E Shtunë, 31 Tetor 2026

Falsifikonin dokumentet për kredi, arrestohen Elvis Kosova dhe Agron Isiu

Administratori i një firme ndërtimi nxori për 4 persona kredi me letra false. Policia e Tiranës çoi në qeli edhe bashkëpunëtorin e tij

Tiranë - Falsifikonin dokumentet për marrjen e kredive konsumatore dhe dje policia i ka vënë në pranga. Pas operacionit të koduar “Dosja e bardhë” uniformat blu kanë vënë në pranga 2 persona. Policia e Tiranës çon në qeli administratorin e një firme ndërtimi, pasi mashtronte me kreditë. Elvis Kosova, 22 vjeç, administrator i firmës “Elvis sh.p.k” dhe Agron Isiu, 25 vjeç, janë arrestuar ditën e djeshme pasi akuzohen për “mashtrim me kredi” dhe “falsifikim dokumentesh”.
Operacioni
Burime policore thanë për gazetën se specialistët e Seksionit Kundër Korrupsionit, në bashkëpunim me Njësinë Operacionale, nën drejtimin e Taks-Forcës pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor, realizuan zbatimin e vendimit për procedimin penal të datës 29 prill 2008 për dy shtetasit. Të njëjtat burime saktësuan se ky procedim ka filluar për veprat penale të “korrupsionit pasiv dhe aktiv në sektorin privat”, “mashtrim në kredi” dhe “falsifikim të dokumenteve” në bashkëpunim. Pak ditë pasi kanë zbuluar vendndodhjen e të proceduarve uniformat blu të Tiranës kanë nisur operacionin “Dosja e bardhë”, ku u bë ekzekutimi i urdhrave të ndalimit të prokurorisë për Isiun dhe Kosovën, lindur dhe banues në Tiranë. Këta shtetas akuzohen se në bashkëpunim me njëri - tjetrin përgatisnin dokumentacion me dokumente të falsifikuara për persona të ndryshëm që aplikonin për kredi në shuma prej 1.000.000 lekësh, kundrejt përfitimit të përcaktuar prej tyre. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një mjet tip “Audi S4”, me targa DD 982 MK. Vazhdon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.
Falsifikimi
Klient i rregullt banke, madje i klasifikuar te “VIP”-at, Elvis Kosova i kishte siguruar vetes privilegje në një bankë për shkak të firmës së ndërtimit që ai drejtonte. Megjithëse 22 vjeç, ai ka shfrytëzuar këtë status, duke inskenuar një skemë të tijën mashtrimi me kreditë. Me anë të dokumenteve false, 22-vjeçari pajiste me kredi shtetas të ndryshëm. Në bashkëpunim me 25-vjeçarin Agron Isiu, Kosova dyshohet të ketë pajisur me kredi katër persona. “Kosova siguronte dokumente false me anë të të cilave bënte pronarë tokash, apartamentesh e lokalesh, persona të ndryshëm. Duke i dorëzuar këto në bankë ai mund të siguronte shuma të konsiderueshme këtyre personave, të cilët nuk mund të shlyenin më pas kreditë në bankë”, - thanë burimet policore. Të njëjtat burime thanë se pajisja me dokumente false dhe puna në bankë ishte e Kosovës, ndërsa Isiu kishte për detyrë të gjente klientë.

Greqi, vdes shqiptari, e zë masivi i dheut në punë

Një emigrant shqiptar në Athinë ka gjetur vdekjen gjatë kohës që ai punonte, pasi një masiv dheu e ka zënë atë poshtë duke e groposur të gjallë. Bëhet fjalë për Bilbil Bashën, nga Kruja, i cili punonte në Athinë. Mbi 60 zjarrfikës dhe anëtarë të ekipit të shpëtimit, bashkë me një qen nuhatës kanë marrë pjesë në operacionin për gjetjen e trupit të emigrantit shqiptar. Ngjarja tragjike ka ndodhur në mëngjesin e ditës së djeshme në lagjen “Neo Psiqiko” të Athinës, ku emigranti shqiptar punonte me një brigadë, në themelet e një pallati. Papritmas një mur dhe një masë e madhe dheu kanë rrëshqitur dhe e kanë varrosur atë për së gjalli në një thellësi prej 4 metrash nga niveli i tokës. Megjithëse ekipet e shpëtimit kanë mbërritur shpejt në vendngjarje nuk ka pasur asnjë mundësi shpëtimi për të. Trupi i emigrantit shqiptar është gjetur pa jetë pas disa orësh. Ngjarjen e kanë transmetuar pothuajse të gjitha mediat greke. Trupi i pajetë i emigrantit u dërgua në spital dhe më pas në morgun e kryeqytetit, ku po kryhen procedurat e riatdhesimit. Ajo që vunë në dukje mediat greke është fakti se grupet e shpëtimit kur mbërritën në vendngjarje nuk gjetën asnjë prej drejtuesve teknikë të ndërtimit, ndërsa e gjithë brigada e punëtorëve përbëhej nga emigrantë të huaj. Organet greke të rendit kanë deklaruar se kanë filluar menjëherë një hetim për t’u gjendur fajtorët duke hetuar gjithashtu nëse janë ruajtur edhe masat e sigurisë në punë. Sipas të dhënave të “Eurostat”-it në Greqi ndodhin rreth 35000 aksidente në punë prej të cilave rreth 150 janë vdekjeprurëse. Shumica e rasteve tragjike ndodhin në sektorin e ndërtimit, ku punon edhe një pjesë e madhe e emigrantëve shqiptarë.

28 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›