Java 31, Dinamo- Laçi 2-4

www.albania-sport.com - Dinamo me humbjen 4-2 me Laçin në “Qemal Stafa” (e gjashta rresht) shkroi një tjetër faqe turpi në një prej kampionateve më të shëmtuar të futbollit shqiptar, e që për rastësi (me meritë, gjithsesi) do të përmbyllet me blutë që do ta fitojnë titullin për herë të 18-të.
Ndeshja pati një bollëk golash, gjashtë të tillë, por në një stadium thuajse pa shikues e të papërgatitur për festë, emocionet e futjes së topit në rrjetë i përjetuan vetëm laçjanët që lanë pas Tiranën në renditje e tejzgjatën ëndrrën për një vend në Europë.
Erjon Vuçaj shënoi i pari për Laçin (26’), por katër minuta më pas Fatjon Sefa (33’) barazoi shifrat në 1-1 me të cilën u mbyll dhe pjesa e parë. Goli i 11-të sezonal i Sefës.
Golashënuesi më mirë i Laçit, Arlind Nora shënoi një dopjetë në minutën e 53-të dhe 81-të (me penallti, faull i kapitenit të Dinamos, Arjan Pisha), duke i dhënë udhëheqjen sërish kurbinasve. Këta ishin golat me numër 12 dhe 13 të sulmuesit gjirokastrit, po aq sa Memelli (Flamurtari) dhe Elis Bakaj (Dinamo).
Erjon Vuçaj realizoi golin e katër për formacionin e Stavri Nicës në minutën e 88-të, ndërsa një minutë më pas mbrojtësi Renato Mallota shënoi golin e dytë për Dinamon në humbjen e tretë më katër gola, përfshirë dhe humbjen me Shkumbinin (4-0) dhe Skënderbeun (4-3).
Dinamo, që e ka fituar tashmë titullin e pret vetëm hapjen e shampanjës në një ndeshje më dinjitoze me rivalët e saj në këtë sezon, Tiranën e Besës, është duke lënë një përshtypje aspak të denjë për një skuadër të shumëfinancuar e me një trajner në largim që u dha bluve triumfin e 18-të në 71-kampionate të Superligës.
KATEGORIA SUPERIORE
JAVA 31, 30.04.2010, 14:00
Dinamo-Laçi 2-4
Shënues: Fatjon Sefa 33’, Renato Mallota 89’ /Erjon Vuçaj 29, Arlind Nora 53’, Arlind Nora 81’ (p), Erjon Vuçaj 88’
Besa-Tirana 1-1
Shënues: Daniel Xhafaj 83’ (p)/ Sebino Plaku 86’
Kastrioti-Teuta 3-0
Shënues: Rigers Hoxha 44’, Renato Kalari 51’ Olsi Gocaj 71’
Skënderbeu-Shkumbini 3-1
Shënues: Milain Guerrib 20’, Elton Lika 31’, Enco Malindi 61’ /Sokol Branica 66’
Gramozi-Vllaznia 1-2
Shënues: Armand Sadiku 57’ / Zeljko Mrvaljevic 77’, Shtubina 89’
Flamurtari-Apolonia 1-0
Shënues: Migen Memelli 49’ (p)
Renditja
1. Dinamo 58
2. Besa 50
3. Laçi 48
4. Tirana 48
5. Flamurtari 44
6. Vllaznia 43
7. Shkumbini 42
8. Skënderbeu 41
9. Kastrioti 39
10. Teuta 39
11. Apolonia 38
12. Gramozi 22
Burimi: Albania-sport.com
Kliko per te na ndjekur ne Twitter
E Premte, 30 Prill 2010
Shto dhe ti komentin tend Emri dhe e-maili