E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jegeni: Në '78 erdhën eshtrat e Abdyl Frashërit nga Turqia, internohet mbesa

Orhan Jegeni, kështu quhet njeriu më i afërt i trungut të Frashërllinjve të njohur. Mund të duket larg në histori, madje mund të duken tashmë edhe si emra abstraktë për shkak të periudhës së hershme kur ata kanë jetuar dhe kanë kryer aktivitetin e tyre, madje aq pak njihesh me rrethin e tyre gjenetik, sa shumë thjesht mund të mendosh se nuk kanë kënd që mund të jetë kaq i afërt në lidhjen e tyre gjakësore. Por jo. Kur ndesh persona konkretë, jo vetëm shokohesh, por edhe çuditesh me të panjohurat që mbështjellin jetën e tyre familjare. Dhe ja, ndërsa takohesh me Orhan Jegenin mëson lidhjen e tij të afërt me Abdyl, Sami dhe Naim Frashërin. As më pak dhe as më shumë, por nëna e tij ishte drejtpërsëdrejti mbesa e tyre. Pra ata ishin xhaxhallarët e nënës së tij, ashtu siç ishte Murat Toptani daja i nënës së tij. E pra, tashmë ke para Orhan Jegenin dhe befasohesh që rilindësit e mëdhenj paskan qenë kaq afër nesh. E ndërsa nuk na janë prezantuar ndonjëherë njerëzit e tyre, tashmë mësojmë edhe për fakte të tjera që s'janë njohur më parë. Kështu, mësojmë se nëna e Orhan Jegenit, që ishte pikërisht vajza e vëllait të Naimit, Samiut dhe Abdylit, në kohën që kanë ardhur eshtrat e Abdyl Frashërit, pra të xhaxhait të saj, ajo e ndiqte që nga internimi, ku ishte dënuar më shumë se një muaj më parë se ai të mbërrinte në Tiranë. Por mësojmë edhe detaje të tjera në lidhje me familjen e tyre. Naim Frashërit i ka vdekur një vëlla dhe pas kësaj ai u detyrua të martohet me të shoqen e tij shtatzënë. Madje vajzën që lindi, Naimi e dha në familjen e madhe të Toptanasve dhe pikërisht te Murat Toptani. Por këtë krushqi e ka pasur një tjetër, se motra e Murat Toptanit u martua me vëllanë e Naimit, nga të cilët lindi nëna e Orhan Jegenit. Pra, ata ishin gjyshërit e tij. Për më tepër le të mësojmë nga intervista ekskluzive e vetë Jegenit, i cili rrëfen për lidhjet dhe të panjohurat e Frashërllinjve të lavdishëm, si dhe historinë e ardhjes së eshtrave të tyre në Tiranë, ndërkohë që mbesa, si i vetmi person më i afërt i tyre, u dërgua në internim. Historia dhe surprizat shokuese mbi atë çfarë ka ndodhur në Tiranë, kur në majin e vitit '78, nga qeveria komuniste po vinin në atdhe eshtrat e patriotit të madh Abdyl Frashëri. Historia e nënës së Orhan Jegenit, si e vetmja mbesë e Abdylit që jetonte në Tiranë, e cila, në momentet e ardhjes së eshtrave të xhaxhait të saj u dërgua në internim, me pretekste qesharake. Situata e vajzës së Sami Frashërit, kur në vitin '78 dërgoi në Tiranë që nga Stambolli djalin e saj, diplomat të shuar të Turqisë, që të merrte pjesë në ceremoninë e rivarrimit të xhaxhait të saj. Çfarë bëri i biri i Sanijes, me detyrën diplomatike ambasador i Turqisë në Paris, kur në ceremoninë e varrimit nuk gjeti njerëzit e afërt të tij, Irfane dhe Orhan Jegeni. Si kishte mundësi që, nga rrethi i fëmijëve të vëllezërve dhe motrave Frashëri, në çastet e rivarrimit të tij të jetonte vetëm vajza e Mehmetit, që ishte pikërisht nëna e Orhan Jegenit. Përse mbesa e Abdyl Frashërit nuk u lejua nga shteti komunist të merrte pjesë në ceremoninë madhështore dhe emocionale të rivarrimit të tij në kodrat e liqenit artificial. 

