Janinë, shqiptarët festojnë festat e Nëntorit
JANINE- Festa e Pavarësisë dhe e Clirimit është festuar edhe në qytetin grek të Janinës. Konsulli i përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë Esheref Shehu organizoi mbrëmë një ceremoni festive me rastin e 96 vjetorit të shpalljes së pavarësisë dhe 64 vjetorit të çlirimit të Shqipërisë.
Në këtë ceremoni ishin të pranishëm autoritete të qeverisjes vendore greke, në zonën e Janinës, emigrantët shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në këtë rajon të Greqisë, si dhe pushtetarë vendorë nga Gjirokastra, Saranda, Tepelena, Përmeti dhe Delvina.
Pas ekzekutimit të Himnit Kombëtar të Republikës së Shqipërisë, Konsulli Shehu, vlerësoi se "festa kombëtare e shpalljes së Pavarësisë është padyshim evenimenti më i madh në historinë e kombit shqiptar dhe në këtë kuptim shënon një kthesë të madhe në hedhjen e themeleve të shtetit të parë të pavarur shqiptar". Të pranishmit u përshëndetën nga grupet polifonike si "Ergjeria", Gurpi i Ali Pashë Tepelena, dhe grupet artistike të emigrantëve shqiptarë, që jetojnë dhe punojnë në veriun e Greqisë.
(s.g/atsh/BalkanWeb)