E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Java e Enverit" do të finalizohet me fishekzjarrë në Gjirokastër

Në vijim të programit të festimeve për 100-vjetorin e lindjes së ish-diktatorit Enver Hoxha, nostalgjikët dhe militantët komunistë të rretheve të jugut kanë udhëtuar dje drejt Tiranës për të marrë pjesë në mitingun në përkujtim të tij, duke e zhvendosur epiqendrën e festimeve nga Gjirokastra, vendlindja e tij me mure të mbushura me parulla të shkruara me bojë të kuqe.

Burime të degës së Partisë Komuniste të Gjirokastrës thanë për "Shqip" se nga data 12 deri në datën 16 tetor në Gjirokastër kanë ardhur për të vizituar vendlindjen, shtëpinë e tij në Palorto dhe vendin ku ishte vendosur monumenti i tij në qendër të qytetit. Drejtuesi i degës së Partisë Komuniste për Gjirokastrën, Bujar Sulejmani, tha se "qindra komunistë dhe adhurues të Enver Hoxhës kanë ardhur gjatë këtyre ditëve nga gjithë Shqipëria, nga Greqia, nga Kosova dhe vise të tjera ku banojnë shqiptarët dhe kanë bërë homazhe në vendin ku ishte vendosur ish-shtatorja e Enver Hoxhës dhe në shtëpinë e lindjes së tij në Palorto, duke i dhënë kësaj jave përkujtimore pamjen e ‘Javës së Enverit‘ në vendlindjen e tij në Gjirokastër. Kjo javë do të finalizohet me fishekzjarrët që do të shpërthejnë natën e datës 16 tetor". Gjatë ditëve të këtyre të vizita të shumta të përkrahësve të Enverit nga gjithë Shqipëria dhe nga shoqata dhe parti të lëvizjes marksiste-leniniste nga vende të ndryshme të botës, thotë komunisti Bujar Sulemani. Njerëzit shprehën edhe një herë admirimin, vlerësimin dhe mirënjohjen ndaj Enver Hoxhës.

Ndërkaq, mësohet se në datat 15 dhe 16 tetor dhjetëra simpatizantë dhe anëtarë të PKSH-së kanë prenotuar autobusë dhe kanë udhëtuar drejt kryeqytetit për të marrë pjesë në veprimtaritë që janë rezervuar sipas programit të festimeve në Tiranë, ku sipas tij do të organizohet një miting në sheshin "Skënderbej", me pjesëmarrjen e 15 delegacioneve të partive komuniste nga Evropa dhe bota.

Veprimtaritë e "Javës së Enverit" në kuadrin e 100-vjetorit të lindjes së tij kanë gjetur kundërshtime dhe kontestime nga prefekti Spiro Ksera dhe kreu i degës së PD-së për Gjirokastrën, Bexhet Çobani. Gjatë deklarimeve të tyre në media ata kanë kontestuar jo vetëm ndotjen e mureve të gurta të pjesës historike të Gjirokastrës, por edhe glorifikimin e figurës së Enver Hoxhës, që sipas tyre është një sjellje fyese për këdo shqiptar që ka vuajtur në regjimin komunist.

Pas reagimit të prefekturës dhe së fundmi të PD-së, subjektet e tjera politike, kryesisht të majta, LSI dhe PS, apo dhe Bashkia e Gjirokastrës, kanë zgjedhur rrugën e heshtjes për këtë çështje.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›