Skema e evazionit fiskal të Erion Veliajt - zbulohen lidhjet dhe bashkëpunëtorët e tij
Zbardhet dosja hetimore ndaj abuzimeve të kreut të partisë politike “G 99”
“Sipas të dhënave të mbledhura rezulton se prej vitesh Erion Veliaj përdor një skemë evazioni fiskal të veçantë e cila mund të shërbejë si një precedent i rrezikshëm për demokracinë dhe zhvillimin e shoqërisë civile, si dhe i ka krijuar shtetit një dëm në miliona lekë”.
Kështu e argumentonte kreu i Zyrës së Mbrojtjes së Konsumatorit, Altin Goxhaj, informacionin e tij dërguar Prokurorisë së Rrethit të Tiranës në 11 qershor të vitit 2009, informacion, që i dha këtij organi të akuzës mundësinë për të konsideruar të arsyeshme nisjen e këtij Procedimi Penal kryesisht.
Ndërsa pas këtij informacioni, prokuroria ka filluar procedimin penal me nr 3379 (i vitit 2009) dhe ka nisur hetimet, Altin Goxhaj dëshmoi dje para prokurorit Julian Zonja, për evazionin fiskal të Erion Veliajt, kreut të partisë politike G 99. Sipas kësaj dëshmie, mësohet se Erion Veliaj ka pasur një mbështetje dhe bashkëpunim të dyshimtë në evazionin e tij fiskal, me bashkinë e Tiranës dhe PS-në.
Nisja e këtij procedimi penal bëhet vetëm një javë pasi Erion Veliaj, për të fshehur gjurmët, deklaroi se Lëvizja “Mjaft” do të shkrihet, nën drejtimin e së cilës ka qenë ai, për kohën kur edhe akuzohet dhe hetohet për evazion fiskal që po hetohet nga Njësia e Përbashkët Hetimore për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit.
Skema e evazionit fiskal të Erion Veliajt & Co...
Skema e evazionit fiskal të Erion Veliajt, kreut të partisë politike G 99, sipas edhe materialit voluminoz që tashmë gjendet në duart e Prokurorisë së Rrethit të Tiranës, mësohet se përfshin disa linja.
Krijimi i një biznesi në vitet 2005 nga Arbër Veliaj i quajtur “Grafik Propaganda” nëpërmjet një kredie të dhënë nga Erion Veliaj, biznes që nuk u regjistrua sipas ligjit dhe nuk u paraqit asnjëherë për të paguar taksat pranë Drejtorisë së Tatim Taksave, është një prej këtyre linjave.
Ky biznes nuk figuron as i regjistruar pranë QKR-së dhe ndërkohë që në kohën e depozitimit të informacionit në Prokurorinë e Rrethit të Tiranës, ka qenë në aktivitet të plotë. Klientët e këtij biznesi mësohet se kanë qenë të shumtë.
Gjithashtu një linjë tjetër e evazionit fiskal përfshin organizatën jofitimprurëse “Fshati Urban” ku Drejtor Ekzekutiv është Arbër Veliaj e regjistruar në Gjykatën e Tiranës në datën 7 dhjetor 2006 me Vendim nr. 341 ku në pikën 5 parashikohet qartas se, “qendra nuk do të ketë lidhje me aktivitete të paligjshme apo aktivitete të tjera që nuk parashikojnë pjesëmarrjen e organizatave jofitimprurëse”.
Kjo organizatë jofitimprurëse ushtronte aktivitet biznesi megjithëse ishte regjistruar si organizatë jofitimprurëse.
Linja tjetër e evazionit fiskal përfshin projektet e Lëvizjes “Mjaft” dhe të Fondacionit “Mjaft” ku Drejtor Ekzekutiv ka qenë Erion Veliaj të cilat janë faturuar dhe realizuar nga biznesi i paligjshëm i të vëllait Arbër Veliaj.
Janë qindra miliona lekë projekte dhe shërbime të realizuara nga kjo kastë, por të cilat në asnjë rast nuk janë raportuar pranë zyrave të detyrimeve fiskale.
Linja tjetër e evazionit fiskal është mosdeklarimi i të ardhurave nga Erion Veliaj dhe mospagimi i detyrimeve shoqërore përkatëse.
Abuzimet në bashkëpunim me bashkinë e Tiranës dhe PS
Informacioni i grumbulluar nga Avokati Altin Goxhaj dhe që i është bërë i ditura edhe prokurorisë, përfshijnë të dhëna me vlerë që demonstrojnë një shkallë të lartë evazioni fiskal të shkaktuar nga disa organizata dhe biznese të drejtuara nga kreu i G 99, Erion Veliaj, vëllai i tij, apo edhe bashkëpunëtorët e ngushtë Arbjan Mazniku dhe Endri Fuga, të cilët, bashkë edhe me hetimin e të dhënat bankare të mjaftistëve të Veliaj & Co, do të jenë objekt i hetimit nga Prokuroria e Rrethit të Tiranës.
