E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndoka: Na ka zënë virusi

Nard Ndoka

Demokristiani mendon se përçarja është një infeksion që po përhapet edhe tek e djathta

Teksa tek e majta vlon debati mes të mëdhenjve dhe të vegjëlve se cili është sistemi zgjedhor që i shërben më mirë vendit, tek e djathta po lindin filizat e një frike se mos i gjithë ky tërmet transferohet në kampin e tyre. Demokristianët nuk e mohojnë se e shohin me simpati shpalljen e njëanshme të “pavarësisë” nga ana e LSI-së dhe ndonëse nuk shprehen nëse “do ta njohin” atë, ushqejnë heshturazi ndjenja mosbesimi ndaj aleates së tyre të madhe, PD-së nga frika se mos kjo e fundit i braktis në momentin e përcaktimit të sistemit të ri zgjedhor. Kryetari i PDK-së Nard Ndoka, në një intervistë shpreh tërë dyshimet, pikëpamjet dhe aspiratat e forcës së tij që ka përfituar jo pak nga sistemi i deritanishëm elektoral. Bisedoi: Ergys GJENÇAJ Në kampin e majtë, reforma zgjedhore ka shkaktuar përçarje. Duke marrë parasysh se edhe në grupin e djathtë nuk ka konkretizim të një qendrimi të përbashkët, a mund të ndodhë e njëjta gjë edhe në kampin e djathtë? “Reforma zgjedhore është një element mjaft i rëndësishëm dhe çdo parti politike do të ketë qendrimin e saj zyrtar në lidhje me të. Akoma nuk ka asnjë gjë të vendosur përfundimtare, jemi në kadër të një debati politik, ku po shohim format dhe mundësitë më të mira. Pa diskutim që problemet e reformës zgjedhore janë si punë virusi, pra problemet që mund të jenë në kampin e djathtë mund të shfaqen edhe në kampin e majtë, ose anasjelltas. Këto tashmë janë skema të qarta të lexueshme, të kuptueshme, që dy paritë politike po përpiqen me të githë mënyrat e tyre dhe të gjitha diskutimet që janë bërë në këto momente bëhen që t’i ngushtojnë hapësirat e përfaqësimit të partive të vogla parlamentare, për përjashtimin e tyre, për mosnjohjen e mijëra e mijëra votave që kanë këto parti politike. Sot kemi një realitet tjetër politik, të gjitha partitë parlamentare së bashku kanë më shumë vota se sa ka PD dhe PS. Pra, normalisht një përfaqësim i tillë proporcional është i domosdoshëm për tu pasqyruar në Kuvendin e Shqipërisë. Ne nuk pajtohemi me këtë realitet, nuk do të rrimë as gojëkyçur, por as dhe duarlidhur, për të marrë vendimet tona. Kemi disa muaj që kërkojmë tryeza, mendime zyrtare, të cilat nuk po realizohen. Kjo e ka një shkak dhe padiskutim që do të ketë edhe një pasojë, nëse kërkesat tona do të bien në vesh të shurdhër. Nuk gjykoj që PDK është dëshiruar aq shumë pas pushetetit, sa të mbylli sytë ndaj padrejtësive që bëhen për reformën zgjedhore. Është momenti i reflektimit për të gjithë faktorët politikë shqiptarë, por edhe të një mundësie për vendime qartësisht të dallueshme për çdo forcë politike brenda kësaj mazhorance. Ne tashmë jemi në një bashkëpunim të ngushtë me PR-në, me PBDNJ-në, me PDR-në, me PAA, në kampin e djathtë. Por, edhe në kampin e majtë me LSI-në PDK ka pasur një bashkëpunim të vazhdueshëm dhe të tillë do ta ketë edhe në të ardhmen. Janë interesat tona të përbashkëta që në bashkojnë. Ne jemi kundërshtarë politikë, por të dy partitë jemi të vendosura për respektimin e stadardeve. Kjo na ka bërë shpesh herë që të kemi një lloj bashkëpunimi dhe të jemi aleatë në qendrimet tona politike. Dëshirojmë që aleancën dhe kontributin tonë politik ta kemi pranë kësaj mazhorance që bëjmë pjesë, por gjithsesi skema politike shqiptare tashmë është e hapur, nuk ka paragjykimi për tu takuar, për