E Diel, 1 Nëntor 2026

NATO përgatitet për ofensivë në Helmand

Militantët talebanë kanë filluar të forcojnë pozicionet e tyre, në pritje të ofensivës së madhe të NATO-s në provincën e Helmandit, në jug të Afganistanit, një nga ofensivat më të mëdha, që nga fillimi i luftës para tetë viteve.

Pritet që marinsat amerikanë brenda disa ditësh të fillojnë operacionin për pushtimin e qytetit Marjah, në pjesët qendrore të Helmandit, rajon ky i cili konsiderohet si rajoni më i dhunshëm në Helmand.

Lajmi për fillimin e ofensivës është vënë në qarkullim para fillimit të operacionit, me shpresë se militantët do të dorëzojnë paraprakisht armët e tyre.

“Ideja është që njerëzit të kuptojnë se çfarë do të ndodhë dhe që një numër i madh i talebanëve të largohen, me qëllim që të ketë më pak luftime”, theksoi javën e kaluar Sekretari amerikan i mbrojtjes, Robert Gates.

Por disa banorë të Marjahut, të cilët janë larguar nga qyteti, kanë theksuar se talebanët janë duke forcuar pozicionet e tyre dhe se nuk janë duke u larguar.

“Talebanët nuk do të largohen nga Marjahu. Kemi parë se ata janë duke u përgatitur. Ata po sjellin njerëz dhe armatim. E dimë se do të ketë luftime të ashpra”, tha Abdul Manan, një banor që është arratisur nga Marjahu.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›