E Hënë, 2 Nëntor 2026

Pallatet "Agimi", digjen gjithë pajisjet elektrike

06/02/2005  Vidhet kablli i kabinës elektrike të zonës, duke shkatërruar gjithçka elektrike në dyqane, biznese e shtëpi

Në zonën e pallateve “Agimi” ka ndodhur një fenomen e pazakontë. Tensioni i lartë ka shkaktuar djegien e shumë pajisjeve të kësaj zone, në vila, apartamente dhe dyqane. Një vjedhje e çuditshme dhe shumë persona janë të detyruar të blejnë dhe njëherë nga e para orenditë elektriko-shtëpiake. Familjeve iu janë shkaktuar dëme të mëdha që kapin shifra marramendëse. “Unë punoj një jetë të tërë dhe mezi arrij të blej një frigofier, se dhe çmimet nuk janë shumë të arsyeshme për buxhetin tonë dhe nga një pakujdesi e vogël e punonjësve të elektrikut, jam e detyruar t’i blej edhe njëherë nga e para të gjitha pajisjet elektroshtëpiake”, shprehet e shqetësuar një banore e kësaj zone. Jo vetëm banorët, por dhe shumë lokale dhe dyqane, që zhvillojnë biznesin e tyre në këtë zonë, janë bërë me dhembje koke. Shumë prej pajisjeve janë djegur dhe të indinjuar nuk arrijnë dot të flasin. Në njërën prej shtëpive është shkaktuar një dëm prej 10 milionë lekësh, duke mbledhur shumën e të gjitha pajisjeve të shtëpisë, si frigorifer, lavatriçe, televizor, kondicioner. Por jo vetëm kaq. Prishja e gjeneratorëve dhe pajisjet elektrike të personave që zhvillojnë biznesin në këtë zonë, si parukeri, lokale, dyqane shkon afërsisht në shumën 5000 dollarë. Banorët nuk dinë se ku të drejtohen dhe kujt t’i ankohen dhe në çfarë vendi të drejtohen. KESH kufizon energjinë elektrike, por "hajduti i vogël" shkakton edhe katastrofa. Jo të gjithë kanë mundësi të zëvendësojnë edhe njëherë nga e para orenditë e shkatërruara. Kush është përgjegjësi? Asnjë nuk e merr përsipër fajin. Banorët janë të shqetësuar nëse do të mund ta marrin përsipër shkaktarët e kësaj gjëme t’i ndihmojnë të blejnë në një farë mënyre të zëvendësojnë pajisjet, që ju janë djegur në shtëpinë e tyre. Edhe biznesmenët nuk janë më pak të indinjuar. “Më është shkaktuar një dëm shumë i madh në lokalin tim. Kam shpenzuar miliona për të krijuar një biznes. Nuk e mendoja se mund të kishte një fund të tillë. Ça të bëjë tani? Ku të drejtohem?”, shprehet i indinjuar një nga pronarët e lokaleve në këtë zonë. Një shprehje e tillë del nga goja e shumë personave. Shkëndijat elektrike ishte fatale për të gjithë. Nuk dinë si të veprojnë dhe si të flasin. Vetëm presin që dikush të verë dorën në zemër dhe t’i ndihmojë. Jo të gjithë i kanë mundësitë që të blejnë nga e para të gjitha materialet. Shqetësimi i qytetarëve është i madh dhe prekës. Pyetjet janë të shumta dhe shqetësimi është i madh. Banorët që mund të jenë të siguruar në institucionet përkatëse, e kanë më të thjeshtë për të rivendosur në vend atë që është shkatërruar. Por jo të gjithë e kanë këtë mundësi. Pjesa tjetër janë të detyruar të shpenzojnë nga xhepi i tyre, pasi nuk dinë në cilën derë të trokasin, për të kërkuar ndihmë. Për momentin vetëm kanë ngritur sytë nga qielli, me shpresë për ndihmë.

Vidhet kablli i kabinës elektrike

Të gjithë këtë "gjëmë" e ka shkaktuar vjedhja e një prej kabujve. Kablli kryesor i kabinës elektrike në zonën e pallateve “Agimi” është vjedhur në mbrëmje. Ky ishte një prej kabllove kryesor, pasi bënte normalizimin e tensionit në rrjetin shpërndarës. Dje nga momenti kur është vjedhur kablli, rreth orës 18 të pasdites dhe deri në mbrëmje ka patur tension shumë të lartë që ka shkaktuar djegien e gjithë pajisjeve elektrike. Po kështu ka qenë tension i lartë dhe sot paradite deri në orën 12 të mesditës, kur u thirrën elektricistët. Por deri në atë kohë gjithçka e vënë në prizë është djegur, duke u shkatërruar të gjitha pajisjet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›