Japoni, përplasen dy anije, 16 marinarë të zhdukur
Të paktën 16 marinarë koreanojugorë dhe indonezianë konsiderohen të zhdukur pas një përplasjeje që ndodhi sot në orët e para të mëngjesit mes dy anijeve të mallrave pranë brigjeve japoneze, njoftuan rojat kufitare. Anija "Orchid Pia", që lundronte me flamur të Koresë së Jugut, u përplas me anijen panameze të mallrave "Cygnus Ace", rreth orës 02:15 të mëngjesit në afërsi të ishullit Izu Oshima, rreth 120 kilometra në jug të Tokios, shtuan ata. Anija panameze dha menjëherë alarmin tek rojat bregdetare dhe bëri të ditur se radari i saj nuk mund të lokalizonte anijen koreanojugore. Gjashtë anije patrulluese dhe dy avionë janë mobilizuar për të gjetur anijen, që transportonte 16 anëtarë të ekuipazhit, shtatë koreanojugorë dhe nëntë indonezianë dhe rreth pesë tonë çelik mes portit japonez Kashima, në lindje, dhe Koresë së Jugut, njoftuan rojat bregdetare. "Ka mundësi që anija 'Orchid Pia' të jetë mbytur", deklaroi një oficer japonez. "Kemi gjetur një gomone shpëtimi të zbrazur pranë vendit ku ndodhi përplasja, por kërkimet vazhdojnë", shtoi ai. Anija panameze pësoi disa dëme, por mund të vazhdojë lundrimin, bënë të ditur rojat bregdetare.