E Diel, 1 Nëntor 2026

Jemi lojtarë, s'jemi ushtarë

Samir Ujkani

Ujkani e Jankovic, miqësi shqiptaro-serbe në Palermo

Ndërsa jetohen ditët më të tensionuara mes shqiptarëve dhe serbëve që prej disa vjetësh, në kryeqytetin sicilian, Palermo, ekziston një miqësi e vogël, mes dy personave, njëri shqiptar dhe njëri serb. I pari quhet Samir Ujkani, është shqiptar nga Kosova, ndërsa i dyti quhet Boshko Jankoviç dhe vjen nga Beogradi i Serbisë. Ndërsa në Beogradin e tij sulmohen ambasadat kroate dhe amerikane si dhe kompanitë sllovene apo në Kosovë i vihet zjarri pikave të kalimit kufitar me Serbinë, dyshja e futbollit nuk e ka problem të krijojë një miqësi. Nëse do të ishin djalë e vajzë do na kujtohej tragjedia e Shekspirit, “Romeo dhe Zhulieta”, por sërish ngjan sikur nga dy fiset në luftë, Kapuletë e Montagë, kanë dalë dy njerëz që duan të sillen ndryshe. Ja si flasin të dy në një intervistë të përbashkët për gazetën italiane, “Corriere dello Sport”: -Samir, na trego Kosovën tënde dhe ti Boshko, Serbinë tënde. Samir Ujkani: “Jam lindur në Resnik, ku jetova 6 vjet dhe me familjen emigruam në Belgjikë. Atje, pranë Bryzhit, jeton ende vëllai im Emiri. Kam edhe një motër tjetër, Liridonën që është e martuar. Prindërit e mi jetojnë me mua, këtu në Palermo. Babai im ka bërë dy punë në Belgjikë tani ka dëshirë vetëm që të pushojë. Emri im vjen nga besimi im që është mysliman. Mir është një fjalë që do të thotë i (e) mrekullueshëm. Në Kosovë për herë të fundit isha dy vjet më parë dhe sa herë shkoj gjej përmirësime”. Boshko Jankoviç: “U rrita në akademinë e Crvena Zvezdës në Beograd dhe shkoj sa herë që kam mundësi, për herë të fundit të hënën e kaluar. Kur jam atje flas shumë me gazetarët serbë që e ndjekin karrierën time në Itali. Por këtu kam marrë me vete gruan time, Dijanën, jetojmë në qendër dhe më pëlqen shumë”. -Thoni diçka për njëri-tjetrin ... Samir Ujkani: “Boshko është korrekt. Kur e thotë diçka e mban fjalën. Një mik i vërtetë që më ka ndihmuar që të përshtatem në muajt e parë që ishin të vështirë sidomos për gjuhën”. Boshko Jankoviç: “Samir është një person shumë i mirë, zumë miqësi menjëherë. Është i ri, simpatik, do të bëhet një portier i madh”. -Prejardhja juaj e ndryshme nuk ju pengon që të keni marrëdhënie të shkëlqyera? Samir Ujkani: “Me Boshkon kalojmë shumë kohë së bashku, na lidhin pasioni për futbollin dhe filmat. Shohim së bashku DVD-të në italisht dhe përkthimin anglisht poshtë më shumë për të mësuar ... Nuk kam pasur kurrë probleme për të pasur miqësi me serbë, edhe tek Anderlehti me Nenad Jestroviçin”. Boshko Jankoviç: “Mes nesh nuk flitet për politikë, ndonëse mua më pëlqen. Në futboll bëhet fjalë për një tjetër raport mes një kosovari dhe një serbi. Jemi lojtarë, jo ushtarë”. -A mund të luhet ndonjëherë një miqësore Kosovë-Serbi? Samir Ujkani: “Unë kam vendosur të luaj për kombëtaren shqiptare. Nëse formohet ekipi i Kosovës, jam gati”. Boshko Jankoviç: “Ndoshta për futbollistët nuk do të ishte një problem, por për tifozët po”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›