Janinë, zjarri në banesë shkrumbon emigrantin shqiptar
GREQI/JANINE - Një emigrant shqiptar në Greqi ka humbur jetën i shkrumbuar në zjarrin që kishte ndezur për t’u ngrohur. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Klarites të Janinës, ndërsa mediat greke pohojnë se viktima është 23 vjeçari shqiptar Xhelush Mitat Buraj. Burime të policisë lokale, të cilave u janë referuar mediat vendase pohojnë se trupi i të riut shqiptar u gjet i shkrumbuar në orët e pasdites së djeshme. Por hetimet e kryera në bazë të ekspertizës mjeko-ligjore kanë nxjerrë se ka gjasa që trupi i shqiptarit të jetë djegur që në orët e mesnatës, kur ai kishte ndezur oxhakun për t’u ngrohur pasi në fshatin ku ai jetonte në periferi të Janinës gjatë ditëve të fundit ka pasur ulje nën “0” të temperaturës, duke shënuar në këtë mënyrë një nga netët më të acarta të këtij viti. Policia greke pohon se 23-vjeçari punonte në sektorin e bujqësisë dhe prej shumë kohësh jetonte i vetëm. Pikërisht ky ishte shkaku që zjarrfikësit nuk u arrit të sinjalizoheshin që në momentin që kishte shpërthyer zjarri. Mediat vendase publikuan mbrëmjen e djeshme se zjarrfikësja kishte mbërritur në vendngjarje në orën 15:20 të pasdites, rreth 15 orë me vonesë. Në kohën që kanë mbërritur zjarrfikësit gjithçka ishte shkrumbuar, ku së bashku me djegien totale të banesës u gjend dhe trupi i karbonizuar i shqiptarit. Ekspertiza ka nxjerrë se shtëpia është ndezur ndërsa shqiptari ndodhej në gjumë, ndërsa faktet se banesa ndodhej e izoluar nga fshati si dhe vetmia e banorit të saj, kanë qenë dy shkaqet e fatit tragjik të bujkut shqiptar, i cili kishte vite që ishte vendosur aty për të siguruar jetesën e tij. m.c