Bosh: “Padia ndaj Avokatit të Popullit, gabim i rëndë”
TIRANË - OSBE-ja mbështet fuqimisht institucionin e Avokatit të Popullit dhe i bën thirrje Policisë ta lërë atë të qetë në ushtrimin e funksionit të tij. Ambasadori Robert Bosh, nisur edhe nga përplasja e fundit e policisë së Shkodrës me Avokatin e Popullit tha dje se policia, edhe pse po punon mirë, duhet të respektojë ligjet mbi të drejtat e njeriut. “Doja të shprehja vlerësimin tim për institucionin e Avokatit të Popullit, i cili duhet të funksionojë pa asnjë lloj kufizimi brenda mandatit të tij, që midis të tjerave përmban edhe kontrollimin e ambienteve të burgimit dhe të paraburgimit”, - tha Bosh. Më tej ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Robert Bosh, tha se “sigurisht e di që policia është duke bërë një punë shumë të mirë, madje shpeshherë shumë të vështirë, por ata herë pas here duhet të inspektohen dhe të kontrollohen, diçka që e parashikon edhe ligji. Për fat të mirë Shqipëria i ka këto mekanizma dhe ato duhen lejuar të funksionojnë pa asnjë lloj ndërhyrjeje”. Duke folur edhe në emër të Këshillit të Europës, Bosh tha se misioni i Avokatit të Popullit ka mbështetjen e këtyre institucioneve. “Unë, si përfaqësues i OSBE-së, edhe pa u konsultuar mund të flasë edhe në emër të Këshillit të Europës. Ne mbështesim fort institucionin e Avokatit të Popullit dhe dënojmë çdo akt dhune apo keqtrajtimi që parashikohet në dokumentet ndërkombëtare të OSBE-së dhe të Këshillit të Europës”, - përfundoi Bosh. Ndërsa vetë Avokati i Popullit kërkoi nga Ministria e Brendshme të prononcohej në lidhje me padinë që policia e Shkodrës ka bërë ndaj institucionit që ai drejton. “Ne shprehëm gatishmërinë tonë për të bashkëpunuar me Policinë e Shtetit. Unë shpreh qëndrimin tim institucional se nuk jam i kënaqur me deklaratën e Ministrisë së Brendshme, sepse në këtë deklaratë duhet të shprehet qëndrimi i Ministrisë së Brendshme dhe i Drejtorisë së Përgjithshme së Policisë së Shtetit në lidhje me padinë që ka bërë Drejtoria e Policisë së Shkodrës ndaj Avokatit të Popullit”, - u shpreh Avokati i Popullit, Ermir Dobjani.
ee
28 Nentor 2008