E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndihmat për Greqinë, Berlini frenohet. Frattini: Nevojitet një samit europian

Gjermania shprehet skeptike në dhënien e ndihmës financiare për qeverinë greke me qëllim kapërcimin e krizës financiare. Në prag të samitit të ministrave të jashtëm të BE në Luksemburg, shefi i diplomacisë gjermane Guido Westerwelle deklaroi se para se të jepet ndihma, Athina zyrtare duhet të realizojë më parë masat e nevojshme për tejkalimin e situatës. “T’i japësh para Greqisë kaq shpejt do ta largonte nga detyrimi për të bërë detyrat e saj të shtëpisë me kujdesin dhe disiplinën e nevojshme” tha Westerwelle.

Për planin anti-krizë në Greqi ka folur edhe ministri i jashtëm italian, Franco Frattini. Ai thotë se duhet mbledhur një samit i krerëve të lartë të shteteve anëtare të BE për t’i hapur dritën jeshile dhënies së huasë Greqisë, pas formulit nga Athina të kërkesës zyrtare për ndihmë.

“Nuk është një ndihmë, por një konsolidim i mureve të Europës dhe të euros, pra një shpëtim për të gjithë ne. Kjo nuk është një ndihmë shteti, është një sistem që përforcon euron. Nëse në këtë moment nuk ndihmojmë Greqinë, do të krijojmë kushtet që nesër të japim më shumë ndihma, jo më pak” tha Fratini.

“Besoj se duhet bërë një hap përpara nga të dyja palët. Nga njëra anë nga Greqia e cila duhet të mbajë premtimin për realizimin e masave të marra. Ne kemi shumë besim tek Papandreu dhe besoj se pas tij duhet të jetë një komb i bashkuar. Hapin tjetër duhet ta bëjë Europa. Ndoshta do të jetë e nevojshme mbajta e një takimi të krerëve të shteteve” shton ministri i Jashtëm italian.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›