E Shtunë, 31 Tetor 2026

Java e Kulturës Shqiptare në Gjermani



Një koncert me muzikë të zgjedhur klasike nga Shqipëria është dhënë në qytetin Dyseldorf të Gjermanisë, në kuadrin e së ashtuquajturës “Java e kulturës shqiptare” brenda tij. I organizuar dhe drejtuar nga Desar Sulejmani, ky koncert shpalosi disa nga instrumentimet më dinjitoze të muzikës sonë klasike, duke korrur sukses tek publiku gjerman. “Ishte kënaqësi që ne sollëm para publikut gjerman repertorin më të mirë të muzikës klasike shqiptare. Mund të them, që kjo që ofruam ne është ajka e muzikës shqiptare, si kompozimet e Çesk Zadesë, Tonin Arapit apo të Aleksandër Peçit dhe të Preng Jakovës", është shprehur lidhur me një fakt të tillë, Suzana Frashëri, pedagoge në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë. Ndërsa dirigjenti dhe shoqëruesi në piano i koncertit, Desar Sulejmani, vlerëson tingëllimin e veçantë të muzikës klasike shqiptare si mjaft të butë dhe fine. Ai është shprehur se “...për shkak të Shqipërisë që ka qenë e mbyllur, muzika klasike shqiptare është e panjohur për publikun gjerman dhe muzika e ka vuajtur shumë këtë. Por, muzika ka pasur rastin të prezantohet në këto dy dekada të fundit, duke u vlerësuar për dëlirësinë e saj, veçantinë, përzjerien e toneve shqiptare me muzikën klasike dhe influencat ruse etj.”

15 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›