Mësohet se deri tani, është provuar evazioni fiskal i Erion Veliajt, në shumën e rreth 300 mijë euro, por që nga hetimet e mëtejshme të pritshme, pritet që kjo shumë të rritet.
Burime nga Prokuroria e Rrethit të Tiranës, sqarojnë se, Erion Veliaj, me cilësinë e drejtuesit të Lëvizjes “Mjaft” (ish-Fonacioni “Mjaft”), ka ofruar shërbime të ndryshme për subjekte private, por edhe për bashkinë e Tiranës, bashkinë e Durrësit, KQZ-në, e institucione të tjera shtetërore, por edhe private, ndërkohë që për të ardhurat e siguruara kundrejt këtyre shërbimeve, nuk ka derdhur në arkën e shtetit asnjë detyrim financiar, te Tatimet, Sigurimet Shoqërore, TVSH, apo edhe taksa nga të ardhurat.
Në skemën e evazionit fiskal përfshihen me qindra mijë euro në të cilat është implikuar edhe shteti shqiptar siç është rasti i KQZ-së në vitin 2005 ku me një firmë u autorizua dhënia për “Mjaft”-in e Erion Veliajt, e qindra mijë eurove pjesë të asistencës teknike ndërkombëtare për edukimin e votuesve dhe angazhimin e shoqërisë civile në një proçes demokratik.
Erion Veliaj, njihet i një nga mbështetësit, jo vetëm politik, por edhe financiar të Edi Ramës, kreut të PS-së. Burime të Prokurorisë së Rrethit të Tiranës, duke pohuar këtë detaj, objekt hetim, saktësojnë se gjatë fushatës elektorale të vitit të kaluar, Erion Vliaj nëpërmjet bashkëpunëtorit të tij Endri Fuga, ka financuar fushatën dhe imazhin e Edi Ramës dhe të PS-së.
Dyshime për përfshirje dhe implikime të donatorëve
Të dhënat e mbledhura nga Avokati Altin Goxhaj, dhe që tashmë janë edhe në duart e rokuroit të kësaj çështje, Julian Zonja, do të ndihmojnë Prokurorinë e Rrethit të Tiranës që të gjejë të dhënat e mjaftueshme për të kuptuar se në çfarë përmase të madhe, ka arritur evazioni fiskal i një modeli të shëmtuar të shoqërisë civile të përfaqësuar nga Erion Veliaj & Co, që thithi 5.4 milionë euro, ku pjesa më e madhe e tyre u siguruan vetëm nga donatorë të huaj ndërkombëtarë, dhe që u përdorën për të shkretuar shoqërinë civile rinore duke lënë vetëm një protagonist, Erion Veliajn dhe mjaftistët e tij.
Po ashtu, duke përfituar prej projekteve të ndryshme të institucioneve ndërkombëtare, Erion Veliaj, akuzohet për shpërdorimin e këtyre fondeve duke ua shpërndarë ato në mënyrë fiktive, vëllait, apo shokëve, miqve e të afërmve të vet, pa i përdorur për destinacionin për të cilat ato ishin dhënë. Gjithashtu edhe nga të ardhurat e siguruara në këtë mënyrë, mësohet se Erion Veliaj, nuk ka derdhur asnjë detyrim financiar, te Tatimet, Sigurimet Shoqërore, TVSH, apo edhe taksa nga të ardhurat.
Objekt i këtij hetimi, sikurse mësohet edhe nga burime të Prokurorisë së Rrethit të Tiranës, mësohet se do të jenë edhe përfshirja në këtë skemë edhe e komunitetit donator, organizatave jo-fitimprurëse, bizneset dhe subjekte të tjera fizike dhe juridike.
Erion Veliaj, ka drejtuar Lëvizjen “Mjaft” (ish-Fonacionin “Mjaft”) deri në periudhën shkurt-mars të vitit 2008. Ndërkohë që ai zyrtarisht kishte deklaruar dorëheqjen nga ky drejtim, që në muajin shtator të vitit 2007, mësohet se edhe disa muaj pas kësaj dorëheqje, saktësisht deri në periudhën shkurt-mars të vitit 2008, ai i ka njohur të drejtën vetes të përdorë llogaritë bankare të Lëvizjes “Mjaft” (ish-Fonacionit “Mjaft”), duke u bërë edhe për këtë fakt, objekt i hetimeve nga Prokuroria e Rrethit të Tiranës.
...