E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Shkëlqimi dhe mjerimi” i studimeve letrare

Arketipet e studimit të letërsisë dhe mangësitë e shfaqura në lëmin e studimeve

Behar Gjoka
Studimet letrare të shqipes edhe gjatë kësaj kohe janë qarkuar nga një situatë e çuditshme, ku përjetohet dhe shpërfaqet shkëlqimi dhe, përngjitur me të, edhe mjerimi i tyre. Kjo dysi e gjendjes së studimtarisë së shqipes, lidhet ngushtësisht edhe me një garë të beftë midis disa institucioneve se kush do të duhet të merret me shkrimin dhe rishkrimin e Historisë së Letërsisë Shqipe, që u shtri në periudhën më të madhe në vitin 2008. Kështu, fillimisht u shpreh Qendra Albanologjike për nevojën e rishkrimit të Historisë. Pas pak iu përgjigj “Albshkenca”, një institucion i ndërthurur, privat dhe me studiues të zyrtarshëm. Pastaj, në muajin dhjetor zhvillon një veprimtari shkencore Filologjiku. Pra, disa institucione, shkollore dhe zyrtare, institucionale dhe private, ishin vënë në garë për të “jeretisur” shkrimin dhe rishkrimin e Historisë Letrare. Prania e kësaj situatë të sjellë ndërmend T. Todorov, teksa shprehet: “ Që të hysh në këtë rrugë, duhet gëzuar lirinë e plotë të shqyrtimit, të pyetjes, të kritikës, të dyshimit: asnjë dogmë dhe asnjë institucion nuk është i shenjtë”, - tek libri “Fryma e Iluminizmit”.

Pas këtyre veprimeve, letrare dhe jashtëletrare, zyrtare dhe private, çfarë ka ngjarë realisht me Historinë e Letërsisë Shqipe? Është një pyetje që rishtas mbetet pa përgjigje. Në këtë zjarrëllimë mëtimesh, më tepër me “lartsynimin” (term i Selman Rizës), se kush do të rrëmbejë dhe mbajë flamurin e shkrimit dhe rishkrimit të Historisë së Letërsisë, ngjau gjithçka në motin e kaluar. Kuptohet vetiu dhe menjëherë se epoka e shkëlqimit të studimeve letrare shqiptare, lidhet kryekëput me dritëzimin e periudhës moniste, që sendërtoi dhe formatoi modelin e Realizmit Socialist. Madje, në disa pikëpamje, edhe i parapriu si udhërrëfyese lëvrimit të saj. Bashkangjitur me të, gjithnjë e më tepër po formësohet edhe mjerimi i studimeve letrare në periudhën pas realizmit socialist, që në fakt përkon me situatën absurde që mjafton të jesh mediatik ose analist, politik dhe social, ambientalist dhe filozofik, mjafton ta ndjesh dhe shpallësh veten studiues, në kuptimin më të ngushtë të kësaj fjale, pra studiues edhe pa vepra dhe pa tituj dhe mandej me turrin e parë, të qenies që i di dhe i bën të gjitha, mund të shembësh edhe muret e teorive letrare dhe të praktikës shkrimore të përbotshme.

