E Shtunë, 31 Tetor 2026

Planet rregulluese, 4 bashki brenda vitit 2009 do të kenë pamjen e tyre



Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, si dhe përfaqësuesi i kompanisë "Hydea", Alberto Brizio, nënshkruan dje kontratën për hartimin e planeve rregulluese të katër qyteteve, Durrësit, Vlorës, Shkodrës dhe Kamzës. Vlera e kontratës për hartimin e planeve rregulluese të këtyre katër qyteteve është rreth 1 milionë euro, të cilat do të përfundojnë brenda një afati kohor deri më 31 dhjetor 2009.
Ministri Olldashi tha se “në vazhdën e kësaj pakete, ne kemi paketën e dytë, e cila do të nënshkruhet së shpejti edhe për katër qytete të tjera dhe në këtë mënyrë komponenti shkon drejt realizimit tërësor për t'i dhënë disa prej qendrave urbane më të mëdha të vendit planet e përgjithshme rregulluese dhe një zhvillim urban të planifikuar, të kontrolluar dhe të orientuar drejt zhvillimeve që janë paraparë për këto qendra urbane”.
Në kuadër të projektit "Menaxhimi dhe administrimi i tokës", i financuar nga Banka Botërore, Granti Japonez dhe ai Suedez, u nënshkruan edhe kontratat për planet rregulluese të këtyre katër qyteteve, të cilat janë pjesë të komponentit “B” të këtij projekti, me një vlerë totale prej 5 milionë eurosh.

Privatizimi i “ARMO”-s, nënshkruhet marrëveshja e shitjes së aksioneve

Është nënshkruar dje kontrata për shitjen e 85 për qind të aksioneve të shoqërisë “ARMO sh.a.” te konsorciumi “Anika Enterprises SA, Mercuria Energy Group Limited dhe Refinery Associates of Texas”. Zëvendësministri i Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës, Neritan Alibali dhe përfaqësuesi i Konsorciumit, Rezart Taçi, nënshkruan marrëveshjen për kalimin e pronësisë të 85 për qind të aksioneve shtetërore të “ARMO”-s te ky konsorcium. Ky kalim pronësie bëhet pas një procesi të gjatë të tenderit ndërkombëtar për shitjen e këtyre aksioneve si dhe pagesës nga ana e konsorciumit të 128.750.000 eurove. Përfaqësuesi i Konsorciumit, Rezart Taçi, ka garantuar respektimin e biznes-planit të dorëzuar në tender dhe investimin e një shume prej 240 milionë dollarësh gjatë 5 viteve në vijim. Zbatimi i biznes-planit, përveç parashikimeve të ndryshme kontraktuale, garantohet edhe nëpërmjet penaliteteve që palët kanë parashikuar në rast moszbatimi të tij. Kontrata i detyron blerësit e “ARMO”-s të mos shesë aksionet e tij pa miratimin e Ministrisë për një periudhë 5-vjeçare. Gjithashtu, Ministria e Ekonomisë, përfiton 100 për qind të dividentit nga “ARMO” deri në ditën kur u bë efektive kontrata.

28 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›