“Jashtë zhurmës së kutive, Shqipëria po përmbush detyrimet për heqjen e vizave”
Kryeministri Sali Berisha drejton mbledhjen javore të deputetëve demokratë
Shefi i qeverisë Sali Berisha deklaroi dje se Shqipëria po përmbush detyrimet e saj përballë komunitetit ndërkombëtarë, duke specifikuar reformat e rëndësishme, të cilat mbeten parakushtet e një procesi të rëndësishëm, siç është liberalizimi i vizave. Në fjalën e tij para deputetëve demokratë, në mbledhjen e grupit parlamentar, Berisha tha se reformat kanë qenë dhe mbeten përparësia e qeverisë. Në këtë aspekt, kreu i ekzekutivit tha se vendi ka njohur reformat më të fuqishme, në vijim të progresit të gjerë integrues të vendit. “Reformat kanë qenë dhe mbeten motoja jonë kryesore. Jashtë zhurmës së kutive, vendi ka njohur reformat më të fuqishme, më të shpejta më të vendosura se në çdo periudhë tjetër të tij, reforma të cilat kanë sjellë dhe sjellin transformime epokale. Po të marrim vetëm ato që janë bërë gjatë këtyre muajve për heqjen e vizave, ato kanë realizuar ndryshime në shumë fusha si nata me ditën. Një europarlamentar do të thoshte që kontrolli i kufijve në Shqipëri është i tillë, është i njëjtë me të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, në rrafshin teknologjik. Dhe këtu mendoj unë, se ka një meritë të madhe edhe vetë procesi si i tillë, i cili bëhet një shtysë e madhe, ashtu si edhe e tërë problematika e pyetësorit. Unë dua t’ju falënderoj ju zonja deputete dhe zotërinj deputetë për kontributin thelbësor, që dhatë në shqyrtimin e kapitujve të shumtë, në mendimet, sugjerimet, përgjigjet që dhatë në kompletimin e përgjigjeve të këtij dokumenti shumë të rëndësishëm, dokument që në një farë mënyre, riformëson administratën dhe institucionet e këtij vendi; përbën një avenir të ri, mbi të cilin do të bazohet e tëra puna e institucioneve të qeverisë, të mazhorancës, opozitës së këtij vendi”, u shpreh Kryeministri Berisha. Kryeministri foli për hapa konkretë drejt afrimit të vendit me Bashkimin Evropian, ndërsa konfirmoi se liberalizimi i vizave do të jetë momenti më kulmor i indikatorëve se reformat kanë qenë kyçi themelor i progresit të vendit.
...