Mister numri i saktë i viktimave

Të kujt janë pjesët e trupave që gjenden në morgun e Tiranës? Analizat e ADN-së shuajnë shpresat e familjarëve të Shqipe Alhasës, se mund të jenë të vajzës së tyre. Zyrtarisht nuk ka të tjerë të humbur. Shkon në 24 numri i viktimave
TIRANË - Dita e 11-të e katastrofës së Gërdecit numëron viktimën e 24-të, ndërkohë që çon në 5 numrin e të vdekurve të familjes Deliu. Dy gra, Kore Deliu dhe Selvie Ahmeti ndërruan jetë dje në spitalin e Brindisit në Itali. Ndërsa pas përgjigjes së analizave të ADN-së të dala nga Instituti Mjeko-Ligjor, se pjesët e trupave njerëzor që janë në morg nuk i përkasin asnjë 25-vjeçares Shqipe Alhasa, familjarët e saj nuk kanë ndërprerë asnjë moment kërkimin, së bashku me forcat xheniere. Sipas burimeve të Policisë Ushtarake, bëhet e ditur se familja Alhasa është e vetmja që kërkon të afërmen e zhdukur dhe se asnjë familje tjetër nuk ka deklaruar për ndonjë njeri të humbur. “Të vetmit familjarë që kanë kontaktuar me ne e që bëjnë kërkime me trupat xheniere, janë të afërmit e Shqipe Alhasës. Asnjë tjetër i humbur nuk na rezulton”, - thonë burimet. Kjo shton misterin e trupave, që në fakt janë aktualisht prej disa ditësh në morgun e Tiranës, pasi zyrtarisht nuk ka persona të tjerë të humbur të deklaruar nga familjarët.
***
Pas Flavios, nënës së tij shtatzënë dhe Jetmirit, ditën e djeshme ka gjetur vdekjen në spitalin e Brindisit, si pasojë e plagëve të marra Kore Deliu. Ajo ka ndërruar jetë orët e para të paradites, pasi nuk ka mundur që të mbijetojë nga djegiet e shumta në trup, me gjithë përpjekjen e mjekëve. Anëtarja e familjes Deliu ishte transportuar për në Itali, pasi gjendja e saj shëndetësore ishte paraqitur shumë e rëndë nga mjekët shqiptarë, të cilët pasi i kanë dhënë ndihmën e parë menjëherë pas shpërthimit, kanë marrë vendimin që ajo të ishte pjesë e të transportuarve drejt një shteti tjetër për të marrë shërbim mjekësor. Por edhe çuarja drejt Italisë nuk ka mundur ta mbajë në jetë Koren, e cila është viktima e pestë për familjen e saj. Pak orë pas vdekjes së Deliut, po në Itali fatkeqësisht ndërroi jetë edhe një tjetër e plagosur e ngjarjes së rëndë, Selvie Ahmeti.
***
Ndërsa nëpërmjet një njoftimi për shtyp, Policia Ushtarake pohon se organizimin e punës të ditëve në vazhdim e ka ndarë në dy faza. Faza e parë konsiston në nxjerrjen e viktimave nga vatra e shpërthimit, pastrimin dhe kontrollin vizual të sipërfaqes së infektuar nga predhat, fazë e cila mund të marrë një periudhë kohore prej 7 e deri në 10 ditë. Faza e dytë, sipas ushtarakëve, do të jetë më tepër afatgjatë, pasi ka të bëjë me pastrimin e vatrës së shpërthimit dhe kontrollin me pajisje speciale të sipërfaqes së infektuar. Për realizimin me sukses të kësaj faze do të ndihmohet edhe nga kolegë të vendeve të tjera, siç është ardhja e gjashtë ekspertëve të FBI-së ditën e sotme. Metodat e tyre më të specializuara duket se do të ndihmojnë në realizmin me sukses të operacionit. Edhe pse puna e madhe nga forcat ushtarake vazhdon, kushtet e pafavorshme të motit nuk kanë qenë në favor të nxjerrjes së trupave që mund të jenë nën rrënojat e masiveve të dheut të krijuar pranë tre kratereve.