E Diel, 1 Nëntor 2026

Vizita në Turqi, Presidenti Topi fton investitorët turq në Shqipëri



Nga Stambolli, ku ndodhej në ditën e dytë të një vizite zyrtare në Turqi, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, u bë “avokat” i reformave të Shqipërisë. Duke vënë në pah klimën e favorshme të të bërit biznes, kuadrin e duhur ligjor dhe lehtësirat fiskale në Shqipëri, presidenti Topi i ftoi investitorët turq që të rrisin praninë e tyre në vendin tonë.
Sipas presidentit, "marrëdhëniet politike duhet të shkojnë në sinkron me ato ekonomike". "Politika pa biznesin, – tha presidenti, – do ishte një demagogji, do të ishte retorikë". Në faktorët që duhet të nxisin biznesin turk të investojë në Shqipëri, presidenti Topi renditi ndryshimin pozitiv të klimës së të bërit biznes, barrën e ulët fiskale, reduktimin e barrierave procedurale administrative, të drejtat mbi pronën dhe titujt e pronësisë që kanë hyrë në procesin e standardizimit, reformimin e sistemit të drejtësisë, një rënie të dukshme të korrupsionit dhe një forcim të shtetit ligjor. Turqia është aktualisht një partner i rëndësishëm ekonomik e tregtar për Shqipërinë, duke zënë përkatësisht vendin e tretë në investime dhe në totalin e shkëmbimeve tregtare. Kurse marrëdhëniet politike konsiderohen të shkëlqyera, ku vetëm tre ditë më parë Turqia ratifikoi Protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.

28 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›