane për ndihmën e rreth 1 miliard euro që ka dhënë për vendin tonë në gjithë këto vite”, tha kryeministri Berisha.
Kreu i ekzekutivit shtoi se Gjermania është një partnere e besueshme e Shqipërisë, pasi qeveria e këtij vendi ka investuar nga Alpet deri në jugun e vendit duke plotësuar projektet më jetike si investimet në ujë, energji elektrike, infrastrukturë etj,.
“Gjej rastin të falënderoj kancelaren gjermane Angela Merkel pas që takimit tonë në Berlin mbajti premtimin për dyfishimin e mbështetjes financiare që do t’i jepte Shqipërisë. Ky premtim i domosdoshëm do ti bëjë qytet tona që të marrin fytyrën e qyteteve dhe komunave evropiane”, vuri në dukje kryeministri Berisha.
Shefi i qeverisë gjithashtu theksoi se në këto pesë vite qeveria ka 10-fishuar investimet në qytetin e Beratit dhe janë bërë investime në 38 rrugë, 11 ujësjellës, 18 qendra shëndetësore. “Kam kënaqësinë të shpreh dhe deklaroj këtu se këto 5 vite, investimet në qarkun e Beratit janë dhjetëfishuar, krahasuar me 5 vite më parë. Janë investuar në ujësjellës, shkolla, qendra shëndetësore. Janë ndërtuar rreth 38 rrugë në mbarë qarkun, 11 ujësjellës dhe sisteme të kanalizimeve në fshatrat dhe zonat e tij, 25 shkolla, 18 qendra shëndetësore, u ndërtua hyrja e Beratit, një nga hyrjet më moderne, ura e Gorricës dhe një seri veprash të tjera të rëndësishme”, deklaroi Berisha.
Shefi i ekzekutivit garantoi gjithashtu se është gati projekti për ndërtimin e Boshtit të Jugut. Sipas kryeministrit janë siguruar plotësisht financimet dhe se tani nuk mbetet gjë tjetër veçse zbatimi i projektit.
“Unë dua t’ju garantoj se Boshti i Jugut mbetet projekti më madhor i këtij mandati. Projekti ka përfunduar tërësisht, është në vlerësim dhe financimet për këtë projekt janë të garantuara. Ju premtoj ju se qeveria do të mbështes me investime këtë qytet, i cili prezanton vendin kudo në botë”, deklaroi më tej kryeministri Berisha.
Kryeministri garantoi drejtuesit vendorë se qeveria do rrisë investimet, duke nisur nga modernizimi i infrastrukturës, e cila do të afrojë gjithnjë e më shumë Beratin me Tiranën. Sipas kryeministrit Berati ka një trashëgimi kulturore mahnitëse dhe për këtë nevojitet një përqëndrim maksimal.
“Ju garantoj se qeveria do të bëjë në këtë qytet të gjitha investimet, do të rindërtojë të gjitha rrugët që të sjellin në Berat si nga Tirana, ashtu edhe nga jugu i vendit. Ne do të bëjmë çdo gjë për ujë 24 orë, për të gjitha mjediset e nevojshme, sikundër gjithçka tjetër është në dorën tuaj. Unë kam bindjen më të thellë se ju do të jeni në lartësinë e vlerave të mëdha qytetare, që ky qytet i mrekullueshëm ka”, tha Berisha.
Kryeministri shoqërohej në vizitën e tij në qytetin e Beratit dhe nga ambasadori gjerman në vendin tonë, Bernd Borchardt.
Qeveria e PD-së 10 herë më shumë investime
në Qarkun e Beratit se 8 vitet e socialistëve
Partia Demokratike në total ka investuar 7.6 miliard lekë ose mbi 10 herë më shumë se PS ndërsa socialistët kanë investuar 746 milion lekë, në 8 vite qeverisje.