(Vijon nga numri i kaluar)

Zoti Orhan, siç dihet eshtrat e Abdyl Frashërit në Shqipëri kanë ardhur prej Stambollit në vitin 1978. Çfarë dini hollësisht për atë ngjarje, që në Shqipëri është quajtur ditë e jashtëzakonshme në historinë e rilindjes sonë kombëtare?
Ajo ngjarje ishte vërtet e jashtëzakonshme, jo vetëm për trungun e familjes Frashëri, por mendoj për mbarë kombin. Më në fund eshtrat e Abdylit erdhën në vendlindjen e tij në Shqipëri. Por ajo që do t'ju shtoja dhe cilësoja forcërisht në këtë ngjarje kaq të veçantë është fakti se brenda saj ekziston një paradoks i shëmtuar, që nuk dihet nga opinioni.
Çfarë paradoksi?
Se në kohën që eshtrat e Abdyl Frashërit po ktheheshin në atdheun e tij për t'u rivarrosur në vendin ku kishte lindur dhe kishte bërë aq shumë për të, mbesa e tij, që ishte pikërisht vajza e vëllait, e cila në atë kohë ishte familjarja më e afërt që i kishte mbetur nga fëmijët e vëllezërve dhe motrave, u dërgua në internim. Dhe kjo ndodhi jo në një distancë kohore të mjaftueshme, por pikërisht një muaj para se eshtrat e xhaxhait të saj, pra Abdyl Frashërit, të ktheheshin në atdhe.
Jeni i sigurtë për sa thoni, zoti Orhani?
Jam i sigurtë shumë mirë, se jam duke folur pikërisht për nënën time. Pra mbesa e tij që shkoi në internim është pikërisht nëna ime, Irfania. Ia fillova paksa gjatë, për të saktësuar ngjarjen e Abdyl Frashërit dhe lidhjen e familjes sonë me të.
Pse, ju atëherë keni qenë në internim?
Familja jonë, në vitin 1978, - pikërisht një muaj para se eshtrat e tij të kërkuara që në vitin 1937 të hynin në atdhe, - u internua. Ka qenë data 6 maj 1978, kur makinat "Zis" na u plasën te dera dhe na shkulën nga shtëpia. Është një ngjarje sa qesharake, aq dhe e trishtuar, sa absurde, aq dhe e shëmtuar. Por ja që ka ndodhur, fatkeqësisht.
Arsyeja e iterrnimit kishte lidhje me sjelljen e eshtrave?
Jo nuk kishte lidhje me ate ceremoni por ishte diku tjeter shkaku që nuk është momneti të flitet se ndërrohet tema, por kjo ndodhi në kohën që do vinin eshtrat. Ky është fakti. Dhe më e veçanta akoma është se më mbrapa e hoqën iterrnimin, por në ditët e ceremonisë së bujshme, ne u ndaluam të shkonim. Kjo ishte ajo që duhej të theksoja për të mësuar një të vërtetë të madhe.
Thatë se nëna juaj, si mbesa e drejtpërdrejtë e Abdyl Frashërit, ishte në atë kohë njeriu më i afërt që jetonte nga trungu gjenetik i frashërllinjve?
Po. Nëna ime quhej Irfane dhe siç jua shpjegova edhe nga numri i kaluar, ishte vajza e vëllait të vogël të Naim Frashërit. Ajo ishte vajza e Mehmet Frashërit.
Dhe veç saj nuk jetonte askush tjetër nga trungu familjar i Abdyl Frashërit, të cilin qeveria komuniste po e sillte në atdhe me një pompozitet aq madhështor deri në emocional? Pra pyetja ime ka të bëjë me faktin se, në rivarrimin e Abdylit, që po bëhej me një ceremoni aq madhështore me pjesëmarrjen pothuaj të të gjithë popullit, mungonin familjarët e tij?
