Vizita në Beograd, Jeremiç i padëshirueshëm edhe për Bajden
Pas refuzimit nga ana e Sekretares amerikane së Shtetit Hilari Klinton, ministri i Jashtëm serb Vuk Jeremiç ka marrë refuzimin e radhës nga zëvendëspresidenti amerikan Xho Bajden, i cili pritet të vizitojë Serbinë këto ditë. Bajden në këtë vizitë do të takohet vetëm me presidentin Borsi Tadiç dhe me ministrin e Mbrojtjes Dragan Shutanovaç, duke lënë mënjanë Jeremiçin. Lajmi u bë i ditur nga e përditshmja “Borba” duke iu referuar burimeve të saj. Gazeta sqaron se për Jeremiçin historia po përsëritet, sepse njësoj ka ngjarë edhe gjatë vizitës së kryeministrit kroat Ivo Sanader në Beograd, i cili kohë më parë kishte pranuar të vinte për vizitë në kryeqytetin serb, por me kusht të mos e takonte Jeremiçin, të cilin e kishte cilësuar si përgjegjësin kryesor për përkeqësimin e raporteve mes dy vendeve që kur Kroacia kishte njohur pavarësinë e Kosovës. Gazeta po ashtu kujton një skandal të ministrit gjatë vizitës së tij në Uashington, kur kishte gënjyer se kishte takuar këshilltarin e nënpresidentit amerikan Bajden, Antoni Blinken. Më vonë rezultoi se nuk ishte zhvilluar asnjë takim mes të dyve edhe pse Jeremiç komunikoi në media të kundërtën.
Ivanov: “Mungesa e Sejdiut në inagurim, gabim burokratik”
Presidenti i ri i Maqedonisë, Gjeorgje Ivanov ia la përgjegjësinë kryetarit të parlamentit Veljanovski, për mungesën e presidentit kosovar Fatmir Sejdiu gjatë ceremonisë së betimit të tij. Ai e cilësoi mospraninë e Sejdiut një gabim burokratik. I pyetur për këtë çështje në Bruksel, Ivanov tregoi se ftesa ndaj Sejdiut është një nga angazhimet e ditës së tij të parë si president.
“Ceremonia u organizua nga presidenti i asamblesë së republikës maqedonase dhe presidenti i asamblesë dërgoi ftesat ndaj gjithë të ftuarve. Pas ceremonisë, kjo është dita ime e parë në detyrë dhe gjeja e parë që do të bëj është dërgimi i ftesës ndaj presidentit të Kosovës dhe takimi ka mundësi të mbahet në fund të këtij muaji”,- tha Ivanov. Presidenti e bëri këtë deklaratë gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me shefin e diplomacisë europiane, Solana. Delegacioni maqedonas ku merr pjesë dhe kryeministri Gruevski është takuar dhe me komisionerin Oli Rehn, si dhe kryeministrin belg.
15 Maj 2009