Unë dhe Berluskoni? Ndoshta nuk përshtatemi dot
Për Leonardon “gota po derdhet”. Në prag të sfidës me Fiorentinën, trajneri i Milanit ngre zërin për të parën herë që kur është trajneri i skuadrës. Por e bën me atë elegancën e tij, pa dalë nga linja. Tema? Kritikat e dyshimta të Silvio Berluskonit, që ka vendosur ta largojë nga pankina. “Nuk e di se çfarë ka thënë Berluskoni, thotë Leonardo, por, përtej kësaj, nuk mund të mohoj se marrëdhënia jonë është e vështirë. Jemi shumë të ndryshëm, ndoshta jemi të papërshtatshëm, por të rëndësishme janë këto tri ndeshje, të cilat i vlerësoj shumë”. Pra Leonardo është koherent me veten dhe riafirmon grupin me të cilin po shkon drejt Champions Leagues: “Synoj ta përfundoj mirë punën, sepse e meritojmë. Gjithçka mund të thuhet, përveç se kjo skuadër ka luajtur keq. Nuk e pranoj. Djemtë kanë bërë gjithçka në momentet më të vështira. Ka nga ata që kanë luajtur edhe të dëmtuar. E heq kapelen para lojtarëve të mi”. Dhe shton: “Nuk kam folur kurrë për të ardhmen: me asnjë, as me Flamengon, as me Brazilin e as me Komitetin Organizativ të Botërorit 2014. Askush nuk më ka propozuar asgjë dhe ndaj nuk mendoj për ta. Po, jam kokëfortë dhe jam për shumë gjëra, sepse besoj te vendimet e mia dhe te principet e mia”. Pyetjes së një gazetari (“Nëse do të largoheshe nga Milani dhe do ktheheshe në Brazil, do të ndodhë për mosmarrëveshje me presidentin apo për një vendim tjetër të pavarur?"), përgjigjet: “Asgjë nuk ndodh për një motiv të vetëm”. Dhe citon një këngë të Renato Zeros (Në kopshtet që askush s’i di): "...do të të jepja sytë e mi për të parë atë që nuk e sheh". Pastaj shton: “Unë nuk gjykoj askënd, nuk është në tipin tim”.
#