E Hënë, 2 Nëntor 2026

Jani Duri, Qeshim me aktorin, jo me politikanin

06/02/2005  Skenaristi Jani Duri së bashku me mikun e tij të vjetër, Vangjel Kozma, kanë dukjen e qetë, pasi humori i tyre shkon për shtat me skenën e “Portokalli"-së. Çasti është ai që vendos mbi gjithçka të shkruar mbi letrën e skenarit.

Cila është natyra e humorit të shkruar në “Portokalli” në këtë edicion?

Teksti i shkruar i humorit në “Portokalli” ka atë natyrë që ka patur, nuk ka ndryshuar. Kanë ndryshuar karakteret. Përveç aktorëve të rinj dhe ata që kanë qenë në spektakël, rivijnë tani me role të reja, për të cilët kemi punuar vetë dhe të gjithë, kjo është një rezultat i punës në grup. Japim e marrim nga njëri-tjetrin.

Ju bashkëpunoni me skenaristin tjetër, Vangjel Kozma, miqësi e vjetër. Si bashkëpunoni tani me këtë strukturë të re humori?

Ne kemi një gjë krejt të ndryshme, ku më shumë improvizojmë. Nuk nisemi nga një ide e veçantë, por provojmë të shkruajmë, vëmë përpara një tufë me letra dhe fillojmë të improvizojmë në çast. Madje, shpeshherë puna është aq e shpejtë, se ta sugjerojnë ritmin që është shumë i lartë. Shfaqje pas shfaqje, çdo javë nuk ke kohë të mendohesh. Ndaj shpeshherë tekstet tona nuk janë racionalë, më shumë kur shkruajmë nisemi nga figurat, ato flasin vetë. Këto ide i rrahim mjaft së bashku, saqë ndodh që i harrojmë më pas se e kujt ishte ideja fillestare. Por ne propozojmë disa tekste, kur na pëlqen dhe i përshtatet vetë aktorit shkon mirë.

Tendenca e “Portokalli"-së është kabareja. Çfarë ka qenë për ju hyrja në këtë zhanër të ri humori?

Kjo, ç’është e vërteta, nuk u nis kështu, të paktën unë me Agron Llakajn kur menduam të bënim një spektakël, nuk e kishim idenë se do ta bënim pikërisht në këtë televizion. Thjesht kërkonim ta realizonim në një televizion. Ideja nuk ishte e kësaj natyre, të kabaresë. Kjo u sugjerua më shumë nga regjisori Altin Basha, pak kohë më vonë kur ne filluam të punojmë këtu. Me pak fjalë, kjo punë evoluoi dhe mori formë duke u vetëverifikuar vazhdimisht në skenë. Kemi parë reagimin e publikut dhe mund themi se ishte një fat i madh të kemi një publik prej 100 vetësh në sallë, sepse e kupton se çfarë shijesh ka ai. Në fund të fundit, një televizion komercial, siç është ky, do të prodhojë dashur pa dashur mall për treg, sado e rëndomtë të duket kjo shprehje, duhej një spektakël i pëlqyer nga publiku, sepse do t’i shërbesh atij. Këto ndikuan që ne t’u përshtatemi shijeve të tij, por jo të biem në nivelin e çdo lloj publiku.

Kryesisht, ne kemi këmbëngulur të shkëputemi nga tradita e vjetëruar e humorit shqiptar, atij humori që nisej nga ide të caktuara politike. Kemi bërë një humor më të çlirët, pa anësi, pa dashur të denigrojmë një klasë të caktuar shoqërore, politikanë, ne thjesht kemi bërë shaka. Dhe kur atakohemi me figura të politikanëve, duhet të qeshim, se ndodh një gjë kur qeshet me një politikan nuk qeshet me atë, por me aktorin që luan aq mirë figurën e tij. Këtë mesa duket shoqëria jonë ka arritur në një lloj emancipimi për ta kuptuar këtë ndryshim.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›