Ideja e Samuel Xhonsonit, teksa shprehet “Pastroje mendjen nga klishetë akademike; një kulturë universitare që çmon më shumë të brendshmet e femrave Viktoriane, sesa artin e Çarls Dikensit dhe Robert Brownig-ut, - tingëllon si një epidemi...”, për akademizmin amerikan që të nxit të vrasësh mendjen për marrëdhëniet e lexuesit me letraren edhe në këtë nahinë tonë. Mendoni për një moment se çfarë meriton akademizmi letrar shqiptar, para dhe pas viteve ‘90?! Kjo ide, aspak e këndshme për t’u marrë me të kaq gjatë, në lidhje me letraren, të cilës e vlen që t’i kushtohet vëmendje si vlerë, kudoqë gjendet, në letërsinë zyrtare dhe anti-zyrtare, të tanishme dhe të së kaluarës. Me tema të veçanta rreth këtij pikësynimi normal të rishkrimit të Historisë së Letërsisë, referuan Sabri Hamiti, Floresha Dado, Ali Xhiku, Ymer Çiraku dhe Bashkim Kuçuku.
Pra, edhe këtu jemi thjesht në një paraqitje të zyrtarshme, kryesisht në kuptimin e nevojës që ka shkolla e lartë, por edhe nivelet e tjera të arsimimit, veçanërisht për Historinë e Letërsisë Shqipe. Në shqyrtimet e tyre, përpos të tjerash, u avit si pa u ndjerë ideja se në Shqipëri nuk paskësh pasur Realizëm Socialist; se ajo periudhë shënokërka më tepër një etapë moderne dhe realiste, në letrat shqipe. Gjithçka mund ta dëgjosh në këtë botë, po që realizmi socialist nuk paskësh qenë në Shqipëri, pra që tani e tutje ai ka mbetur jetim (mbase dobiç), kjo është një shpikje që nuk ka kandar që ta ngrejë, aq më pak kandari i ndryshkur i verifikimeve të zyrtarshme.
Do të ishte me interes të veçantë botimi i atyre punimeve, mbi këtë fakt të dyzimit shkencor, në mënyrë që të mos ua hamë hakun atyre që e nxisin këtë pikësynim, mandej që të bëhej e qartë edhe për opinionin e gjerë se cili është niveli real i shkencëtarëve tanë të letërsisë, ku shqetësimi më i madh i tyre, mbase dhe më kryesori, është që të shpëtojnë nderin e humbur të modelit të realizmit socialist, të malit të librave me poezi, prozë dhe drama në shërbesë të partisë dhe kohës, si dhe të përfundimeve të tyre, gjithashtu ndërhumbura, për ta mbajtur letraren peng i vlerës së hierarkisë së përjashtimit të alternativave letrare. Pikërisht, këto veprimtari, të zhvilluara rrufe dhe me bubullima, e bëjnë të domosdoshëm kundrimin e tabelës dhe të gjendjes së studimeve të mëparshme, por edhe të tanishme. Studimet letrare shqiptare, në nivelin ku gjenden, shpërfaqin dhe dëshmojnë dukuri të habitshme:

- Në vendin tonë ka studiues të cilët i kanë marrë titujt në atë periudhë dhe mbi atë frymë orientuese dhe shqyrtimore, pra në kohën e modelit zyrtar të Realizmit Socialist; shumica e tyre, madje, të gjithë titujt që mund të merren në këtë fushë, që nga kandidat shkencash, doktor, profesor dhe akademik, për më tepër, le të botojnë temat e mbrojtura, në mënyrë që e vërteta të dalë në shesh se këto trofè i kanë marrë në kohën e diktaturës. Nga ajo kohë, e ndritur për tituj, por edhe me jo pak libra, kemi studiues të tillë si Koço Bihiku, Dhimitër Shuteriqi, Razi Brahimi, Adriatik Kallulli, Alfred Uçi, Nasho Jorgaqi, Ali Xhiku, Floresha Dado, Jorgo Bulo, Tefik Çaushi, Frida Zeqo, Ymer Çiraku, Bashkim Kuçuku, Klara Kodra etj. , të cilët, kush më shumë e kush më pak, kanë lënë gjurmët e veta në nivelin që arriti studimtaria e shqipes e asaj periudhe, gjithnjë sipas nevojave të modelit zyrtar, me mbizotërim të botëkuptimit shkencor, që në fakt nënkupton trajtimeve dhe shqyrtimeve sociologjike dhe ideologjike.
Arrijmë në këtë përfundim nisur nga fakti i librave dhe leksioneve të mbajtura rreth letërsisë dhe shkrimtarëve të letrave shqipe, gjithëkohorë dhe gjithëhapësinore. Megjithatë, krahasuar me kohën kur po flasim, pra me periudhën e kritikëve dhe studiuesve pa asnjë vepër dhe me tepër me ndoca lidhje administrative dhe burokratike me letërsinë, pjesa më e madhe e tyre kanë libra dhe tekste, në kuptimin historik dhe monografik, gjithnjë brenda optikës sociologjike dhe ideologjike të kohës, madje kanë trajtime të jo pak dukurive letrare dhe të jetëshkrimit të pjesës dërrmuese të shkrimtarëve të së kaluarës; por ata kanë dhënë gjithashtu një kontribut të “paçmuar” edhe për shkretimin e letrave shqipe, në vepra dhe autorë, si dhe për të projektuar “Sistemin Letrar Përjashtimor”, si një mënyrë efikase e ndalimit dhe mallkimit të jo pak vlerave letrare, të përkundërta nga modeli zyrtar, mallkimin dhe ndalimin e letrares të së kaluarës dhe të asaj bashkëkohore, në letrat shqipe dhe botërore. Në ndonjë rast, gjatë kësaj kohe, kur shumica e tyre është fshehur nuk dihet se ku, u shpërfaq edhe rrekja për të riformuluar qëndrimin ndaj letrares, në varësi të kohës dhe përmbysjeve që ndodhën në Shqipëri dhe më gjerë, siç ka ngjarë me ndonjë tekst të Alfred Uçit, Floresha Dados e ndonjë tjetri, por në përgjithësi studimet e kryera përpara viteve ’90 mbeten peng i botëkuptimit, personal dhe të kohës, që i solli në skenën e studimeve letrare të shqipes.

