Lirohet Mehmet Ali Agca
Atentatori nga Turqia, i cili në vitin 1981 qëlloi me armë zjarri Papa Gjon Palin II, është liruar sot nga burgu, pas 29 viteve të kaluara prapa grilave.
Mehmet Ali agca përshëndeti gazetarët, në momentin kur u largua nga burgu. Ai u dërgua në një spital ushtarak, ku ishte paraparë t’i nënshtrohej kontrollit, për të konstatuar se a është ai i aftë që të kryej shërbimin e detyrueshëm ushtarak.
Në një raport në vitin 2006, të lëshuar nga një spital ushtarak, u theksua se ai nuk është i aftë për shërbim ushtarak, për shkak të çrregullimeve mendore.
Në një kumtesë të publikuar dje, e cila në emër të Agcas u përcoll nga avokati i tij, ai theksoi:”Kumtoi fundin e botës. E tërë bota do të shkatërrohet në këtë shekull. I gjithë njerëzimi do të vdes në këtë shekull”.
Agca ka qëlluar Papa Gjon Palin më 13 maj të vitit 1981. Papa u qëlluan në bark, dorën e djathtë dhe të majtë, por plumbat nuk qëlluan organet e tij vitale.
Papa u takua me Agcan në burg në vitin 1983, me ç’rast e fali atë për shkak të atentatit kundër tij. Motivet e tij për këtë sulm mbesin të paqarta. Pas arrestimit të tij menjëherë pas sulmit, Agca kishte theksuar se kishte vepruar vetëm.
Më vonë, ai ka sugjeruar se prapa sulmit kanë qëndruar Bullgaria dhe KGB-ja, por më pas e tërhoqi këtë deklaratë. Deklaratat e tij kundërthënëse kanë frustruar prokurorët për dekada me radhë. Agca ka theksuar se pas lirimit të tij nga burgu do t’i përgjigjet pyetjeve në lidhje me sulmin kundër Papës.