Java e kinemasë Kubane, vjen në ekranin e Marubit
Sot në kryeqytet starton Java e kinemasë Kubane, e cila do të organizohet nga 5 maji në kinemanë e Filmit dhe Multimedias Marubi. Ky aktivitet vjen si një iniciativë e shoqatës së miqësisë Shqiptaro-Kubane me mbështetjen e Institutit Kuban të Arteve dhe Industrisë Kinematografike (ICAIC) dhe ambasadës së Kubës në Bullgari. Nga organizatorët bëhet e ditur se përgjatë kësaj jave, e cila zhvillohet në kuadër të 50-vjetorit të ICAIC dhe miqësisë mes popullit shqiptar dhe kuban do të shfaqen të titruara në shqip disa filma nga filmat më të njohur kubanë.
Mes filmave të përzgjedhur që do të shfaqen gjatë këtyre ditëve janë Hello, Heminguej, Fresa y Chocolate, El Benny dhe Suite Habana etj. Gjatë shfaqjes së këtyre filmave pritet të jenë të pranishëm dhe regjisorë dhe emra të njohur të kinematografisë Kubane. Për publikun kryeqytetas kjo javë e kinemasë kubane do të jetë një eveniment më shumë në axhendën kulturore të kryeqytetit. Filmat do të shfaqen sipas këtij programi Hello, Hemingway 5 maj, Fresa y Chocolate 6 maj, El Benny 7 maj, Suite Habana 9 maj. Të gjithë këto filma do të projektohen në orën 19 në ekranin e kinemasë Marubi. Subjektet e filmave sjellin histori dhe ngjarje interesante për publikun.Hello, Hemingway ngjarjet vendosen në Havana në vitin 1956. Larita, një fqinje e Ernest Hemingway në Havana është një e vajzë e re e thjeshtë dhe plot dinjitet që përpiqet të mbaroje shkollën e mesme dhe të hyjë në universitet. I ka rënë në duar libri Plaku dhe deti dhe në vetvete ajo po ngre një paralelizëm ndërmjet jetës së saj dhe historisë së peshkatarit plak Santiago. Fresa y Chocolate, ky film sjell historinë e dy qenieve njerëzore në kërkim të hapësirave për të jetuar. Davidi është student i shkencave sociale në Universitetin e Havanës, ndërsa Diego është një homoseksual i cili jeton për ti dhënë rëndësi Kulturës Kubane. I pari hapet ndaj botës së ndërlikuar të marrëdhënieve ndërpersonale, ndërsa i dyti lufton për të qenë i pranuar dhe jo i përbuzur për shijet e tij seksuale. Paragjykime, nevojë për komunikim, situata komplekse të cilat na bëjnë të kuptojmë se solidariteti është një ndër shpikjet më të mëdha të njerëzimit. El Benny, ky film Kuban është realizuar në vitin 2006, me regji dhe skenar të Huan Luis Sançes ( Juan Luis Sanchez), dhe vjen si vepra e parë me metrazh të gjatë i këtij regjisori. Në të sillet një histori e përfytyruar mbi jetën e muzikantit të famshëm Kuban Benny More, ku përfshihen edhe versionet e reja të këngëve të tij, të interpretuara nga muzikantë si: Chucho Valdez, Juan Formel, Haila dhe Orishas.Suite Habana, një prodhim kinematografik, i cili sjell jetët e dhjetë banorëve vendas të ishullit, si rrjedhin ditët e tyre të shoqëruara nga tingujt dhe muzika e këtij vendi. Autori Fernando Perez kërkon të përshkruajë një ditë çfarëdo të disa banorëve të Havanës.