E Diel, 1 Nëntor 2026

Dëshmia; Ushtarët e Alfred Shkurtit më rrëmbyen e torturuan në mënyrë çnjerëzore



Adem Arapi rrëfeu para gjykatës dy muajt e ferrit të shkaktuar nga banda e Aldo Bares. Shkak, një krushqi me shokun e ngushtë të Artur Dajës, rivalit të kapobandës së Lushnjes, i cili kishte qenë i pranishëm ditën kur u vra vëllai

Tronditëse mund të përshkruhet dëshmia e dhënë para togave të zeza nga Adem Arapi, i cili në mënyrë të drejtpërdrejtë akuzoi persona konkretë për dhunën çnjerëzore të ushtruar ndaj tij, si dhe atë psikologjike ndaj familjes së tij. Arsyeja, pse motra e tij kishte kunat shokun e ngushtë të Artur Dajës, Gramoz Selmanin. “Më rrëmbyen dhe më torturuan në mënyrë çnjerëzore me urdhër të Alfred Shkurtit, sepse ushtarët e tij donin që unë t’u tregoja ku ndodhej Gramoz Selmani. Edhe pas kaq kohësh, unë ju them se nuk e dija ku ishte Selmani. Pasi më keqtrajtuan me të gjitha mjetet, më hodhën në një përrua. Kur u përmenda, pashë veten në spital”. Por, dëshmia do vijonte me fakte akoma më tronditëse, kur dëshmitari Arapi rrëfeu para togave të zeza se mjekët e spitalit e nxorën në kohë të shkurtër, pasi kishin frikë nga ushtarët e Alfred Shkurtit, por edhe prej këtij të fundit. “Kur hapa sytë, pashë veten në spital. Pasi më mjekuan, mjekët më nxorën nga spitali dhe m’i dhanë mjekimet për t’i vazhduar në shtëpi. Kishin frikë të më mbanin në spital nga “Banda e Lushnjes”. Edhe në spital më kanë “vizituar” me pistoleta në dorë, njëshi i torturave Leonard Prifti dhe Ledi Nurçe, të cilët insistonin të mësonin ku ndodhej Gramoz Selmani”, - u shpreh dëshmitari, rrëfimi i të cilit nuk ndryshoi asnjë presje nga ai i dhënë para hetuesve vite më parë. Por, si të mos mjaftonin torturat fizike çnjerëzore, Arapi dhe familja e tij do persekutoheshin përditë nga ushtarët e bandës, Prifti e Nurçe, një ditë në shtëpinë e dëshmitarit dhe një ditë në garazhin që përdorej për komisariat të dytë nga Alfred Shkurti. “Mjekimin e mora në shtëpi pas daljes nga spitali, më ndihmonte vëllai. Por, ushtarët e Shkurtit do i kisha një ditë po dhe një ditë jo në shtëpi. Në sy të gruas dhe fëmijëve, me pistoleta në dorë, Prifti e Nurçe më kërkonin sërish ku ishte Selmani. Unë vazhdoja t’u thosha se nuk dija gjë. Më kërcënonin me armë dhe kjo vazhdoi për dy muaj. Si të mos mjaftonte kjo, një ditë po e një ditë jo, po të njëjtët ushtarë të Shkurtit shoqëronin te garazhi gruan time për ta marrë në pyetje për Gramoz Selmanin. Atë nuk e kanë torturuar, ngaqë njihte Alfred Shkurtin, pasi kishin punuar në fabrikë bashkë”, - rrëfeu dëshmitari Arapi. Ai përmendi edhe emrat e njerëzve që e kishin marrë peng me një makinë në një nga ato ditë të vitit ‘98, dhe e kishin lidhur me pranga në garazhin që në atë kohë njihej si komisariati numër 2 në Lushnje. Sipas dëshmitarit, ishte duke dalë nga shtëpia kur u rrëmbye nga dy prej të pandehurve, Ilir Stërgu dhe Arben Boriçi. Rrëmbimi ndodhi në vitin 1998, në një kohë që pjesa e dytë e bandës po kërkonte për ta vrarë shokun e ngushtë të Artur Dajës, Gramoz Selmanin. Pengu kishte lidhje krushqie me Selmanin, ky i fundit i pranishëm ditën kur Daja vrau vëllanë e Aldo Bares, Ramadan Shkurtin. Por, ai tha se gjatë torturave në garazh kishte parë edhe persona të tjerë që nuk i kishte njohur, në një kohë që identifikoi si njëshin e torturave shtetasin Leonard Prifti, i ekzekutuar më vonë në qendër të Lushnjes nga njerëzit e Taullait. Ky moment cilësohet si një ndër dëshmitë më të rëndësishme për pjesën e dytë të bandës së Aldo Bares, pas asaj të Haxhiut dhe disa të dëmtuarve të tjerë. Shtatë persona janë nën akuzë për një sërë krimesh, por edhe pjesëmarrje në organizatë kriminale.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›