Kumbaro, rivendoset arresti
Armand Bajrami
Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda rivendosi dje masën e arrestit ndaj ish-agjentit të SHIK-ut Ilir Kumbaro, i cili “u la i lirë” nga Gjykata e Lartë pak ditë më parë. Vendimi i Krimeve të Rënda u bazua mbi kërkesën e prokurorisë paraqitur dje në seancën e radhës në procesin për zhdukjen e Remzi Hoxhës. Ricaktimi i kësaj masë për ish-agjentin e SHIK-ut, i cili aktualisht është në gjendje të lirë në Angli, u kërkua nga përfaqësuesi i akuzës, prokurori Xhevat Hana. Sipas prokurorit, për shkak të rrezikshmërisë së lartë të veprës për të cilën akuzohet Kumbaro, për shkak të fshehjes së tij për disa vite nga drejtësia, për shkak të identitetit të tij fals dhe rrezikut për t’iu fshehur drejtësisë, çdo masë tjetër sigurimi personal do të ishte e papërshtatshme. Dy javë më parë, Gjykata e Lartë prishi masën e “arrestit më burg” të vitit 2003 ndaj Kumbaros, duke pranuar kërkesën e avokatëve të tij. Ata pretenduan se me pushimin e çështjes në vitin 2004 dhe pas rihapjes së saj, për Kumbaron nuk është rivlerësuar masa e sigurisë. Gjatë shqyrtimit të kërkesës së djeshme të prokurorisë, Kumbaro u përfaqësua nga një avokat i caktuar kryesisht nga gjykata. Ndërkohë që drejtësia angleze pritet të caktojë për pak ditë nëse i pandehuri i dosjes “Remzi Hoxha” tek Krimet e Rënda do të ekstradohet apo jo në Shqipëri.
“ARREST NE BURG”
Në seancën e djeshme në procesin për zhdukjen e Remzi Hoxhës tek Krimet e Rënda, avokatët Ilir Kumbaros paraqitën një kërkesë për shtyrjen e seancës. Por, pasi u vu në dijeni nga përfaqësuesi i akuzës për kërkesën e re të masës së sigurisë, Gjykata caktoi një avokat kryesisht për Kumbaron. Pak orë më vonë, prokurori Xhevat Hana lexoi para togave të zeza argumentet me të cilat mbështet kërkesën për rikthimin e Kumbaros në arrest. Sipas prokurorit, masa arrest me burg është në raport të drejtë me veprën penale për të cilën akuzohet i pandehuri Kumbaro. Bashkangjitur kërkesës, prokurori dorëzoi në gjyq deklarime që ndodhen në dosje, mes të cilave dëshmitë e dhëna nga Avdyl Loshaj dhe Ziso Kristopuli që akuzojnë direkt Kumbaron. Përfaqësuesi i akuzës, paraqiti edhe një raport me procedurën e ndjekur nga autoritetet britanike për arrestimin e Kumbaros, ndërsa ai jetonte në Angli nën identitetin e një shtetasi kosovar. Prokurori, tha se pas rihapjes së dosjes në vitin 2006, Kumbaros iu shtua akuza për rrëmbimin dhe torturimin e Avdyl Loshajt. Sipas akuzës, lënia e ish-agjentit në gjendje të lirë mund të rrezikojë fshehjen përfundimtare ndaj organeve të drejtësisë. “Gjykata për Krimet e Rënda pasi u njoh me provat e paraqitura nga palët vlerëson se janë kushtet e duhura për caktimin e masës ‘arrest me burg’ ndaj të pandehurit Ilir Kumbaro”, deklaroi trupi gjykues në vendim. Avokatët e Kumbaros thanë se do të animojnë masën në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda.