Nuk ka predispozita ligjore që të ndalojnë hetimin ndaj Edi Ramës

Reagon deputeti Paloka, pas dërgimit të çështjes në Gjykatën Kushtetuese nga bashkia e Tiranës
TIRANE - Deputeti demokrat, Edi Paloka, njëkohësisht anëtar i komisionit parlamentar për hetimin e procedurave të dhënies së lejeve të ndërtimit nga bashkia e Tiranës, u shpreh se nuk ka asnjë predispozitë ligjore që të ndalojë funksionimin e këtij komisioni.
Një ditë pasi bashkia e Tiranës dërgoi në Gjykatën Kushtetuese çështjen e hetimit parlamentar ndaj këtij institucioni, anëtari i komisionit Paloka, pohoi për mediat se pavarësisht ankimimit, hetimi mund të vijojë normalisht.
“Misioni vazhdon dhe ai është vetëm një pretekst që Rama, si në shumë raste të tjera jep për të shmangur hetimin që i bëhet atij dhe vartësve të tij në bashki. Nuk ka asnjë predispozitë ligjore që të ndalojë komisionin parlamentar të funksionojë. Arsyet që nxjerr Rama janë të pabaza dhe janë thjesht pretekste për shmangien e hetimit”, tha Paloka.
Deputeti demokrat theksoi se pas punës trejavore të komisionit, në bazë të rezultateve të tij, do të ndjekim dhe anën ligjore duke i çuar dosjet në Prokurori.
“Fatkeqësisht, dosjet në Prokurori për Ramën janë bërë stivë, duke filluar nga ato të dërguara nga ish-ministrja e Kulturës, Esmeralda Uruçi apo dhe dosjet e komisionit të parë hetimor, që hetoi bashkinë e Tiranës në vitin 2003”, tha në vijim Paloka.
Komisioni i dytë hetimor ndaj kryebashkiakut Rama u ngrit me një vendim të parlamentit më 23 prill 2009. Ai do të hetojë mbi praktikat e dhënies së lejeve të ndërtimit nga bashkia e Tiranës.
Opozita socialiste refuzoi të marrë pjesë në komision, duke e cilësuar atë të paligjshëm.