E Shtunë, 31 Tetor 2026

Janukovic shpall fitoren në Ukrainë

Udhëheqësi pro-rus i opozitës në Ukrainë, Viktor Janukovic, ka shpallur fitoren e tij në zgjedhjet presidenciale, por rezultatet e rrethit të dytë zgjedhor, të shpallura sot, dëshmuan se epërsia e tij është duke u zvogëluar dhe rivalja e tij hodhi poshtë pretendimin e Janukovicit për fitore, duke theksuar se rezultati është ende tejet i ngushtë, sa për të shpallur fituesin.

Komisioni Qendror Zgjedhor i Ukrainës kumtoi sot se pas numërimit të 87.31 për qind të votave, Janukovic kryeson më 48.6 për qind të votave, ndërsa rivalja e tij, kryeministrja e Ukrainës, Yulia Tymoshenko ka tubuar 45.8 për qind të votave.

Nëse rezultati mbetet i tillë, fitorja e Janukovicit mund të rikthejë ndikimin e Moskës në Ukrainë, vend ky i cili pas revolucionit të portokalltë në vitin 2004 kishte synuar që të forcojë lidhjet me Perëndimin.

“Që nga dita e sotme, është hapur një shteg i ri për Ukrainën”, tha Janukovic të dielën në mbrëmje, duke u zotuar se do ta drejtojë Ukrainën në shtegun e ndryshimeve.

Megjithatë, Tymoshenko theksoi se rezultati ende nuk është përfundimtar, ngase shumë vota nuk janë numëruar ende.

“Ende është herët për të nxjerrë përfundime”, tha Tymoshenko para ithtarëve të saj, duke kërkuar nga ata që të luftojnë për çdo votë.

Komisioni Zgjedhor theksoi se pjesëmarrja ka qenë 70 për qind, për 3.2 për qind më e lartë se pjesëmarrja në rrethin e parë, i cili u zhvillua më 17 janar.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›