“Ngatërron operacionet me transplantet e veta edhe kur nuk i mbin asnjë qime në kokë”
Shefi i ekzekutivit akuzon Edvinin për agresion mesazhesh e trillimesh drejtuar mediave
Kryeministri Sali Berisha ka reaguar dje lidhur me disa spekulime në media, të kryesocialistit në detyrë, Edvin Kristaq Rama, i cili ka aluduar me disa mesazhe drejtuar medieve, për ndërhyrjen kirurgjikale të kreut të qeverisë. Berisha tha se një pjesë e media, dje ishin subjekt i një agresioni të paparë mesazhesh dhe trillimesh të një njeriu, i cili është i njohur se vuan tmerrësisht nga mesazhomania, lidhur me operacionin tim. Shefi i qeverisë vuri në dukje se motoja e Ramës, është të ndërtojë karrierën e tij mbi fatkeqësitë e njerëzve. “Disa prej atyre mesazheve i kam unë këtu, se m’i kanë nisur gazetarët. Një njeri që e ndërton suksesin vetëm mbi krizën, sëmundjen, fatkeqësinë, imagjinoni ju se ç’mund të bëjë, dje gjithë ditën është marrë me një histori të tillë”, tha Kryeministri.
Kryeministri Berisha informoi lidhur me të vërtetën. “Ditën e premte, në ora 20.15 iu nënshtrova një ndërhyrjeje të planifikuar kirurgjikale për një problem të vogël në shpinën e këmbës, i cili më vështirësonte pak në ecjet e mia ‘hardjoking’, të zakonshme, por që ecja është pasioni im. Pas një operacioni që ka zgjatur rreth 1 orë e 15 minuta, me një anestezi të përgjithshme, pasi e kuptoni vetë se këmba dhe dora kanë shumë mbaresa nervore, unë shkova në shtëpi, pa asnjë lloj ndërlikimi. Dje dhe sot, kam përmbushur të gjitha detyrimet e mia, përveç ecjes së zgjatur si në çdo “ëeekend” tjetër, kam punuar kam lexuar. Kjo është e vërteta, por dy fjalë do t’i them këtij zotërie. Operacionet janë për njerëzit dhe njeriu kur ka nevojë do të operohet në këmbë, në dorë, në kokë, në zemër, në bark. Nuk mund të mos them se janë disa operacione të cilat kanë një domethënie tjetër, kur detyrohesh t’i bësh ato 30 apo 40 vjet para kohe, flasin vetë. Se shkon të transplantosh flokët, rri edhe dy javë në klinikë dhe nuk të mbin një qime dhe kjo jo për faj të rasatit, por për faj të arës; apo kur shkon për të hequr xhufkat në qepalla dhe të bien sytë më keq; apo kur shkon për të ngulur dhëmbë të rinj dhe nuk të mbajnë. Më kujton një personazh rreth 40-50-vjeçar i Dritëro Agollit, që shkonte për t’u fejuar, dhe i thoshte e ëma: Merr një shami pionieri që të dukesh më i ri te nusja!. Pra këto lloj operacionesh, për të mos hyrë te disa të tjera, se nuk dua ta përdor mjekësinë për politikë, edhe mund të bëhen edhe mund të mos bëhen. Kurse ato që janë në funksion të një aktiviteti që ti e ke pasion, siç është ecja, apo kur bëhen për të shëruar një sëmundje, ato janë normale, tha Berisha, duke i apeluar Ramës, që t’i mos i helmojë mediat me mesazhe, sepse, tha kryeministri, siç e vutë re, vetëm njëri e kishte besuar, se ka besim të verbër nuk kam ç’t’i bëj, ku thoshte se edhe kamerat nuk e marrin, se ka bërë një operacion në fytyrë. Po si nuk marrkan kamerat? Kamerat marrin edhe flokë që nuk mbijnë, edhe dhëmbë që vihen 40 vjet para kohe etj, etj, me radhë. Kaq kisha unë, ju falënderoj edhe njëherë që nuk u tunduat të transmetoni mashtrimet që u përhapën dje rreth një ndërhyjeje që unë bëra në këmbën e djathtë”, u shpreh më tej, kreu i qeverisë Berisha.
...