Në atë kohë, nga nipërit e mbesat e tij jetonin vetëm vajza e Samiut në Stamboll dhe nëna ime, e cila, siç të tregova u dërgua në internim. Pra nëna ime, që u dërgua në internim vetëm një muaj para se eshtrat të mbërrinin në Tiranë, nuk u lejua të asistonte në rivarrimin e xhaxhit të saj.
Nuk jetonte askush tjetër, në atë brez që ishte nëna tuaj?
Këtu duhet të të kujtoj, se ajo ishte e vetmja familjare e tij që jetonte në atë kohë në Tiranë, pasi e bija e Sami Frashërit, Sanija, ishte shumë e plakur dhe jetonte në Stamboll. Familjarët e tjerë vinin në shkallë të tjera më larg saj.
Dhe askush tjetër, nga gjashtë vëllezër dhe dy motra që ishin ata, nuk kishte më fëmijë të gjallë në atë moment?
Atëherë po jua shpjegoj më hollësisht.
Po?
Kishte jetuar në Tiranë mbesa e Naim Frashërit, Naime Rusi, që ishte pikërisht vajza e vajzës së tij, pra vajza e Nevrezit. Naimeja është e ëma e sportistit të njohur Asllan Rusi. Naimeja, në atë moment që po flasim, pra në vitin 1978 kur po vinin eshtrat e Abdylit, kishte shumë pak kohë që kishte vdekur. Pas saj jetonte nëna ime, Irfania, që jua theksova vazhdimisht që ishte e bija e vëllait të vogël të Frashërllinjve, Mehmetit. Nëna ime kishte vëlla Hysref Frashërin, i cili gjithashtu kishte vdekur vetëm pak muaj para ngjarjes.
Abdyli kishte fëmijë Mit'hatin dhe Eminenë?
Të dy këta, si Mit'hati ashtu dhe Emineja, kishin vdekur në atë kohë. Emineja kishte tre fëmijë. Por në rangun e nënës sime, pra fëmijë të drejtpërsëdrejti të vëllezërve dhe motrave Frashëri janë siç të thashë vetëm Mit'hati dhe Emineja. Se flasim për fëmijët e vëllezërve dhe motrave të Abdylit, si dhe të vetë Abdylit, këta që ishin kushërinj të parë, pra të xhaxhallarëve. Pra këta janë brezi i fëmijëve të tyre.
Ju kuptova ndërsa flisni për nipërit dhe mbesat e Abdylit, që kishin vdekur në atë kohë, veç vajza e Mehmetit, që ishte nëna juaj dhe vajza e Samiut, që ishte Sanija në Stamboll. Po vetë nipër e mbesa nga fëmijët e tij, a kishte ai?
Por meqenëse ne po flasim për Abdylin dhe meqenëse ju bëtë një lapsus nga numri i kaluar në lidhje me fëmijët e Abdylit, për saktësim po ju rishpjegoj, se Abdyli kishte pasur dhe tri mbesa, pra vajza të fëmijëve të tij, por që edhe ato nuk jetonin në kohën kur në atdhe erdhën eshtrat e tij.
Kush ishin dhe mund t'i saktësosh se çfarë mbesash i kishte?
T'jua kujtoj edhe një herë, që dy fëmijët e tij ishin Mit'hati dhe Emineja.
Po siç e dini, Mit'hati nuk u martua dhe nuk la fëmijë. Emineja u martua me Kahreman Vrionin, me të cilin pati tre çupa. Ishte Selmaja e para, e cila ishte martuar me Tajar Zavalanin, të cilin nuk besoj të mos e kesh dëgjuar. E dyta ishte Lilia, e cila ishte martuar me të birin e Murat Toptanit që ishte pikërisht Shadan Toptanin dhe e treta ishte Luluja, e cila u martua me një diplomat anglez që ishte në Shqipëri atë kohë. Ajo, pra Luluja, si u martua me diplomatin, u largua në Angli dhe nuk u bë më e gjallë. Pra, për ta mbyllur këtë detaj, jam duke ju saktësuar se edhe nga trungu i Abdylit nuk jetonte kush në vitin '78 kur eshtrat e tij vinin në Tiranë. Në këtë pikë jam duke ju kujtuar, se jemi duke sqaruar faktin e rëndësishëm, se në atë moment ishte gjallë si njeriu më i afërt i tij vetëm nëna ime.