- Kemi studiues që i kanë marrë titujt në këtë kohë, si Aurel Plasari, Shaban Sinani, Ardian Klosi, Ardian Vebiu, Gjovalin Kola, Ardian Marashi, Persida Asllani, Dhurata Shehri, Kristaq Jorgo e ndonjë tjetër, ndokush me laurim edhe jashtë vendit, të cilët përfaqësojnë një grupim më të hapërdarë dhe pa unitet, krahasuar me grupimin e parë, që për hir të së vërtetës, fillimisht u desh që të shtronin udhën në të cilën do të duhej të ecte shkenca letrare e shqipes, e mandej të hidheshin në shtegtimin e trajtimeve të reja të procesit krijues, tashmë si tekste letrare, por një pjesë e tyre gjatë kësaj kohe janë hedhur në pozicione opinionistësh dhe verifikuesish të historisë, apo thjesht si komentatorë gazetash, por, edhe kanë marrë pozat e administratorëve të “burokracisë letrare”, ngjashëm me tipin e parë, çka ka prodhuar një simbiozë dhe unitet midis studiuesve të botëkuptimit monist me studiuesit e botëperceptimit semiotik. Krahasuar me tipin e parë të studimeve dhe studiuesve, ky brez qëndron në pikën e risjelljes së përvojës dhe dijes letrare bashkëkohore, si shenjë dhe frymë e verifikimit dhe vlerësimit të letrares, megjithëse në shumicën e vet, si një stolì dhe ornament zbukurimor i “shqyrtimeve” eseistike dhe rastësore, por pa ia mbërritur ende që ta sundojë, letrarisht dhe shkencërisht, skenën e shqyrtimit letrar.

