Anëtarësimi në FMN hap për Kosovën kapitullin e shlyerjes së borxheve
Blerina Olldashi
Antarësimi i Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar është konsideruar nga ekspertët ekonomisë edhe si një kapitull i ri për çështjen e borxheve, të trashëguara nga ish-federata Jugosllave. Borxhet e Kosovës më parë janë paguar nga Serbia që e shihte si pjesë të sajën, por pas shpalljes së pavarësisë dhe antarësimit të Kosovës në mekanizmat financiarë ndërkombëtarë duhet të nisë një raund negociatash Kosovë-Serbi, në mënyrë që palët të bien dakord për ndarjen e borxheve. Profesori Muhamet Mustafa, është shprehur skeptik për fillimin e këtyre negociatave: “Është theksuar edhe në planin e Marti Ahtisarit, se duhet të zhvillohet një raund negociatash gjashtë mujore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për ndarjen e borxheve. Nëse kjo marrëveshje nuk arrihet, atëherë duhet të caktohet një arbitër ndërkombëtar. Problemi qëndron në caktimin e shumës së borxheve dhe kush duhet t’i paguajë borxhet, tek mekanizmat financiarë ndërkombëtarë. Këto borxhe duhet të ishin paguar që në vitet nëntëdhjetë, kur Serbia ka qeverisur ndërmarrjet dhe asetet në Kosovë”,- është shprehur Mustafa. Ekspertë të ekonomisë thonë se antarësimi i Kosovës në FMN do të krijojë siguri ekonomike, do të përmirësojë imazhin e Kosovës në tregjet financiare dhe besimin e investitorëve të huaj. Antarësimi i Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar do të pasojë edhe antarësimin në Bankën Botërore. Nga anëtarësimi në FMN, Kosova do të ketë përfitime ekonomike dhe politike. Do të ketë mundësi për marrjen e kredive për investime kapitale, duke u bërë kështu pjesë e zhvillimeve ndërkombëtare në aspektin e tregut financiar. Sipas guvernatorit të Bankës Qëndrore të Kosovës, Hashim Rexhepi, kjo do të ndikojë pozitivisht edhe tek investitorët e huaj. “Antarësimi në Fondin Monetar Ndërkombëtar, krijon besueshmëri të madhe tek të gjitha institucionet tjera financiare dhe tek komuniteti i biznesit. Ne presim, që të fillojnë më fuqishëm investimet e jashtme të drejtpërdrejta në Kosovë, që i konsiderojmë si faktorë kryesorë për të ardhmen e zhvillimit ekonomik të Kosovës”,- thotë Hashim Rexhepi. Kosovës i është caktuar që të dorëzojë në Fondin Monetar Ndërkombëtar 88,6 milionë dollarë, si shumë për kapitalin themelues të fondit.
Ekperti për çështje makroekononomike, Muhamat Mustafa, thotë: “Ajo, që do të ndryshojë është se Kosova tashmë hyn në marrëdhënie te kontraktuara. Obligimi ndaj sygjerimeve natyrisht që është më i madh dhe Kosova do të ketë ndikimin e saj për hapjen e mundësive të marrjes së borxheve tek institucionet e tjera ndërkombëtare financiare”,- thotë Muhamet Mustafa.
Feith: “Zgjedhjet në Kosovë, në fund të vitit 2011”
Zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë do të mbahen në fund të vitit 2011. Lajmin e ka bërë të ditur përfaqësuesi special i Bashkimit Europian në Kosovë, Piter Feith. Sipas tij, përpara zgjedhjeve duhet bërë regjistrimi i popullsisë. Feith ka njoftuar se do të ketë edhe ngjarje të tjera të rëndësishme, si studimi i qëndrueshmërisë që Kosova të kalojë në procesin e stabilizim-asociimit, i cili do të kryhet këtë vit nga komisioni. “Do të ketë një raport të përparimit. Ka një numër afatesh të rëndësishme që jane vendosur dhe për të cilat duhet punuar”,- tha Feith në një intervistë.
15 Maj 2009