Java e ndodhjeve rezile
Ne thamë njëherë dhe prap themi tashi- ditënemitjet e "çlirimtarit" që turpëroi vullnetin e shumicës së njerëzisë sonë, nuk janë ogure të mira, se asohere të këqijat e guvernës na vijnë palë-palë e sërë-sërë, si erdhën kësaj jave të Shën Kollit ase të Shënëndreut këto të këqijat e radhës. Po kjo liria rezile e "çlirimtarit", që ka qitur fjalë se është "liri, barazi, lumturi..", na bëri rezil javën dhe na bëri fare rezil të gjithëve bashkë e bashkë dhe të gjithëve veç e veç.Dhe, kjo s,është më për t,u duruar..! Dhe, të ngasim tashti fjalën tutje ku e la fleta jonë që vuri në çetele turpërimet e poshtërimet që na sollën kësaj jave ditënemitjet e "çlirimtarit"..
Kësohere, punërat rezile kishin plasur më parë në guvernë dhe në kurt guverne, aty ku e kanë qoshen qibarli ministrat e BDI-së që mbjellin qepë e shkulin hudhra për të shkuar ditën dhe e quajnë guvernisje koalicioni. Kish plasur aty një gërnjë ndërmjet ministrit Sllavevski që pret para dhe i prish ato nga Gjevgjelia gjer më anë të djathtë të Vardarit për njerëzinë e vet dhe ministrit të ekonomisë të BDI-së që Sllavevski na e zgjodhi vetë dhe për vete këtë ministër Tetove me mendjen ekonomike në Strumicë dhe Gjevgjeli të Sllavevskit, njësoj si na zgjodhi për vete dhe për njerëzinë e vet po këtë ministër edhe Cërvenkovski në guvernën e vet. Se "çlirimtari" që thoshte se për "luftë" i zgjodhi djemtë më të mirë të njerëzisë sonë, në guvernë çon "djemtë më të mire" që ia zgjedhin të tjerët, dhe si ia zgjedhin, edhe ia marrin për vete.Se të tillët, kur pinë ujë Strumice, u vjen sikur pijnë ujë Lete dhe bëjnë e harrojnë Tetovën e njerëzinë tonë që e kujtojnë vetëm asohere kur u shkojnë sytë në xhepe të saj. Po kjo gërnjë mes këtyre dy ministrave, të cilëve, ka vjete që u ka ujdis gjaku si tenxherja dhe kapaku, në nisje ish pak e pabesuar që të ketë plasur. Këtë e thoshin ca shkronjëtorë gazete që kishin ca shënime rreth kësaj "ujdisje gjaku" ndërmjet tyre, dhe që dinin si ujdisen punërat për të zënë poltronë guverne.Dhe, kjo kish qenë sikështu: ky i pari , Sllavevski, që kish sharë këtë të dytin e të vetin, ministrin e BDI-së, kish qenë mentor i doktoranturës i këtij të dyti , si kanë bërë edhe dy-tre ministra të tjerë ekonomie të njerëzisë sonë , dhe që asohere kish parë "zotësinë" dhe vizionin e tij për të ndrequr 60 hidrocentrale të vogla nga ana e djathtë e Vardarit gjer në Gjevgjeli me ujërat që burojnë që nga Shari gjer në Korab dhe e kish marrë me mend se këtë mund ta zërë edhe uji i Strumicës sikur ta ketë zënë edhe ujë i Letës në veprën e Dantes , dhe e merr ministër në guvernë. Paskëtaj, si i thonë fjalës ca shkronjëtorë gazete, kur e shoqja e këtij të parit, duket të ketë bërë ca dallavere në bankën ku punon, ky i dyti ka gjasa t'ia ketë mbuluar si ministër ekonomie dhe e bëjnë punën paq ndërmjet tyre-më rrove të rrova, brisku i berberit..! Dhe, tashi janë të liruar edhe të shahen mes tyre,i pari t,i thotë të dytit "malok" sikundër i tha dhe ta lërë pa rrogë ministrinë