- Në këtë Shqipërinë tonë, ka edhe studiues që, ndonëse nuk kanë tituj (që nuk do të thotë se nuk do t’i marrin ose edhe i kanë marrë), nuk kanë as libra të botuar (çka nuk i pengon që t’i shkruajnë), përmbi trajtimin dhe shqyrtimin e letrares, por më tepër mbulojnë fushat e analistëve, megjithatë pa kurrfarë droje marrin përsipër të udhëheqin studimet letrare, madje edhe t’i gjykojnë ato. Kështu, pedagogu i gazetarisë, Mark Marku, një njeri i lidhur me letërsinë, me studime të kryera jashtë, me kontribute të shquara në fushën e gazetarisë apo të etikës së saj, gjithnjë e më shpesh, në media paraqitet edhe si poet dhe shkrimtar, si kritik dhe studiues i madh dhe i njohur i letërsisë shqipe. Jam i sigurt që i ka të gjitha shanset dhe gjasat që të realizojë studime serioze, libra dhe trajtime të zgjeruara; por vetëm ndonjë parathënie, qoftë edhe për librat e Kadaresë, s’mjafton për ta ngritur deri në nivelin e studiuesit, së paku po të nisemi nga kriteret formale, që studiues nuk mund të shpallesh, por je i tillë nëse ke libra të botuar ose të dorëshkruar, por edhe nëse mban tituj shkencorë në këtë fushë, të cilat jam i sigurt që i ka të gjitha mundësitë që t’i ketë. Nuk diskutohet e drejta e shprehjes rreth problemeve letrare, të shkrimit dhe mosshkrimit të historisë së letërsisë, të situatës në të cilën noton letrarja në këtë “gjolin” e letrave shqipe, por kur nuk ke këto atribute, formale dhe përfaqësuese, vihet në dyshim prania si kryetar i jurive të Ministrisë së Turizmit Kulturor, e cila në çmimndarjet e fundit “emëroi” si fitues më tepër emrat dhe famën, letraren dhe jashtëletraren, si dhe la pa çmime prozën e shkurtër dhe letërsinë për fëmijë etj.

- Kemi edhe shkrime të ndryshme të poetëve dhe shkrimtarëve, të cilët kanë të drejtë të shkruajnë çfarë t’u dojë zogu i qejfit, e ndonjëri kësosh është deputet ose këshilltar, por parashtrimet shkencore, të fushave të shkencës letrare, nëse ka një të tillë, makar nëse mendojmë se ka gjasa që të ketë nevojë për një verifikim shkencor të letrares në letrat shqipe, kërkojnë medoemos edhe një trajtim më të thelluar shkencor dhe jo thjesht të shprehësh disa mbresa dhe përshtypje, mllefe dhe antipati të çuditshme, çka kemi parë gjer më tash të shpalosur me teprì, në median vizive dhe të shkruar.

