Turizmi, opozita dhe kulti i saj i urrejtjes kombëtare

Bumi i turistëve që nënshtron politikën kasnece të opozitës
Megjithëse sezoni turistik nuk është mbyllur, statistikat flasin për një fluks në rritje të pushuesve që zgjedhin bregdetin shqiptar për të kaluar pushimet e tyre. Shifrat reale flasin për 3 milionë e 500 mijë vizitorë, ndërkohë që kjo shifër mund të ndryshojë deri në fund të sezonit turistik kohë kjo, që është e vlefshme për gati 1 muaj. Konfirmimi i Shqipërisë si vend atraktiv në zhvillimin e turizmit, investimet në infrastrukturë dhe plazhet e bukura mahnitëse që ofron e gjithë vija bregdetare, ka bërë që vendi ynë të koleksionohet në hartën e miliona turistëve të cilët janë treguar të gatshëm të eksplorojnë bukuritë përrallore të bregdetit.
Krahas të dhënave korrekte dhe vlerësimeve të ndryshme për zhvillimin e bregdetit si pasojë e përqendrimit aty të një pjese të mirë të investimeve, çka ka kontribuar në konfirmimin e turizmit si industri më vete, opozita shqiptare vazhdon të mos njohë realitetin dhe madje për më tepër ka intriguar ditë pas dite sezonin turistik. Qarqet e ngushta të udhëhequra nga Edi Rama, për ditë me radhë kanë artikuluar shpifje nga më të pa zakontat në adresë të qeverisë dhe institucioneve të ligjit, se s’po menaxhojnë siç duhet sezonin turistik duke marrë për bazë raste të izoluara aksidentesh rrugore. Pas përpjekjeve të gjata për të irrituar pushuesit vendas dhe të huaj të cilët kishin pikasur bregdetin shqiptar për të kaluar nën mrekullinë e natyrës shqiptare pushimet disa ditore, se Shqipëria është në krizë të rëndë ekonomike, opozita iu kthye situatës rrugore duke përcjellë deklarata alarmante se po vdesin njerëz, tregues ky i një mesazhi se shtetasit shqiptar dhe të huaj nuk duhet të udhëtojnë nëpër akset shqiptare pasi i pret vdekja.
Këto dhe të tjera nuk janë aspak sajesa apo artikulime të momentit për të fajësuar njërën palë dhe shfajësuar tjetrën, por thjesht po i tregohet opinionit publik se opozita e Edi Ramës udhëhiqet nga kulti i nihilizimit dhe urrejtjes kombëtare. Ndaj edhe është më e arsyeshme të injoron sa më tepër pasthirrmat mediatike të Edi Ramës me shokë, pasi ndryshimin e Shqipërisë s’mund ta ndalë asnjë prej pinjollëve të brezit të dytë të nomenklaturës komuniste.