E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Po ndërtojmë në Ballkan të ri"

Nga Express më 10 mars 2011 në ora 18:31

Presidenti Gjorge Ivanov sot në Shkup realizoi takime joformale me homologun e tij shqiptar, Bamir Topi dhe atë malazez, Filip Vujanoviq.

Presidenti Ivanov i falënderoi kolegët e tij nga rajoni për pjesëmarrjen në hapjen e Qendrës memoriale të holokaustit të hebrenjve në Shkup, duke shtuar se në rajonin e Evropës Juglindore akoma janë të gjalla kujtimet e pushtetit shkatërrues të urrejtjes njerëzore.

Për këtë arsye, presidenti Ivanov shprehu kënaqësinë, që me pjesëmarrjen e tyre, Presidenti Topi dhe Presidenti Vujanoviq tregojnë se po ndërtohet një Ballkan i ri, në të cilin popujt e ndryshëm mund të jetojnë në harmoni dhe respekt të ndërsjellë.

Në takim, që të tre presidentët, patën mundësinë të analizojnë situatën politike në rajon. Vlerësimi i tyre i përbashkët ishte se vazhdimi dhe kompletimi i integrimeve euro-atlantike është kusht për mbajtjen e prosperitetit të të gjitha vendeve të rajonit.

Ata theksuan nevojën e thellimit të marrëdhënieve mes vendeve të rajonit në të gjitha sferat e mundshme. Temë e bisedimeve ishte edhe mbledhja e tretë e radhës të presidentëve të Maqedonisë, Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi i cila këtë vit do të mbahet në fillim të muajit korrik e nikoqir i të cilit do të jetë Republika e Maqedonisë.

U shqyrtuan edhe perspektivat aktuale për bashkëpunim në iniciativat tjera rajonale si në Procesin e nismës Adriatikut e Jonit dhe të tjera.

Presidentët Ivanov,Topi e Vujanoviq në takim shqyrtuan shumë nisma për lidhje infrastrukturore, për zvogëlimin e kufizimeve për këmbim mes tre shteteve si dhe
projekte me interes të ndërsjellë. Vlerësimi i përbashkët ishte se janë të nevojshëm hapa konkret për krijimin e rajonit të bashkuar në Evropën e bashkuar.

Pacolli ka qenë i ftuar sot në Shkup

Presidenca e Maqedonisë bëri të ditur se presidenti i Kosovës Behgjet Pacolli ka qenë i ftuar në hapjen e Qendrës Memoriale të Holokaustit të hebrenjve në Shkup.

“Presidenti Pacolli ka qenë i ftuar në këtë eveniment, mirëpo ne nuk dijmë arsyet se përse ai ka munguar. Për këtë duhet të sqarojë presidenca e Kosovës se përse presidenti i tyre ka munguar në Shkup”, ka theksuar për agjencinë e lajmeve INA, një nga zëdhënësit e presidencës së Maqedonisë, Ejup Berisha.

Ai ka përgënjeshtruar zërat politik dhe institucional që dëshirojnë të keqintepretojnë agjendat e presidentit Gjorgje Ivanov. Berisha nënvizoi se presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli është i ftuar për vizitë zyrtare në Maqedoni me 25 dhe 26 mars të këtij viti.

Reagimet lidhur me mospraninë e presidentit të Kosovës pasuan pas mospranisë së tij në ceremoninë e sotme të hapjes së Qendrës Memoriale të Holokaustit të hebrenjve sot në Shkup. (INA)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›