- Ka edhe studiues të tipit të analistëve të gjithëdijes, që flasin për gjithçka, nga politika deri tek besimi fetar, nga filozofia gjer tek letërsia, por edhe të tipit të botuesve, të cilët, në shumë raste, e braktisin pozicionin e tyre të “menaxherit” të librave dhe futen në “livadhin” stërmundues të studimit dhe kritikës letrare; po ashtu, edhe një soj gazetarësh, në jo pak raste, marrin përsipër jo vetëm të mbyllin portën për trajtime serioze të shqyrtimit të letrares, por me opinionet e tyre mesatare (term i Milan Kunderës tek libri Arti i Romanit), rreken më kot t’i paraqesin si përfundime shkencore përjetimet e tyre të një leximi diagonal nën avujt e promovimeve bajate.
Skenën e shqyrtimeve letrare, në këto momente, realisht e sundojnë dy grupime: studiuesit që kanë titujt dhe vepra, shumicën të shkruara dhe konceptuara në periudhën e realizmit socialist; si dhe studiuesit e mediatikshëm, që nuk kanë as tituj e as vepra të botuara në lëm të studimtarisë letrare të shqipes. Pavarësisht këtij fakti, të dy këta grupime, të ndarë ose të bashkuar, tashmë edhe prej faktit se në shumicën e vet kanë pushtet, administrativ dhe shkencor, politik dhe mediatik, do të duhet të shqyrtojnë dhe t’u përgjigjen këtyre pyetjeve thelbësore letrare, përpara se sa ta shkruajnë dhe rishkruajnë Historinë e Letërsisë, jetike për fatin e letrave shqipe:
****
- A e konsiderojnë me vlera letrare periudhën e parë të letrave shqipe, më saktë librat dhe tekstet e Buzukut, Matrangës, Budit, Bardhit dhe Bogdanit, apo vijojnë qëndrimin e studimeve zyrtare të realizmit socialist se ajo etapë themelvënëse në shkrimin e gjuhës dhe letërsisë shqipe, thjesht përbën fakt historik dhe gjuhësor?
- A ka pasur ndikim modeli i realizmit socialist në letërsinë shqipe, deri në ç’masë dhe sa ka ndikuar ajo mënyrë shkrimore për të larguar alternativat e tjera letrare? Çfarë kuptojnë studiuesit e zyrtarshëm me termin letërsi bashkëkohore? mos vallë, si të tillë, ata dhe të ngjashmit e tyre numërojnë vetëm D. Agollin dhe I. Kadarenë, dy korifej të realizmit socialist, ndonëse ata kanë shkruar edhe tekste me vlera letrare?
- A kanë hequr dorë nga trajtimi i letërsisë shqipe si letërsi e ndarë me kufij shtetërorë (kur në fakt ka rënë “muri i Berlinit” shqiptar), pra shkrimi dhe rishkrimi i historisë letrare që shkruhet në gjuhën shqipe, në trojet etnike dhe në emigracion, ku bëjnë pjesë edhe plejada e poetëve si Esat Mekuli, Azem Shkreli, Beqir Musliu, Farudin Gunga, Ali Podrimja, Rrahman Dedaj, Voreo Ujko, Lluka Perone, si dhe prozat dhe dramatika e Anton Pashkut dhe Teki Dervishit?
- Edhe përsa kohë do të vijojmë që ta lexojmë De Radën, Seremben, Gavril Darën e Ri, si dhe përgjithësisht letërsinë arbëreshe, vetëm si të “përkthyer” nga shqipja në shqipen e njehsuar dhe jo në origjinalin shkrimor të këtyre mjeshtrave të letrave shqipe?
- Deri kur do të mbeten jashtë programeve shkollore, teksteve dhe testeve, shkrimtarët e përveçëm si: Martin Camaj, Arshi Pipa, Kasëm Trebeshina, Ali Asllani, Zef Zorba, Bilal Xhaferri, Frederik Reshpja etj., e jo thjesht të përmenden në gazeta në raste përvjetorësh?
- A janë liruar studiuesit tanë të të dyja periudhave, shkencërisht dhe letrarisht, nga “pengu” se letrarja gjendet vetëm tek një dorë autorësh të gjallë, çka të kujton Zhan Pol Sartrin që shprehet: “...qentë e gjallë kafshojnë luanët e vdekur...” në librin ǒështë Letërsia, si një formulim universal i paradoksit të vlerave letrare?