e këtij ,njësoj si i ngjan një hyzmeqari..! Sa u harrua kjo ndodhje, plasën në fletë gazete ndodhje të tjera rezile që e turpërojnë lirinë rezile të "çlirimtarit" që na çan kokën duke thënë se e madhja dhe e vogla, si e ka shpallë njerëzinë tonë në Kushtetutë ky "çlirimtar", janë barabar, janë të njënjëshme!.Kështu, MASHI që nuk don të na quajë për të gjallë si njerëzi, ndan 1630 bursa studentësh dhe prej gjithë këtij numri vetëm 30 i ndanë për studentët e njerëzisë sonë, njësoj sikur bën edhe me ndreqjen e shkollave të reja-dhjetë për maqedonasit, një palë themele shkolle për shqiptarët,që të ndreqen për dhjetë vjet, aq sa duhet të çelin kurbete hajdutërie ministrat e njerëzisë sonë që janë në guvernë dhe ata që do vijnë nga partia tjetër e njerëzisë sonë, si dëftejnë punërat që kanë bërë gjer tashti, aniqë që rrijnë të ndarë e të çarë mes tyre, se hajduti hajdutin nuk e vjedh dhe ky bashkim heshturazi në hajdutëri bëhet shkas për "bashkim kombëtar", si e ka për zemër njerëzia jonë "heroike", të cilën kjo mendje e vet kështu e mori në qafë..Prandaj edhe ndreqja e shkollave për njerëzinë tonë vjen si legjenda e Kalasë së Rozafës dhe nuk do qëndrojë mbarë kjo ndreqje gjersa nuk do vihet në themel të saj ndonjë kurban hajdutërie!
Punë rezile ish edhe ajo e ministrit të shëndetësisë të BDI-që hoqi nga posti një mjeke të aftë të njerëzisë sonë që e "prish vizionin e tij" mbi menaxhimin[ dhe e këmben me një mjek të VMRO-së, që një perendi dhe ky minister vetë mund ta dijë se ç'zotësi më tepër ka prej mjekes sonë.Shkronjësit të këtyre radhëve, dorën në zemër ,i vjen keq që këtë ministër vërtet të aftë për moshën që ka, e pa të bjerë në lak të dredhimeve të ditënemitjeve të "çlirimtarit" të tij me Gruevskin…!
Gjithë e gjithë, ndodhjeve rezile të javës kapakun ua vuri pjekja e "çlirimtarit" të paqes servile me zotërinë e tij Gruevskin, kur ky ia ktheu pa firmosur ca emra shkretanash për poste, pa ia njohur meritën "çlirimtarit" që për hatër të tij Tetovën me shumicë të njerëzisë sonë dhe tashi edhe Strugën e Dibrën, e mbushi me poste me shumicë të njerëzisë së VMRO-së nga Shkupi. Këto pjekje na trishtojnë dhe na turpërojnë sa herë që bëhen, tek e shohim "çlirimtarin" të unjur si mjeran përballë tij, me shikim sysh që lëvrijnë lepurisht, që dëftehet si shenjë se " ky vdes pa vdekur" në çdo pjekje me frikën e turpshme të përunjes dhe kjo ka një histori që e di Gruevski si e dinte edhe Cërvenkovski, prandaj edhe lozin kështu kaladibrançen me të…!
Mirë shkruan,-më thotë një këndonjës i të shkruarave të mia,-po sa para bën kur "çlirimtarit" nuk i ftohen fare fasulet nga shkrimet e tua, dhe ai bën tutje duke i duartrokitur mendjes së vet.-Animirë, i them, le t'i grahë mushkës së mendjes së vet "çlirimtari" gjersa t'i dalë gjumi i egjrës njerëzisë sonë e të marrë t'i jape një të shtymë "çlirimtare" vetë "çlirimtarit" që na sillet si qole pushtuesi, dhe gjer ahere do shkruajmë, që të mbeten, si i thonë fjalës në Frëngji…!
Marrë nga e përditshmja e Shkupit “Koha”