Jemen, atentat ndaj ambasadorit britanik
Një atentat është regjistruar në afërsi të automjetit që transportonte Timothy Torlot, ambasadorin britanik në Sanaa, në Jemen. Lajmi është bërë i ditur nga burimet lokale të sigurisë. Fatmirësisht diplomati nuk ka pësuar dëmtime nga shpërthimi, por ndërkaq një person ka mbetur i vdekur. Të njëjtat burime saktësojnë se objektiv i sulmit ka qenë pikërisht makina e ambasadorit britanik në kryeqytetin e Jemenit, Sanaa. Sipas informacioneve të para, atentati është kryer nga një kamikaz që ka hedhur veten në erë në afërsi të makinës së ambasadorit, e cila ishte e blinduar. Dëshmitarët thonë se atentatori vetëvrasës ka hyrë në veprim gjatë kohës që autokolona transportonte diplomatin në vendin e punës, siç do mengjes, në një distancë rreth 600 metra nga ambasada. Identiteti i viktimës nuk është saktësuar ende, por besohet se mund të jetë kamikaze që hodhi veten në erë. Zëdhënësi i ambasadës tha se po punohet ngushtë me autoritetet jemenitase për të hetuar për këtë çështje. Prej vitesh Jemeni po lufton kundër Al Kaedës dhe grupeve të tjera terroriste.