të vendosur, për të krijuar marrëdhënie me çdo forcë politike të spektrit shqiptar”. Gjithsesi reforma përfundon në Parlament dhe atje rëndësi kanë votat. PD dhe PS së bashku i kanë 84 votat e nevojshme për të kaluar ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Nëse kjo do të jetë në kundërshtim me vullnetin tuaj si parti, por edhe të forcave të tjera politike, cili do të jetë hapi juaj? “Së pari, nuk do të pranojmë në mënyrë absolute një aleancë të vetëm dy partive politike. Ka mekanizma parlamentarë bllokues, ka mekanizma që këto nisma të rrezikshme t’i kalojmë edhe në referendum, pra që të kemi një shprehje të votës popullore. Ka mekanizma bllokues edhe në mazhorancën aktuale për të vazhduar më tej së bashku. Nuk besoj se PD-ja dëshiron të bashkëpunoj dhe të bashkëqeverisë me PS-në. Nëse ato e dëshirojnë një gjë të tillë, atëherë ne jemi të vendosur të qendrojmë në Parlamentin e Shqipërisë, të ndërtojmë politika sipas alternativës demokristiane për të ardhmen. Çdo realitet i ri nuk shikohet me frikë nga PDK-ja, përkundrazi do të gjykojmë se do t’i paraprijmë çdo vendimi, i cili mund të merret nga çdo forcë politikë ndaj PDK-së”. Sapo përmendët disa mekanizma bllokues, si referendumi dhe lëvizjet brenda mazhorancës. Kjo do të thotë largim i PDK-së nga qeveria dha ndoshta largim i partive të tjera, si PBDNJ, PAA, pse jo PR-ja, që janë pjesë e kësaj qeverie? “PDK është e vendosur që të jetë e përfaqësuar denjësisht në Parlamentin shqiptar. Ne nuk do të ngushtohemi në vendimmarrjen tonë thjesht për një përfaqësim qeveritar, për një karrige ministri, duke heshur dhe duke pritur fatin politk të PDK-së nga politikanët e tjerë. Do të marrim çdo masë, e cila do të gjykohet nga strukturat e PDK-së e dobishme, si një kundërpërgjigje ndaj aventurave që dikush mendon dhe gjykon që t’i marrë në momente të caktuara”. Pra, në qoftë se ju bëhet ndonjë padrejtësi që do të cënonte arritjen e standardeve sipas jush, mund të përkthehet si përçarje mes partisë suaj dhe PD-së dhe përsësis, largim nga qeveria? “Këto janë momente që gjykohen hap pas hapi kur të ketë një qendrim zyrtar. PD akoma nuk ka një qendrim të vetin zyrtar. Ka individë të cilët e dëshirojnë përçarjen, individë të PD-së, ka individë të cilët flasin në prononcimet e tyre mediatike pikërisht për skema përjashtuese të partive parlamentare. Përderisa ky nuk është një qendrim zyrtar i PD-së, ne nuk kemi ndonjë arsye për t’u shprehur apo ndonjë arsye për të gjykuar në lidhje me këto deklarata, aq më tepër për të marrë vendime në lidhje me të ardhmen bashkëpunuese ndërmjet PD-së dhe PDK-së. Ne do të vlerësojmë çdo vendim zyrtar apo çdo vendim i cili do të ndërmerret në mënyrë institucionale”. Individi Sali Berisha për shembull, kryetar i PD-së dhe kryeministër i vendit, ka deklaruar se PD do të pranojë sistemin elektoral që do të propozojë PS. “Nuk e gjykoj që është diçka oportune që ne të pranojmë çdo variant që paraqet PS. PS ka të drejtën e një propozimi, ka të drejtën e një fjale, aq sa ka peshën e saj elektorale. Nuk e konsiderojmë PS-në si opozita e Shqipërisë, është një pjesë e kësaj opozite. Ka elementë përfaqësues opozitarë edhe në parti të tjera parlamentare dhe për këtë arsye ne e konsiderojmë reformën zgjedhore si kontribut të të gjitha partive politike. Një fjalë e PS-së, një ide e saj, nuk mund të kthehet në një Kod Zgjedhor. Edhe nëse PD e ka këtë dëshirë, kjo nuk është dëshira e PDK-së”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›