Ju flisni për mbesat tashmë?
Po pra. Se ka rëndësi kur ti bën ceremoni dhe mbesën e drejtpërdrejtë nuk e fton por e iterrnon kushdoqoftë motivi. Se po të dalësh më tej, pra në një brez më tutje, në atë ceremoni ka qenë e bija e Shadanit dhe Lilisë që quhej Najada. Najada bie stërmbesa e Abdylit.
Kuptova, nga fëmijët e vetë Abdylit. Mund të vazhdojmë me fëmijët e vëllezërve dhe të motrave të tij, që thatë se nuk jetonin në kohën kur kanë ardhur eshtrat në Tiranë, veç nënës suaj?
Motra tjetër e tyre, Nefizeja, s'kishte fëmijë.
Ndërkohë, Sherifi e kishte lënë vajzën në barkun e të shoqes, Asijen, që e adoptoi Naimi pas martesës me të dhe që u martua me Murat Toptanin. Por edhe Asija kishte vdekur.
Nga Naimi, që jua përshkrova më lart, por s'bëj gabim t'jua përsëris prapë, veç Asijes së adoptuar që ju shpjegova se kishte vdekur në kohën që erdhën eshtrat e Abdylit, kishte dhe vajzën e tij gjenetike, Nevrezin, por edhe ajo kishte vdekur në atë kohë. Ishte pastaj Shamishaja, që kishte Vasfi Pashan, i cili gjithashtu kishte vdekur. Fëmijët e tyre ishin të lidhur me Turqinë. Por gjithsesi në atë kohë edhe ata kishin vdekur.
Dhe kështu, në Tiranë s'ishte askush nga ky brez veç nënës suaj?
Ju shpjegova se në Stamboll jetonte e bija e Samiut, Sanija, se dy fëmijët e tjerë të tij, Ali Samiu dhe Sadija kishin vdekur. Por Sanija ishte shumë e madhe në moshë, kështu që në ceremoninë e rivarrimit të xhaxhait të saj në Tiranë ajo mundi të dërgonte të birin e saj, që ishte diplomat.
Kështu, i vetmi familjar që ishte në rivarrimin e eshtrave të Abdylit, të ardhura me pompozitet nga Turqia ku dergjeshin prej vitit 1892 kur kishte vdekur, ka qenë vetëm një stërnip, që ishte i biri i Sanijes?
Po, se Sanija ju thashë që nuk mori dot pjesë për vetë moshën e madhe dhe pamundësinë të vinte nga Stambolli dhe kështu dërgoi të birin. Ndërsa nëna ime, që ishte mbesë e një linje si Sanija, u dërgua në internim dhe kaq ishte e gjitha. Të tjerët, që s'e kishin as gjak e as farë si i thonë fjalës popullore, i bënin ceremoni pompoze dhe i përuleshin si ta kishin baba.
Kush ishte ky diplomat, që ishte i biri i vajzës së Samiut?
Ishte Emin Erer, diplomat turk. Në atë kohë ishte ambasadori i Turqisë në Paris.
Ju, e njihnit?
Po, po, ai vinte shpesh. Ishte kushëri i dytë imi, se siç jua shpjegova, nënat i kishim siç dhe e merr me mend kushërira të para. Ai ishte ndërkohë dhe mik i familjes sime. Sa herë vinte në Tiranë do të vinte me patjetër. Kështu, dhe në atë kohë erdhi dhe mori pjesë në rivarrimin e xhaxhait të nënës së tij, pra të Abdylit. Abdylin e kishim njëlloj si ai dhe unë, por ndërsa ai mori pjesë duke ardhur që nga Parisi ku punonte, unë me nënën time që kishim qenë në Tiranë, u larguam prej saj dhunshëm dhe nuk u lejuam të merrnim pjesë.
