Japonia dhe Australia, në finale
Japonia dhe Australia do të përballen në finale të Kupës së Azisë, të shtunën pasdite. Japonezët, të cilët udhëhiqen nga trajneri italian, Alberto Zaccheroni, në gjysmëfinalen dramatike, të zhvilluar të mërkurën mbrëma, e mposhtën Korenë e Jugut, vetëm pas ekzekutimit të penalltive.
Japonezët e panë veten në disavantazh në minutën e 23-të, kur jug-koreanët shënuan nga penalltia me anë të S. Ki. Por, ata e barazuan rezultatin 13 minuta më vonë, me anë të Maedas.
Loja e rregullt përfundoi me këtë rezultat. Në vazhdime, japonezët shënuan në minutën e 97-të përmes Hosogait, derisa Hwang i koreanëve e barazoi rezultatin në minutën e 120-të, 2:2. Me këtë rast, fituesin do ta përcaktonin penalltitë. Dhe, shumë më të sigurt ishin djelmoshat e Zaccheronit, të cilët fituan 3:0 në penallti.
Në ballafaqimin tjetër gjysmëfinale, Australia luajti tenis me Uzbekistanin, të cilin e mposhti 6:0. Golat për ‘Kangurët’ i shënuan Kewell (5’), Ognenovski (35’), Carney (66’), Emerton (75’), Valeri (82’) e Kruse (83’). Uzbekët luajtën me një lojtar më pak nga minuta e 67-të, kur me karton të kuq u ndëshkua Bakaev.