E Shtunë, 31 Tetor 2026

Marrja e lejes së ndërtimit, Shoqata e Ndërtuesve kërkon saktësimin e kritereve

Lejet e ndërtimit sipas ligjit të ri do të merren për 50 ditë. Për të marrë një leje ndërtimi nuk do të ketë më shtyrje abuzive

Ervin Koçi

Edhe pse nuk janë kundër vendimit të qeverisë për të shkurtuar afatin ligjor për marrjen e një lejeje ndërtimi, përsëri përfaqësuesit e ndërtuesve kanë shprehur rezervat e tyre përsa i përket ligjit. Sipas Shoqatës së Ndërtuesve, është e rëndësishme që më përpara shmangies së burokracive të bëhet përcaktimi i saktë i kritereve për të përcaktuar firmat ndërtuese dhe standardet që ato duhet të plotësojnë. “Është shumë e rëndësishme që të shmangen burokracitë dhe pengesat për marrjen e një lejeje ndërtimi nga një firmë ndërtuese, por më parë duhet të përcaktohen qartë të gjitha kriteret që duhet të përcaktojnë një firmë ndërtimi. Kjo gjë duhet të bëhet nga një grup ose institucion i posaçëm specialistësh të ndërtimit dhe urbanistikës, me qëllim që të mos lejojmë firma abuzuese”, - ka deklaruar për median zëvendësdrejtori i Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë, Ilir Hebovija. Sipas Hebovijës, është e rëndësishme që Shoqata e Ndërtuesve të jetë pjesë e procesit të identifikimit dhe përcaktimit të kritereve për firmat e ndërtimit me qëllim që tregu i ndërtimit në vend të shkojë drejt një formalizimi. “Amendamenti i nxjerrë nga qeveria duhet të përsoset me nene të tjera me qëllim që të kemi të bëjmë me një treg ndërtimi në vend sa më të rregullt dhe jo informal. Për këtë ne si shoqatë i kemi kërkuar dhe sugjeruar qeverisë që të bëhemi pjesë në përcaktimin dhe testimin e kritereve për firmat e ndërtimit duke eliminuar nga tregu ato fantazma”, -tha më tej Hebovija.

Lejet e ndërtimit

Një vendim i posaçëm për marrjen e lejeve të ndërtimit po hartohet nga Këshilli i Ministrave dhe ai pritet të kalojë për miratim në mbledhjen e radhës në fillim të muajit dhjetor. Sipas kryeministrit Berisha, “vendosja e praktikave të reja për lejet e ndërtimit krijon raporte të drejta dhe të ndershme me sektorin privat”. Bëhet fjalë për një afat 50-ditor, që konsiderohet kohëzgjatja maksimale që i duhet burokracisë shtetërore që të lëvizë hallkat e saj për të miratuar apo hedhur poshtë, kërkesën për ndërtim që një subjekt privat depoziton. Në ditën e 51-të, në rast se autoritetet përkatëse shtetërore, nuk e kanë miratuar apo nuk e kanë rrëzuar këtë kërkesë, duke mos dhënë argumente me shkrim si përgjigje, atëherë në bazë të vendimit që është duke u përgatitur dhe po i jepet dora e fundit, do të aplikohet pranimi i heshtur, pra leja subjektit i jepet “në heshtje”. Kjo do të thotë se në ditën e 51-të, subjekti aplikues për leje ndërtimi, ka të drejtë të nisë menjëherë punimet për objektin që ka kërkuar të ndërtojë, duke mos u ndalur më nga asnjë instancë shtetërore.

Amendamenti

Amendimet në ligjin e lejeve të ndërtimit nuk do të prekin vetëm afatet e dhënies së lejeve, por edhe procedurat. Burime nga Këshilli i Ministrave zbardhin katër ndërhyrjet që do të bëhen në këtë ligj, të cilat, sipas tyre, do të bëjnë të mundur eliminimin e burokracive dhe shmangien e korrupsionit. Kështu, amendimi i parë ka të bëjë me dhënien e lejeve. Nëse deri tani ndërtuesve u është dashur të marrin leje për sheshin dhe për ndërtimin, me ndërhyrjet në ligj do të marrin leje vetëm për ndërtimin. Një tjetër pikë ku do të ndërhyhet është pikërisht momenti pas kalimit të afatit. Kështu, nëse deri tani ligji nuk jepte asnjë shpjegim se si do të veprohej nëse KRRT-ja nuk kthente përgjigje, tani, pas kalimit të afatit, nëse nuk jepet vendimi, ndërtuesi nis punën për ndërtimin. Amendimi i tretë ka të bëjë pikërisht me afatet. Sipas draftit, tani do të duhen vetëm 55 ditë për të marrë përgjigjen dhe këto ditë të llogaritura: 5 ditë për aplikimin për marrjen e lejes, 45 ditë për miratimin dhe 5 ditë për zbardhjen e vendimit. Sipas kreut të qeverisë, në ndryshimet në ligj do të jetë edhe heqja e një sërë dokumentesh, nga 24 që janë tani, në 8.

28 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›