Miliona për “Çlirimin”
Kompania ndërtimore “Çlirimi”, ka fituar gjithsej tre tenderë me vlerë prej më pak se 10 milionë euro nga Komuna e Prishtinës. Së fundi, kjo kompani është duke punuar në ndërtimin e kolektorëve të lumit Prishtevka në lagjen Kalabria. Vlera e këtij tenderi sipas zyrtarëve komunalë arrin shumën e 3 milionë e 50 mijë eurove.
Për shkak të dyshimeve në këtë tender, 6 zyrtarë komunalë janë burgosur nën dyshimin se i kishin dhënë 800 mijë euro një kompanie ende pa filluar punimet.
Por kjo kompani e cila i dërgoi këta zyrtarë komunalë në paraburgim, nuk e ka fituar vetëm një tender nga Komuna e Prishtinës. Që nga koha kur Isa Mustafa është kryetar i komunës së Prishtinës, kjo kompani ka fituar gjithsej tre tenderë me shuma të majme parash nga kjo komunë.
Kompania “Çlirimi” nga Prizreni, e krijuar në vitin 1999, tenderin e parë për rregullimin e Prishtinës, e fitoi në prill të vitit 2009.
Në fillim ajo mori përsipër rregullimin e kolektorit të lumit Prishtevka, te vendi Fusha e Pajtimit, në lagjen Gallapi, në Prishtinë. Ky projekt ka kushtuar 1 milion e 560 mijë euro.
Tenderin e dytë në Komunën e Prishtinës, kjo kompani e fitoj në vitin 2010, për rregullimin e rrugës “B”, e cila lidh lagjet Kodra e Diellit dhe Mati 1.
Kjo rrugë është pjesë e unazës së brendshme të qytetit të Prishtinës, e cila shtrihet prej QKUK-së dhe vazhdon deri te Banesat e Bardha, për të vazhduar deri në Matiqan.
Faza e parë me gjatësi rreth 700 metra, tenderin për rregullimin e së cilës e ka fituar kompania “Clirimi”, ka kushtuar përafërsisht 3 milionë e 100 mijë euro.
Ndërkaq, i tërë projekti i kësaj rruge në gjatësi prej 2.2 km, do të kushtojë rreth 7 milionë euro. Përderisa faza e parë është përfunduar nga kompania, e cila i paraburgosi zyrtarët komunalë, Muhamet Gashi, zëdhënës i Komunës së Prishtinës, thotë se për fazën e dytë të ndërtimit të kësaj rruge, tenderi vazhdon të jetë i hapur. “Faza e parë për ndërtimin e rrugës “B” ka kushtuar rreth 3 milionë euro. Ndërkaq i tërë projekti i rrugës në gjatësi prej 2.2 km, do të kushtoje rreth 7 milionë euro”, tregon Gashi për Express.
Vetëm këto dy projekte, nga gjithsej tre sa ka marrë, kompania “Çlirimi”, ka përfituar nga Komuna e Prishtinës, 6 milionë e 600 mijë euro. Kurse në projektin e fundit, ndërtimin e kolektorit atmosferik dhe rrugës mbi lumin Prishtevka, në lagjen Kalabria të kryeqytetit, kompania “Çlirimi” nga Prizreni e ka fituar kontratën, vlera e së cilës është 3 milionë e 50 mijë euro.
Pikërisht kjo kontrata e fundit, ditë më parë ua solli problemin më të madh komunarëve.
Kjo sepse gjashtë zyrtarët komunalë i kanë siguruar kompanisë “Çlirimi” përfitim të paligjshëm, në dëm të Komunës së Prishtinës, duke ia dhënë kësaj kompanie 846.712.80 euro pa mbulesë.
Në këtë kontratë të lidhur më 27 tetor 2010k në mes të Komunës së Prishtinës, si autoritet kontraktues dhe N.P.N.T. “Çlirimi” si kontraktues, është përcaktuar se Komuna do t’i paguajë pagesat kompanisë në pjesë, sipas vlerave të sasive të punimeve, nga 200 mijë euro.
Por, i pandehuri Ekrem Rexha, në cilësinë e menaxherit të Zyrës së Prokurimit, më 14 dhjetor 2010 ka lëshuar aneks, me të cilin ka ndryshuar këtë kontratë bazë, duke përcaktuar se Komuna do t’i paguajë kompanisë vlerën e furnizimeve të përfunduara.
Më pas, të pandehurit Refik Sadiku, Halil Fejziu, Qazim Bajrami dhe Hazir Krasniqi, në cilësinë e anëtarëve të organit mbikëqyrës të punimeve, të njëjtën ditë kanë lëshuar një konstatim, në të cilin kanë propozuar që t’i bëhet pagesa kontraktuesit për blerjen e mallit në vlerë prej 846 712 euro, ndërsa i pandehuri Ridvan Shahini, në cilësinë e drejtorit të Infrastrukturës Lokale, të njëjtën ditë ka bërë kërkesë në Departamentin e Prokurimit për pagesën e faturës nr. 4/12/10f, lëshuar nga ndërmarrja “Çlirimi” për materialin e blerë në vlerë prej 846.712 eurosh.
Pagesa është realizuar më 21 dhjetor 2010, duke i siguruar në këtë mënyrë përfitim të kundërligjshëm kësaj ndërmarrjeje, në dëm të Komunës së Prishtinës në këtë shumë parash. Me këtë veprim, këta zyrtarë komunal kanë kryer veprën penale shpërdorim i pozitës zyrtare ose autorizimit, prandaj ditë më parë, atyre u është caktuar masa e paraburgimit në afat prej tridhjetë ditësh.