Janinë, greku kapet me 229 kg drogë Lazarati

Droga e bllokuar në Greqi
JANINE – Rreth 229 kg kanabis sativa është kapur nga Policia e Janinës, në orët mesditës së të enjtes në aksin rrugor Janinë-Agrinjo në zonën e Amfilohijas. Transportuesi i marijuanës ka qenë një 49-vjeçar grek, i cili pranoi se drogën po e çonte në Athinë për ta shitur në tregun vendës. Bashkë me marijuanën është gjetur edhe një sasi prej 2 kg heroine, e cila qëndronte e veçuar krahas 216 pakove të tjera me hashash. Burimet zyrtare policore të Gjirokastrës pranojnë se kishin dijeni për transportin e sasisë së marijuanës nga kufiri i gjelbër, ndërkohë që po punohet për arrestimin e ndihmësve të 49-vjeçarit grek, të cilët mendohet se janë dy të rinj nga Lazarati. Ata dyshohet se e kanë siguruar drogën në fshatin e tyre dhe më pas e kanë transportuar me mjete të tjera deri në kufirin e gjelbër. Burimet zyrtare të Policisë së Gjirokastrës konfirmojnë për gazetën Panorama se janë në ndjekje të dy personave, të cilët kanë ndihmuar 49-vjeçarin grek Apostolos K. të kalonte sasinë narkotike në drejtim të Greqisë. Dy të rinjtë lazaratas kanë marrë në dorë sasinë prej 220 mijë eurosh nga ana e trafikantit grek dhe janë larguar në drejtim të paditur. Droga ka dalë nga fshati në orët e para të mëngjesit të djeshëm dhe mendohet se është transportuar nga një rrugë rurale larg vëmendjes së Policisë së Gjirokastrës dhe më në fund, ka arritur të mbërrijë suksesshëm në kufirin e gjelbër, gati për ta kaluar në territorin helen. Policia e vendit fqinj pranon se veprimet e trafikantëve janë filmuar në largësi, kjo justifikohet edhe me informacionin që e patën prej Policisë së Gjirokastrës, për qarkullimin e një sasie marijuane nga Lazarati në drejtim të Greqisë. Policia e Gjirokastrës është vënë në ndjekje të dy të rinjve lazaratas, të cilët janë dhe furnitorët e hashashit të Apostolos K. Ndërsa sasia e heroinës së gjetur konfirmohet se nuk kishte ardhur nga Shqipëria, por është gjetur rastësisht në togun e pakove të tjera me marijuanë në brendësi të kamionçinës. p.n