Po ndërsa ishte miku i familjes, diplomatit turk Emin Erer, - që ishte kushëriri tuaj dhe që mori pjesë në emër të të ëmës, Sanijes, që ndodhej në Stamboll, - nuk i bëri përshtypje pse ju s'ishit në varrimin e Abdylit, nuk kërkoi t'ju takonte?
U interesua patjetër. Por e gënjyen, duke i thënë që s'ishim këtu për momentin.
Pra thamë që nëna juaj ishte njeriu më i afërt i Abdylit që jetonte në Shqipëri, apo jo?
Ajo ishte siç ju thashë mbesa e tij e drejtpërdrejtë, pra vajza e vëllait të tij. Dhe enciklopedia më absurde qëndron, se pikërisht një muaj para sa eshtrat e xhaxhait të saj, Abdyl Frashërit të mbërrinin në Shqipëri, familja e saj, pra familja jonë u internua.
Një muaj para se eshtrat e Abdylit të mbërrinin në Tiranë?
Po po! Ajo kishte marrë edhe ftesë të merrte pjesë në ceremoni, pasi ishte e vetmja mbesë e drejtpërdrejtë që ishte në Shqipëri.
Për kuriozitet faktesh: Thatë që nëna juaj ka pasur ftesë për ceremoninë e eshtrave të Abdylit. Kush ia solli konkretisht atë ftesë, kur pas kësaj, një muaj para se të vinin eshtrat dhe gjithë shteti të bënte ceremoni shkëlqimi patriotik, mbesa e tij të ishte e internuar dhe e ndoqi ceremoninë e rivarrimit të xhaxhit të saj patriot të madh vetëm nëpërmjet radios?
Ftesën e saj e sollën veteranët. Ishte firmosur nga kreu u veteranëve të Shqipërisë, Pertef Xhiku.
Por këtu nis histori goxha e gjatë, që ka lidhje me peripecitë e sjelljes së eshtrave në Shqipëri.
Kush shkoi për t'i marrë eshtrat e Abdyl Frashërit? Dini gjë për përpjekjet e qeverisë, jeni informuar për komisionin, për anëtarët e tij, peripecitë etj., se nuk besoj të ketë qenë e thjeshtë, apo jo?
Për të marrë eshtrat e Abdyl Frashërit, në vitin 1978, kur ishte pikërisht 100-vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ka shkuar në Turqi delegacioni shqiptar i kryesuar nga diplomati Xhorxhi Robo.
Kush e përbënte delegacionin?
Në atë delegacion bënin pjesë profesori i njohur Luan Omari, shkrimtari Anastas Kondo, Duro Kapo, kryetari i Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Përmetit, i cili kishte në administrim Frashërin. Delegacionit iu shtua dhe ambasadori ynë në Greqi, si dhe ai që ishte në Turqi.
Pse nuk kishin ardhur më parë eshtrat e Abdyl Frashërit, nuk ishin kërkuar apo ishin lejuar?
Unë di që kërkesa e qeverisë komuniste kishte qenë e përsëritur ndaj autoriteteve turke për të sjellë eshtrat e Abdyl Frashërit në Tiranë, por ishin forcat e djathta, kryesisht shqiptarët ballistë me banim në Turqi, ata që bëheshin pengesë e madhe që ato të vinin të Shqipëri.
Ç'lidhje kanë krerët e Ballit kudo që të ishin me kërkesat qeveritare të të dyja palëve?
Po qeveria turke ishte vënë nën presion të madh nga krerët e Ballit Kombëtar, kryesisht Qazom Prodani dhe Tahir Kolgjini, të cilët kishin përfunduar në Turqi pas ardhjes së komunistëve në pushtet. Ata pretendonin se Mit'hati i përkiste Ballit, për shkak të aktivitetit dhe pozicionit të tij politik si autoriteti kryesor i Ballit. Tashmë që ai ishte shpallur "non grata" nga Tirana, do të thoshte se edhe Abdyl Frashëri ishte i padëshirueshëm në Shqipërinë komuniste. Ai i takonte kauzës politike të të birit.
(Vijon nesër) 

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›