Në rrugë, ujësjellës, shkolla e qendra shëndetësore, PD ka investuar 2.9 miliard ose 15 herë më shumë se PS me 190 milion lekë. PD ka ndërtuar: 38 Rrugë, 11 Ujësjellësa e KUZ, 25 Shkolla, 18 Qendra shëndetësore dhe ambulanca.
Në pasuritë monumentale PD kontribuoi në përfshirjen e Beratit në UNESKO.
PD ka restauruar 45 objekte muzeale me një vlerë 97 milion lekë. Në rrugët kombëtare Partia Demokratike ka investuar 920 milion lekë. Boshti Jugut do të përgjysmojë distancën Berat – Tiranë në 73 km dhe do të shkurtoje kohën në 1 orë ose 3 herë më pak se rruga ekzistuese. Në Bujqësi PD ka subvencionuar 18.5 herë më shumë se PS. PD i ka dhënë fermerëve beratas 352 milion lekë subvencione ndërsa socialistët 19 milion lekë . PD ka investuar në vaditje e kanaleve kulluese 245 milion lekë ndërsa PS 178 milion lekë
Në Sistemin e Energjisë Elektrike PD ka investuar 7 herë më shumë ose 24.3 milion euro ndërsa socialistët 3.5 milion euro.
Kryetari bashkisë së Beratit Fadil Nasufi
“Falënderoj qeverinë ‘Berisha’ për këtë projekt të rëndësishëm”
Kryebashkiaku i Beratit, Fadil Nasufi, i cili vjen nga radhët e të zgjedhurve të Partisë Socialiste, vlerësoi dje punën e qeverisë për shtrirjen e rrjetit të ujësjellësit në Qarkun Berat. Larg bindjeve politike dhe qëndrimit zyrtar të PS-së, Nasufi me përgjegjshmëri të plotë dhe rolin e një të zgjedhuri nga komuniteti, për të zgjidhur problemet e tyre, e konsideroi këtë si projekt jetik për të gjithë qytetarët, pasi siç u
shpreh ai, merr fund njëherë e përgjithmonë mungesa e ujit të pijshëm.
“Dua të falënderoi qeverinë dhe Kryeministrin për angazhimin në jetësimin dhe implementimin e të gjitha detyrimeve ligjore, financiare dhe administrative në këtë projekt madhor”, u shpreh kryetari i bashkisë Berat, Fadil Nasufi.
Ai vuri në dukje se ky projekt aq shumë i dëshiruar, aq shumë i premtuar dhe i vlerësuar si projekt madhor i pushtetit vendor dhe qeverisë, po bëhet realitet falë qeverisë gjermane, nëpërmjet akordimit të kredisë nga banka KfW.
“Me këtë rast, si kryetar i bashkisë së Beratit dhe kryetar i Asamblesë së Ujësjellës – Kanalizmeve sh. a., Berat – Kuçovë, më lejoni të shpreh mirënjohjen dhe urimet e mia të përzemërta për shtetin dhe qeverinë gjermane që është mbështetësi kryesor i projekteve në Shqipëri dhe që po bëhet prezent në Berat me këtë investim”, deklaroi më tej ai.
Ky është një mesazh i qartë për të gjithë të zgjedhurit vendorë të Partisë Socialiste, për të lënë mënjanë tekat e liderit që jeton në Tiranë dhe të përqendrohen te hallet dhe problemet jo të pakta të komunitetit në rrethe. Investimet e qeverisë dhe angazhimi personal i lidershipit Berisha, ka bërë që të gjithë qytetarët në vend të pajtohen në një pikë, se për të prekur dimensione të reja zhvillimi i duhet hapur rrugë politikës së modernizimit dhe standardizimit të vendit. është plotësisht e qartë se hap pas hapi socialistët e thjeshtë dhe të zgjedhurit lokalë të opozitës, po braktisin politikën kasnece të Edi Ramës dhe se shembulli i Fadil Nasufit, duhet të jetë pikë referimi dhe për shumë të tjerë.