Këto pyetje dhe të tjera rreth letrares dhe shpërfaqjes së saj në të gjithë historishkrimin pesëshekullor në gjuhën shqipe, pra edhe sepse nuk është dhe aq e re kjo literatura jonë, siç e kundrojnë dhe paraqesin përfaqësuesit e burokracisë akademike dhe letrare, ngandonjëherë dhe shpesh, me atribute të zyrtarshme, pra njerëzit e emëruar në tituj dhe gradime detyrash, bëhen të pashmangshme kur ndesh në tentativa për të nxjerrë “faqebardhë” realizmin socialist, të cilin e kanë futur në muze edhe në Rusi, atje ku lindi në fillimet e shekullit XX.
Midis tyre, pra grupimeve të studiuesve të letrares së zyrtarshme, përveç dallimeve moshore dhe botëkuptimore, vihen re edhe përafrì, siç është fakti se këto “interpretues” përfaqësojnë kryekëput mendimin zyrtar rreth letrares dhe vlerave të saj, pra mendimin e dikurshëm dhe të tanishëm të zyrtarizuar. Vini re dhe mos e harroni, vetëm të zyrtarizuar dhe që përjashton çdofarë nuance të tjetërsojshme nga myku i zyrtarshëm. Po ashtu, grupimet ngjajnë edhe në aftësinë për të paragjykuar dhe përjashtuar alternativat e tjera letrare dhe shqyrtimore, që bien ndesh me botëkuptimin e modelit të realizmit socialist apo të “realizmit demokratik”, pra duke e rreth-qarkuar kështu letraren, shqyrtimin dhe verifikimin e saj, me prangime të pafundme.
***
Janë këto përngjasime, si dhe qenia e tyre si të zyrtarshëm, pra të mveshur me pushtet, akademik, pedagogjik dhe politik, shkencor dhe mediatik, me tituj dhe pa tituj, me libra dhe pa libra, që e bën të pashmangshëm sqarimin e “hijedritave” të studimeve letrare, qoftë si tekste, por edhe si autorë, në mënyrë që të mos vijohet me ecjen në ujërat e ndotura të letrares shërbestare e kohës, e sistemeve dhe ideologjive mjerane, e qeverisjeve dhe anti-qeverisjeve konfliktuale, provinciale, fetare dhe dogmatike. Studimet letrare, në letrat shqipe dhe kudo, asnjëherë nuk kanë pasur vetëm hipotekë zyrtare, ose më liksh ende, tashmë të kenë vetëm hipotekën e “kështjellës” së pamposhtur të realizmit socialist, që gradoi doktorët dhe profesorët tanë, dhe këta po emërojnë doktorët e “demokracisë” letrare.
E dimë, e prekim ende se çfarë mjerimi solli pikërisht verifikimi zyrtar në fatin dhe ekzistencën e letrave shqipe, pa dallim krahine, besimi dhe varianti letrar. Studimet zyrtare, të para viteve ’90, mjerisht edhe të kësaj ndërkohje, në shumicën e formatit të tyre, më tepër analizuan dhe shqyrtuan letërsinë shqipe si vlerë e përjashtimit, e shmangies nga hierarkia, madje e përzënies nga panteoni i letrave shqipe, duke e lënë realisht në prehrin e modelit të realizmit socialist. Kontributi i tyre lidhet ngushtas me lënien në hije të gjysmës së vlerave letrare, pra me një “harresë” të zyrtarshme.
Nga kjo panoramë e shkurtër prekim e kuptojmë edhe mjerimin e tanishëm ku ende noton shkenca letrare, studimet letrare, të cilat kanë me teprì studiues me tituj dhe pa tituj, me emër dhe famë, me libra dhe pa libra, por me fare pak prurje në verifikimin e letrares si tekst. Studimet letrare në këto momente gjenden në udhëkryqin ekzistencial, që të ndahen nga kërkimet letrare vetëm në optikën sociologjike dhe dogmatike, apo të dyzohen duke mbetur në ato nivele përjetësisht, ose më keq ende, të ngjasë shkrirja dhe gërshetimi i studiuesve të hershëm të tipit të sociologjikshëm dhe të ideologjikshëm, me studiuesit e mediatikshëm, që kanë vënë makiazhin e semiotikës, madje herë-herë edhe e shpërndajnë tisin e saj nëpër gazeta dhe në ndonjë libërth, por pa kryer shkëputjen e domosdoshme, që do të krijonte gjasat për të ardhur edhe studimet letrare të shqipes në nivelin bashkëkohor.

Box 1
Shkrimi i historisë së letërsisë, ftesë për debat

Gazeta është e hapur ndaj reagimeve apo opsioneve lidhur me shkrimin e mësipërm si dhe për çështje të tjera që kanë të bëjnë me shkrimin e Historisë së Letërsisë shqipe. Idetë e hedhura në artikullin “Shkëlqimi dhe mjerimi i studimeve letrare”, në këtë rast, shërbejnë si një ngacmim për të futur në një rrugë debatesh prej profesionistësh të çështjes që është debatuar dhe mbyllur disa herë.
Redaksia fton që të bëhen pjesë e forumit akademikët apo profesorët, pedagogët e universiteteve apo edhe ekspertët e studimeve letrare.

Për çdo gjë, na shkruani në adresën e e-mail-it, kryeredaktoralbania@yahoo.com

15 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›